Tumoret e trurit
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Tumor i trurit konsiderohet çdo enjtje që zhvillohet brenda kafkës. Në parim, qelizat e të gjitha indeve brenda kafkës mund të shumëfishohen. Në këtë temë do të trajtohen vetëm format e tumoreve më të përhapura. Në përgjithësi, duhet patur kujdes në dallimin e formave beninje të tumoreve të trurit nga ato malinje (kanceret) të tij.
Në nivelin e trurit, natyra beninje e masës tumorale nuk e përjashton asnjëherë rrezikun. Në fakt, tumori i trurit është gjithmonë i rrezikshëm, pavarësisht natyrës beninje apo malinje, sepse ai shtyn strukturat e tjera përreth tij, dhe rrit në këtë mënyrë presionin mbi qendrat jetike të trurit, pasi kockat përreth tyre nuk mund ta përballojnë vëllimin e rritur në brendësi nga masa tumorale.
Tumori i trurit mund të shfaqet në çdo moshë.
Në pjesën më të madhe të rasteve, shkaku i tumorit të trurit nuk është i njohur. Faktorët e trashëgueshëm dhe ndikimet e jashtme janë në diskutim. Deri në ditët e sotme, nuk është vërtetuar ndikimi i fushave elektromagnetike të telefonave celularë ose linjave të tensionit të lartë mbi zhvillimin e këtyre tumoreve. Gjithsesi, origjina e metastazave të trurit është e njohur: bëhet fjalë për përhapjen e qelizave kanceroze që vijnë nga një tumor malinj (kancer i një organi tjetër), të cilat janë përhapur në organizëm nëpërmjet qarkullimit të gjakut.
Tumoret më të shpeshta të trurit janë:
- Gliomat: e marrin origjinën nga qelizat që përbëjnë këllëfin e nervave të trurit. Kjo formë përfshin: glioblastomat, astrocitomat, ependimomat, meduloblastomat dhe oligodendrogliomat.
- Meningiomat: burojnë nga qelizat e cipës së fortë të trurit (dura mater).
- Tumoret e hipofizës: e marrin origjinën nga qelizat e ndryshme që përbëjnë gjendrën hipofizare.
- Neurinomat: rrjedhin nga qelizat që përbëjnë këllëfin e nervave të trurit, deri në përfundimin e tyre.
- Metastazat: bëhet fjalë për përhapjen e një kanceri të një pjese të organizmit drejt një pjese tjetër të tij.
Pjesa më e madhe e simptomave nuk sugjerojnë për një tumor të trurit. Ato varen nga vendndodhja, madhësia dhe shpejtësia e rritjes së tumorit.
Simptomat më të shpeshta të tumorit të trurit janë:
- Dhimbja e kokës
- Të përzierat, të vjellat dhe ngadalësimi i ritmit të zemrës, që tregojnë për rritje të presionit brenda kafkës.
- Krizat konvulsive, si ato të epilepsisë (me dridhje të forta të pavullnetshme)
- Ndryshime psiqike (apati, axhitim, turbullime të kujtesës)
- Në varësi të vendndodhjes dhe tipit të tumorit, mund të shfaqen edhe: dobësi muskulare, paraliza dhe çrregullime të dëgjimit, të shikimit, të shijes, të gëlltitjes dhe të folurit.
Ja disa karakteristika të tipeve të ndryshme të tumoreve të trurit:
- Glioblastoma: përfaqëson një tumor tepër malinj, që përhapet shpejt në indet përreth. Ai është tumori i trurit më i përhapur dhe prek kryesisht personat nga 40-60 vjeç. Paralizat dhe çrregullimet e të folurit shfaqen disa javë ose muaj pas fillimit të sëmundjes. Pas momentit të diagnostikimit të tij, mbijetesa e pacientit nuk i kalon disa muaj.
- Ependimoma dhe meduloblastoma: janë tumore të trurit tipike për fëmijët dhe adoleshentët. Ependimoma shkakton shpesh shenja të presionit të lartë brenda trurit (të përziera, të vjella dhe ngadalësim të ritmit të zemrës). Pacienti mund të jetojë për shumë vite pas vendosjes së diagnozës së këtyre tumoreve.
