Zmadhimi i gjëndrave limfatike (Enjtja e gjendrave limfatike, Enjtja e nyjeve limfatike, Limfadenopatia)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Sistemi limfatik (i përbërë nga gjendrat limfatike dhe enët limfatike) përshkon gjithë trupin tonë, ashtu si enët e gjakut. Si pjesë e sistemit imunitar, ai ndihmon në mbrojtjen e trupit kundër agjentëve të jashtëm. Gjendrat limfatike filtrojnë limfën (një lëng që vjen nga indet) dhe e pastron nga trupat e huaj dhe agjentët e jashtëm.
Gjendrat limfatike gjenden kudo në trupin tonë. Gjithsesi, ato janë më të shumta në qafë, në nofullën e poshtme, në rrëzë të kofshës, në sqetull dhe përreth organeve të brendshme.
Madhësia dhe forma e tyre mund të ndryshojë: ato janë të sheshta, në formën e fasules, me madhësi rreth 1 cm në nofull; janë të rrumbullakta dhe më pak se 0.5 cm në qafë; janë të stërgjatura dhe rreth 1.5 cm në rrëzën e kofshës.
Vendndodhja, konsistenca, natyra e dhimbshme ose jo, si dhe lëvizshmëria janë karakteristikat e nyjeve limfatike, që ndihmojnë mjekun të orientohet rreth shkakut të zmadhimit të tyre:
- Nyjet e enjtura në një zonë të trupit, p.sh. në qafë gjatë faringitit.
- Nyjet e enjtura në disa vende të ndryshme, p.sh. limfoma.
- Normalisht, nyjet limfatike janë të buta, elastike dhe pak të lëvizshme.
- Nyjet e enjtura janë të dhimbshme dhe të forta në prekje.
- Nyjet limfatike kanceroze janë më të forta, jo të dhimbshme dhe jo të lëvizshme.
Çrregullime të mundshme shoqëruese janë: shenjat e inflamacionit (p.sh. shenjat e ftohjes: skuqje e qafës, ethe, rrufë, dhimbje të fytit etj.), dhimbje, puçrra në lëkurë, djersitje gjatë natës.
Shkaqet e zmadhimit të gjendrave limfatike janë të shumta: që nga infeksionet e lehta (p.sh. faringiti ose gripi), e deri tek sëmundjet malinje (p.sh. limfoma). Gjithashtu, ato mund të zmadhohen edhe kur ka plagë të infektuara.
Shkaqet e zmadhimit të nyjeve limfatike janë:
- Infeksionet virale ose bakteriale, inflamacionet: ftohja, tonsiliti, faringiti, gripi.
- Infeksionet bakteriale specifike: sifilizi, tuberkulozi, salmoneloza, limfogranuloma veneriane.
- Infeksionet virale specifike: citomegalovirusi, mononukleoza, herpesi, fruthi, shytat, rubeola, HIV/SIDA, ethja Lassa.
- Infeksionet nga mikroorganizmat e tjerë: toksoplazmoza, malaria, mykozat.
- Sëmundjet reumatizmale: artriti reumatoid, lupusi eritematoz sistemik
- Tumoret beninje ose kanceret: limfomat beninje (sarkoidoza, sëmundja Kawasaki), kanceri i nyjeve limfatike (sëmundja Hoçkin, Limfoma jo Hoçkiniane), leuçemia, kanceri i gjirit (me nyje limfatike të zmadhuara në sqetull).
- Nyjet limfatike të zmadhuara për shkak të medikamenteve të përdorura.
Nuk mund të bëni asgjë për të ndihmuar veten nëse keni nyje limfatike të enjtura. Nëse shkak është një faringit i zakonshëm, mund të prisni për një kohë dhe të vëzhgoni ecurinë e tyre. Nyjet limfatike duhet të zvogëlohen paralelisht me zhdukjen e infeksionit.
Disa sëmundje (përfshirë infeksionet dhe inflamacionet) që shkaktojnë zmadhim të nyjeve limfatike mund të parandalohen nëpërmjet masave parandaluese ose mjeteve të thjeshta. Pjesë e kësaj strategjie është edhe parandalimi ose zbulimi i hershëm i sëmundjes së kancerit.
