Malaria
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Malaria është një nga sëmundjet tropikale më të shpeshta dhe më të rrezikshme, që shkaktohet nga parazitet. Agjenti shkaktar i saj transmetohet nëpërmjet pickimit nga mushkonja anopheles. Në fakt, njihen katër agjentë shkaktarë të malaries, që provokojnë katër forma të ndryshme të saj, ndër të cilat më e rrezikshmja është ajo falciparum.
Nëse pas një udhëtimi në vende tropikale ose subtropikale, shfaqen ethet ose simptoma të tjera gripale të rënda, duhet të dyshohet për sëmundjen e malaries, derisa të provohet e kundërta. Afrika përfaqëson kontinentin më të prekur nga kjo sëmundje, me 90% të vdekjeve që ndodhin në të gjithë botën.
Kundër malaries disponohen shumë lloje medikamentesh, disa prej të cilave, për fat të keq, nuk rezultojnë më efikasë, për shkak të zhvillimit të rezistencës së parazitit ndaj tyre. Për këtë arsye, parandalimi i sëmundjes përbën një hallkë thelbësore dhe të pazëvendësueshme për nga rëndësia.
Në varësi të agjentit shkaktar, njihen katër tipe të malaries:
- Malaria e shkaktuar nga plasmodium falciparum
- Malaria e shkaktuar nga plasmodium vivax
- Malaria e shkaktuar nga plasmodium ovale
- Malaria e shkaktuar nga plasmodium malariae
Paraziti transmetohet tek njeriu nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë femër e infektuar. Përmes rrugëve të qarkullimit të gjakut, agjenti shkaktar arrin në mëlçi, ku piqet. Prej aty, ai kthehet në nivelin e qarkullimit të gjakut, ku shumëzohet në rruazat e kuqe të gjakut (eritrocitet). Pas disa ditëve, eritrocitet shpërthejnë dhe çlirojnë helmet (toksinat). Në këtë stad, organizmi i pacientit reagon nëpërmjet ngritjes së temperaturës. Nëse një mushkonjë e painfektuar pickon një person të infektuar, ajo bëhet transmetuese (bartëse) e infeksionit. Transmetimi i malaries nga njeriu tek njeriu nuk ndodh.

Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e shenjave të para të sëmundjes) zgjat 7-16 ditë, në varësi të formës së malaries. Gjithsesi, ndonjëherë simptomat mund të shfaqen pas disa javësh madje edhe muajsh. Malaria fillon me simptoma të ngjashme me ato të gripit:
- Ngritje e temperaturës në mënyrë të menjëhershme (me puse) ose në mënyrë të vazhdueshme, në varësi të formës së malaries.
- Temperatura shoqërohet me ethe, ndjenjën e nxehtësisë, dhimbje të kokës,dhimbje të gjymtyrëve, të përziera dhe të vjella.
Temperatura në format e ndryshme të malaries:
- Në malarien nga plasmodium falciparum, temperatura ngrihet me vrull (me puse) ose qëndron vazhdimisht e lartë.
- Në malarien nga plasmodium vivax ose plasmodium ovale, temperatura bën ciklin tipik të tre ditëve: tre ditë me temperaturë, një ditë pa temperaturë, pastaj tre ditë të tjera përsëri me temperaturë.
- Në malarien nga plasmodium malariae, temperatura bën ciklin tipik të katër ditëve: katër ditë me temperaturë, një ditë pa temperaturë, më pas katër ditë të tjera me temperaturë.
Meqenëse në formën e parë (nga plasmodium falciparum), pusetë e temperaturës shpesh mungojnë, rreziku i një gabimi diagnostik është i madh. Në rastin e malaries nga plasmodium falciparum, simptomat e mëposhtme mund të shfaqen më vonë:
- Simptomat neurologjike, me turbullime të ndërgjegjes, kriza konvulsive
- Anemia, e shkaktuar nga shkatërrimi i rruazave të kuqe, veçanërisht tek fëmijët dhe foshnjat.
- Ulja e nivelit të sheqerit në gjak, kryesisht tek fëmijët dhe gratë shtatzana, që mund të çojë në gjendjen e komës hipoglicemike (nga ulja e sheqerit).
- Shfaqja e gjakut në urinë
- Ulja e funksionit të organeve të ndryshme, si: mëlçia, mushkëritë, veshkat, sistemi kardio-vaskular (zemra dhe enët e gjakut).
Simptomat mund të shfaqen në mënyrë të përsëritur, duke vënë në rrezik jetën e fëmijëve, grave shtatzana, personave të moshuar dhe atyre me ulje të imunitetit (të aftësive mbrojtëse të organizmit).

Diagnoza e malaries bazohet mbi simptomat e pacientit dhe analizat laboratorike. Analizat e gjakut konfirmojnë praninë e parazitit në gjak dhe përcaktojnë sasinë e tij. Paraziti identifikohet nëpërmjet egzaminimit me mikroskop. Sot, përdoren teste të thjeshta dhe të shpejta për këtë qëllim.

