logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Hipotermia: personat e prekur duhet të ngrohen shumë ngadalë.
Hipotermia: personat e prekur duhet të ngrohen shumë ngadalë.

Hipotermia është një urgjencë mjekësore, që ka nevojë për trajtim sa më të shpejtë dhe efikas.

Në rastin e hipotermisë, personi duhet të ngrohet. Lodhja e theksuar dhe humbja e ndërgjegjes tek pacienti hipotermik janë shenja të urgjencës, që kërkojnë praninë e menjëhershme të ndihmës së shpejtë dhe  të specializuar për këto situata.

Hipotermia shfaqet kur sasia e nxehtësisë që trupi humbet është më e madhe se ajo që prodhohet në brendësi të tij, për një periudhë të gjatë kohore. Aksidentet e ndryshme, në ujë ose në mal, gjatë të cilave personi i aksidentuar nuk mund të lëvizë, ose të heqë veshjet e lagura, mund të provokojnë gjendjen e hipotermisë. Nëse temperatura trupore bie në mënyrë të menjëhershme, hipotermia që shfaqet është e shpejtë dhe e thellë, dhe rrezikon seriozisht jetën e individit përkatës. 

Konstatohen dy forma të hipotermisë: hipotermia aksidentale, që është e menjëhershme (akute), dhe hipotermia aksidentale subakute, që është  më pak e rëndë se e para dhe  zhvillohet brenda disa orëve.

Hipotermia aksidentale: është e menjëhershme, e papritur, si psh. gjatë rënies në  ujë të ftohtë. Koha e shfaqjes së saj është vlerësuar për një orë në ujë me temperaturë rreth +5 °C. Pas disa minutave, aftësia për të reaguar është jashtëzakonisht e kufizuar. Ndonjëherë mund të konstatohet fibrilacion ventrikular, i pasuar nga vdekja brenda disa minutave.

Hipotermia aksidentale subakute: temperatura trupore ulet gradualisht, si psh. pas një aksidenti nga orteku i dëborës ose pas abuzimit me alkool, kur personi shtrihet jashtë, në ajër të ftohtë. Pacienti me hipotermi bie në gjumë dhe kalon në gjendje të fikti. Në këto kushte, nëse temperatura trupore vazhdon të bjerë, ai mund të vdesë.

Nëse nuk trajtohet, hipotermia përparon në tre faza:

  • Faza aktive
  • Faza e lodhjes  (përgjumjes)
  • Faza e ndalimit të qarkullimit të gjakut 

 Faza aktive

  • Të dridhura dhe të ngjethura  (rrënqethje)
  • Puls i përshpejtuar
  • Frymëshkëmbim (frymëmarrje dhe frymënxjerrje) i thellë
  • Lëkurë e zbehtë dhe e ftohtë

 Faza e lodhjes

Ndalimi i qarkullimit të gjakut (faza e urgjencës)

  • Humbje e ndërgjegjes (të fikët)
  • Ndalim i qarkullimit të gjakut
  • Ndalim i frymëshkëmbimit

Në përgjithësi, njohja e mjekut me të dhënat rreth historisë së sëmundjes dhe me gjendjen e pacientit janë të mjaftueshme për vendosjen e diagnozës së hipotermisë. Pas kësaj, mjeku kryen egzaminimin e trupit dhe vlerëson shenjat vitale (zemrën dhe frymëshkëmbimin).

Hipotermitë janë situata të urgjencës mjekësore, ku zbatimi i masave të mëposhtme është i detyrueshëm:

  • Vendosja e dorezave mbrojtëse
  • Zhvendosja e pacientit në një vend të ngrohtë
  • Heqja e veshjeve të lagura dhe zëvendësimi i tyre me veshje të thata dhe të ngrohta
  • Dhënia e lëngjeve të ngrohta dhe të ëmbla
  • Stimulimi i pacientit që të lëvizë dhe të ecë
  • Nëse kjo është e pamundur, të kontaktohet menjëherë me shërbimin e ndihmës së parë (urgjencës) në numrin përkatës.
  • Të mbulohet personi, të shtrihet në një sipërfaqe të izoluar dhe të mbikqyret me kujdes deri në mbërritjen e ekipit mjekësor. 
  • Në rastin e humbjes së ndërgjegjes: pacienti duhet të kthehet në pozicionin anësor të sigurisë 
  • Në rastin e ndalimit të zemrës: duhet të praktikohet menjëherë masazhi në zonën e zemrës.

 Proçedurat e tjera trajtuese kryhen në kushte spitalore.

Trajtimi i menjëhershëm i hipotermisë mundëson evitimin e pasojave të rënda të saj në të gjitha rastet që egzaminohen shpejt dhe nuk paraqesin çrregullime të ritmit të zemrës. Gjithsesi, në rastet ekstreme mund të ketë pasoja, nga  prekja e organeve vitale (me rëndësi jetike) që mund të shkaktojë vdekjen.  

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.