Ethja tre ditore (Roseola infantum, Temperatura tre ditore)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Ethja e tre ditëve përfaqëson një infeksion viral akut, që haset vetëm tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Gjatë këtij infeksioni, fëmijët paraqesin temperaturë të lartë, që mund të arrijë deri në 40° C gjatë 3 ditëve. Pikërisht për këtë arsye njihet edhe si “temperatura e tre ditëve”. Si fillimi i temperaturës, ashtu edhe ndërprerja e saj janë të menjëhershme. Pas rënies së saj, shfaqen elemente (pika) në lëkurë, që zhduken më pas, pa lënë asnjë pasojë. Infeksioni shoqërohet nga imunizimi i organizmit prej tij për gjithë jetën, pra shkakton mbrojtje të përhershme.


Kjo sëmundje virale manifestohet me simptomat e mëposhtme:
- Temperaturë e lartë (deri në 40° C), me fillim akut (të menjëhershëm), që ndërpritet pas 3 ditëve.
- Dalja e elementeve në lëkurë, në formën e pikave të vogla, me ngjyrë të kuqe të zbehtë, që shfaqen në fillim në zonën e barkut, gjoksit, kraharorit dhe shpinës, më pas mbi krahë dhe këmbë. Ato shfaqen në momentin e ndërprerjes së temperaturës dhe zhduken pas disa ditësh.
- Gjendja e përgjithshme e fëmijës është relativisht e mirë.
- Temperatura mund të shoqërohet nga simptomat e një ftohjeje ose diarre.
Vendosja e diagnozës nuk është e lehtë në fillim të sëmundjes, për shkak të mungesës së simptomave të tjera, përveç temperaturës. Vetëm prania e elementeve tipike në lëkurë konfirmon diagnozën e kësaj sindrome.
Çdo fëmijë me temperaturë të lartë duhet të konsultohet nga një mjek pediatër, për të përjashtuar sëmundje të tjera më të rënda, që kanë gjithashtu temperaturë.

Nuk egziston ende asnjë medikament efikas kundër virusit shkaktar të kësaj sëmundjeje. Për këtë arsye, trajtimi i saj është thjesht dhe vetëm simptomatik, pra për qetësimin e simptomave përkatëse.
Masat e përgjithshme
- Për uljen e temperaturës, rekomandohen kompresa në bark dhe përreth kofshëve. Fëmija duhet të pijë shumë lëngje, për të kompensuar humbjen e tyre si pasojë e temperaturës së lartë.
- Në rastin e konvulsioneve nga temperatura, duhet të shtrihet fëmija në tokë, në mënyrë që të evitohet traumatizimi i tij. Menjëherë pas ndërprerjes së tyre, edhe në rast se janë konvulsione të shkurtra, duhet të njoftohet menjëherë një mjek specialist pediatër.
Medikamentet
- Për uljen e temperaturës përdoren antipiretikë, në formën e tabletave ose suposteve.
- Në rastin e konvulsioneve nga temperatura, mund të përdoren medikamente antiepileptike në formën e suposteve.