Rezistenca ndaj medikamenteve të përdorura e bën trajtimin ndaj malaries tepër të vështirë. Mënyra e trajtimit të malaries varet nga disa faktorë, si forma e saj, stadi i sëmundjes, aftësitë mbrojtëse të organizmit, etj. Për këtë arsye, kryhet trajtimi parandalues, trajtimi i urgjencës dhe trajtimi klasik i malaries.
Medikamentet
Zgjedhja e medikamenteve
Është tepër e rëndësishme të informohet mjeku nëse jeni alergjikë ndaj ndonjë ose disa medikamentesh, apo nëse jeni duke përdorur ndonjë medikament (veçanërisht për hipertensionin arterial, beta-bllokuesit, etj). Gjithashtu, mjeku duhet të informohet edhe për praninë e sëmundjeve psiqike (si çrregullimet e ankthit) ose gjendje të tjera mjekësore, të tilla si epilepsia dhe shtatzania.
Trajtimi parandalues
Përgjithësisht, parandalimi i malaries nuk rekomandohet, përveç rasteve që do të udhëtojnë në vende që paraqesin rrezik të lartë për këtë sëmundje. Kështu, personi që do të udhëtojë, duhet të konsultohet me një mjek specialist infeksionist, lidhur me zgjedhjen e trajtimit parandalues dhe me mundësinë e përdorimit të medikamenteve të urgjencës që do të ketë me vete. Disa medikamente shkaktojnë efekte të padëshiruara të rëndësishme. Pikërisht për këtë arsye, duhet të vendosë mjeku për zgjedhjen e medikamentit më të përshtatshëm. Ky trajtim i tipit parandalues, nuk e pengon 100% infektimin nga malaria, por e zvogëlon shkallën e rrezikut për t’u infektuar prej saj. Tre përbërësit aktivë që përdoren më shpesh për këtë qëllim janë: meflokina, atovaquone-proguanili dhe doksiciklina.
Trajtimi medikamentoz i urgjencës
Për udhëtarët që shkojnë në vende me rrezik të pakët për t’u prekur nga malaria, këshillohet të marrin me vete medikamentetet e urgjencës. Nëse brenda 24 orëve të para pas shfaqjes së simptomave të dyshimta, nuk është i mundur konsultimi me një mjek, personi duhet të përdorë medikamentin, edhe nëse diagnoza e malaries nuk është e sigurt. Medikamentet që duhet të përdoren në të tilla raste janë ato që përdoren edhe për parandalimin e malaries: meflokina, atovaquone-proguaniil dhe doksiciklina.
Trajtimi klasik i malaries
Trajtimi i malaries konsiderohet klasik kur diagnoza e saj është e sigurt. Në këtë kontekst, ky trajtim përfshin edhe përdorimin e medikamenteve të përmendura më sipër. Në rastin e malaries nga plasmodium vivax ose plasmodium ovale, vatrat e parazitit të formuara në mëlçi mund të rezistojnë për një kohë të gjatë. Malaria konsiderohet e shëruar vetëm kur këto parazitë janë evidentuar dhe trajtuar me rrugë medikamentoze (përbërësi aktiv është primakina).
Artemisinina është një medikament i ri i përdorur për trajtimin e malaries. Deri tani, asnjë agjent patogjen nuk ka zhvilluar rezistencë ndaj tij. Skemat aktuale të trajtimit të malaries konsistojnë në kombinimin e artemisininës me medikamentet tradicionale të sipërpërmendura.
Medikamentet: Trajtimi parandalues bazohet në përdorimin e medikamenteve të zgjedhura nga mjeku specialist infeksionist.
Në rastin e malaries nga plasmodium falsiparum të patrajtuar, brenda disa ditëve mund të zhvillohen simptoma të rënda, shpesh vdekjeprurëse. Prekja e trurit nga malaria është veçanërisht e frikshme. Ajo manifestohet me simptoma të tilla si: gjendje konfuzioni që mund të arrijë deri në koma, dhe që zakonisht përfundojnë me vdekjen e pacientit.
Gjithashtu, mund të konstatohen dëmtime të veshkave, të zemrës, aparatit të tretjes (me diarre) dhe të mushkërive (edemë pulmonare).

Masat e përgjithshme të parandalimit kundër pickimit nga mushkonjat:
- Përdorimi i veshjeve me mëngë të gjata dhe pantallonave me ngjyrë të hapur, çorapeve të gjata dhe këpucëve të mbyllura, veçanërisht gjatë muzgut dhe gjatë natës.
- Aplikimi i produkteve kundër insekteve mbi zonat e zbuluara të lëkurës.
- Vendosja e produkteve kundër insekteve sipër shtratit.
- Vendosja e rrjetave të mushkonjave në dyer dhe dritare.