- Meningioma: bëhet fjalë për një tumor beninj, që nëse rritet shpejt, përhapet në strukturat përreth. Nëse kjo formë nuk rritet ose rritet ngadalë, mund të mos shkaktojë shqetësime, pra të jetë asimptomatik.
- Tumoret e hipofizës: hipofiza është një gjendër e trurit që prodhon disa hormone. Për pasojë, edhe simptomat tipike të tumoreve të kësaj zone të trurit janë kryesisht çrregullime hormonale, si çrregullimet e rritjes në gjatësi të trupit, lodhje trupore, lëkurë e thatë, çrregullime të ereksionit tek meshkujt, çrregullime të shikimit. Këto tumore shfaqen kryesisht në peronat me moshë nga 30-50 vjeç.
- Neurinoma: ky tumor zhvillohet përgjithësisht në qelizat e këllëfit të nervit të tetë të kafkës (neurinoma akustike-e dëgjimit). Për këtë arsye, simptomat tipike të saj janë ulja progresive e shkallës së dëgjimit, zhurmë në vesh, çrregullime të ekuilibrit dhe paraliza në nivelin e fytyrës.

Diagnoza e tumoreve të trurit bazohet në:
- Simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre
- Egzaminimin neurologjik të imtësishëm
- Analizat e gjakut, për përjashtimin e sëmundjeve të tjera.
- Skanerin ose rezonancën magnetike të kokës (kafkës dhe trurit)
- Në rastet e nevojshme, në matjen e aktivitetit elektrik të trurit, nëpërmjet kryerjes së EEG-s (elektro-encefalogramës).
- Në rastet e nevojshme, në analizën e lëngut truno-shpinor, të marrë nëpërmjet punksionit lumbar (tërheqjes së tij me shiringë në kanalin e shtyllës kurrizore).

Trajtimi i tumoreve të trurit varet nga tipi i tumorit, madhësia dhe vendndodhja e tij. Tumoret beninje (meningiomat dhe neurinomat) mund të hiqen me rrugë kirurgjikale dhe kanë përgjithësisht ecuri të mirë. Tumoret malinje, veçanërisht ato të vendosuara pranë qendrave jetike të trurit, kanë një prognozë jo të favorshme.
Në parim, janë të mundshme tri mënyra trajtimi:
Ndërhyrja kirurgjikale
Vështirësia e ndërhyrjeve në nivelin e trurit qëndron tek dallimi i indit tumoral nga ai i shëndetshëm gjatë operacionit. Teknikat operatore moderne lejojnë gjithsesi një dëmtim minimal të indit të shëndetshëm përreth tumorit.
Radioterapia (rrezatimi)
Përgjithësisht, tumoret e trurit përgjigjen mirë ndaj rrezatimit. Kjo mënyrë trajtimi konsiston në rrezatimin e tumorit përmes lëkurës, ose edhe nëpërmjet futjes së një burimi të vogël rrezesh me rrugë kirurgjikale, për të shkatërruar tumorin në brendësi.
Kimioterapia (trajtimi medikamentoz)
Egzistojnë skema të ndryshme të kimioterapisë, kryesisht me marrjen e medikamenteve me rrugë venoze ose me tableta nga goja. Kimioterapia shoqërohet shpesh me efekte të padëshiruara të shumta.
Për uljen e presionit në brendësi të kafkës ndihmojnë medikamentet me bazë kortizoni.
Disa tumore të trurit nuk ndikojnë ose ndikojnë shumë pak në cilësinë e jetës dhe jetëgjatësinë e pacientëve, ndërkohë që tumore të tjera mund të shkaktojnë vdekjen e pacientit brenda disa mujash ose vitesh.
Ndërlikimet shfaqen gjithmonë kur tumori zmadhohet me shpejtësi ose kur ai përhapet në indet përreth. Sa më shpejt që të zmadhohet tumori, aq më shumë do të rritet presioni brenda kafkës. Ky presion i lartë shtyp qendrat jetike të trurit dhe rrugët nervore të tij, duke çuar në vdekje të pacientit, në rast se nuk trajtohet.
Shpesh, pacientët me tumore të trurit paraqesin çrregullime psiqike, ndonjëherë të theksuara.