Fibrilacioni atrial
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Fibrilacioni atrial përfaqëson një nga çrregullimet më të shpeshta të ritmit të zemrës, që haset kryesisht tek personat e moshuar. Edhe pse në përgjithësi kjo sëmundje nuk e rrezikon jetën e pacientit, ajo rrit rrezikun e një aksidenti vaskular cerebral (në tru).
Çrregullimet e ritmit të zemrës mund të manifestohen në formën e rrahjeve tepër të shpejta, rrahjeve tepër të ngadalta ose të çrregullta. Fibrilacioni atrial karakterizohet nga tkurrje të çrregullta të atriumeve (veshoreve), që reflektohet me një ritëm të çrregullt të zemrës. Fibrilacioni atrial mund të jetë i vazhdueshëm, ose i alternuar me ritëm të rregullt të zemrës.
Njihen dy forma të fibrilacionit atrial
- Forma me rrahje të shpeshta të zemrës, që emërtohet takikardi, dhe që karakterizohet nga më tepër se 100 rrahje/minutë.
- Forma me rrahje të ngadalta të zemrës, që emërtohet bradikardi, dhe që karakterizohet nga më pak se 60 rrahje/minutë.
Në rreth 80% të rasteve, fibrilacioni atrial nuk ka asnjë shkak organik të mirëfilltë. Ai fillon në mënyrë të menjëhershme, dhe zhduket pas një intervali të caktuar kohor.
Shkaqet organike përfshijnë:- Kalcifikimin e arterieve koronare (arterioskleroza)
- Infarktin e miokardit
- Sëmundjet e zemrës me natyrë reumatizmale ose inflamatore
- Hipertensionin arterial
- Hipertireozën (funksioni i shtuar i gjendrës tiroide)
- Sëmundjet e valvulave të zemrës
- Abuzimin me alkoolin dhe abuzimi me drogat
Gjatë një episodi të fibrilacionit atrial, pacienti mund të shfaqë:
- Ritëm të çrregullt të zemrës
- Takikardi, që manifestohet me palpitacione (rrahje të shpejta dhe të forta të zemrës), vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje prapa kafazit të kraharorit
- Të përziera
- Gjendje axhitimi
- Bradikardi: ritëm i ngadaltë i zemrës
- Marrje mendsh
- Nëse shpeshtësia e rrahjeve të zemrës ulet shumë, mund të shfaqet gjendja e sinkopit (të fikëtit)

Çdo rast me fibrilacion atrial ka nevojë për konsultë me mjekun kardiolog, që duhet të konsistojë në:
- Informimin e tij me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre, historinë personale dhe familjare për praninë e sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese.
- Egzaminimin trupor të të sëmurit
- EKG (elektrokardiograma)
- Vendosjen e Holterit të ritmit të zemrës (EKG e vazhdueshme për 48 orë, që monitoron ritmin e zemrës)
- Kryerjen e EKG gjatë sforcimit
- Ekografia e zemrës, për të përjashtuar një sëmundje organike (parësore) të zemrës
- Ekografia e ezofagut, për të përjashtuar praninë e një trombi në zemër.

Trajtimi i fibrilacionit atrial varet nga një sërë faktorësh të lidhur me pacientin, siç është mosha, koha e shfaqjes së fibrilacionit, forma e tij, medikamentet e përdorura, prania e sëmundjeve të tjera, etj. Qëllimi i trajtimit është: të stabilizojë ritmin dhe ta mbajë atë në normë, të përdorë medikamentet e përshtatshme për kontrollin e ritmit të zemrës dhe të simptomave shoqëruese të fibrilacionit, si dhe të pakësojë rrezikun e aksidenteve vaskulare cerebrale nëpërmjet trajtimit me medikamente që hollojnë gjakun (antikoagulante).
Mënyrat e trajtimit të fibrilacionit atrial janë:- Trajtimi medikamentoz, me medikamente që rregullojnë ritmin e zemrës (antiaritmikë) dhe holluese të gjakut (antikoagulantë)
- Goditja elektrike në zemër me elektroshok, që realizon kthimin e ritmit normal të zemrës. Kjo kryhet në rastet që janë rezistente ndaj mjekimit me medikamente
- Teknika ablative, që mund të jetë e tipit jokirurgjikal dhe kirurgjikal, dhe që përfshin një sërë metodash që eleminojnë rrugët jonormale të përçImit të impulsit në atriume (nëpërmjet radiofrekuencës, kriokoagulimit, ose prerjeve të vogla kirurgjikale të indit që përçon impulse jonormale), duke mundësuar në këtë mënyrë ndërprerjen e fibrilacionit
- Vendosja e një peismejkeri që evidenton fibrilacionin atrial dhe kthen ritmin normal të zemrës
Fibrilacioni atrial ndikon negativisht në punën e zemrës, duke shkaktuar ulje të sasisë së gjakut që ajo hedh në qarkullim në një minutë (debiti kardiak). Për pasojë, ulet shkalla e furnizimit me gjak të periferisë, fenomen që shfaqet kryesisht tek personat me moshë të vjetër dhe/ose me insuficiencë të zemrës.
Gjithashtu, gjatë fibrilacionit atrial, në nivelin e atriumeve mund të formohen copa të mpiksura të gjakut (trombe), të cilat mund të zhvendosen dhe të shkaktojnë fenomenin e embolisë (bllokimin e një ene nga trombi) në qarkullimin e përgjithshëm, dhe në raste më të rënda, në aksidente vaskulare cerebrale.
Çdo fibrilacion atrial i zgjatur, që nuk kthehet në ritëm normal, duhet të menaxhohet nga mjeku kardiolog.
Gjithsesi, në çdo rast të shfaqjes së takikardisë, pa çrregullime të tjera organike, rekomandohet kryerja e disa veprimeve që mundësojnë ndonjëherë stabilizimin e ritmit të zemrës, si psh. pirja e ujit, ruajtja e qetësisë, mbajtja e frymës, etj.
Në rastet e fibrilacionit atrial me bradikardi, mund të jetë e nevojshme vendosja e një peismejkeri.