Një mjek duhet të konsultohet kur nyjet limfatike janë të zmadhuara në rastet e mëposhtme:
- Enjtje e pashpjeguar e nyjeve limfatike, që nuk zvogëlohen pas 2 javësh.
- Nyje limfatike të enjtura, që vazhdojnë të zmadhohen.
- Nyje limfatike të zmadhuara dhe të dhimbshme.
- Dhimbje dhe skuqje e lëkurës pranë një nyjeje limfatike të zmadhuar.
- Nyjet limfatike janë të zmadhuara, të forta dhe jo të lëvizshme.
- Pacienti gjithashtu paraqet temperaturë të lartë, djersitje gjatë natës ose humbje të pavullnetshme në peshë.
- Çrregullime të gëlltitjes dhe të frymëmarrjes, që lidhen me nyjet limfatike të zmadhuara.
Tek cili mjek duhet të shkoni?
- Mjeku i familjes (mjek i përgjithshëm)
- Mjeku internist
- Mjeku ORL (otorinolaringolog)
- Mjeku onkolog
Për të krijuar një ide të qartë mbi problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku pyet fillimisht pacientin për simptomat e tij dhe historinë mjekësore (anamnezën), pastaj bën një ekzaminim fizik (inspektimin, palpacionin, auskultimin, perkusionin, ekzaminimet funksionale, etj.). Më pas, mund të jenë të nevojshme edhe ekzaminime mjekësore shtesë, sipas rastit.
Njohja e mjekut me problemet aktuale dhe historinë personale të pacientit (anamneza) konsiston në informimin e tij mbi:
- nyjet limfatike të zmadhuara: që kur, cilat nyje janë zmadhuar, në cilat pjesë të trupit, nëse zmadhimi është theksuar me kalimin e kohës, nëse janë të dhimbshme, si është konsistenca e tyre (të buta apo të forta), nëse janë të lëvizshme, etj.
- çrregullimet shoqëruese (shih më sipër)
- sëmundjet e mëparshme dhe historinë mjekësore, duke përfshirë operacionet dhe infeksionet e kaluara
- sëmundjet të rëndësishme dhe shkaqet e vdekjes të anëtarëve të familjes
- udhëtimin e fundit jashtë vendit
- humbje të pavullnetshme të peshës, ethe ose djersitje gjatë natës
- marrje të medikamenteve
- alergji
- mënyrën e jetesës, aspektet sociale dhe profesionale
- zakonet: ushqimi, gjumi, stimuluesit (kafeina, alkooli, duhani, droga), stresi, etj.
Ekzaminimi fizik
Ekzaminimi fizik konsiston fillimisht në inspektimin e nyjeve limfatike të zmadhuara. Mjeku sigurohet që të vlerësojë konsistencën e tyre (të forta ose të buta), lëvizshmërinë dhe dhimbjen ose jo të ganglionit. Gjithashtu, duhet të kontrollojë nëse ka nyje limfatike të tjera të zmadhuara në pjesë të tjera të trupit, duke kërkuar njëkohësisht edhe për shenja të mundshme të infeksionit ose inflamacionit. Gjatë ekzaminimit të barkut, mjeku shqyrton madhësinë e shpretkës, një organ që gjithashtu i përket sistemit limfatik dhe gjendet në pjesën e sipërme të majtë të barkut.
Ekzaminime të tjera/ekzaminime mjekësore shtesë
- testi i gjakut: vlerësohet përbërja e qelizave të gjakut, proteinat, etj.
- ekografia e nyjeve limfatike të zmadhuara
- biopsia e nyjeve limfatike (heqja e një pjese shumë të vogël indi limfatik nën anestezi lokale)
- ekzaminimet imazherike: radiografia, CT-skaneri dhe MRI (Rezonanca Magnetike).
Trajtimi i nyjeve limfatike të zmadhuara gjithmonë varet nga shkaku i tyre.
Kështu:
- Gjatë infeksioneve lokale (p.sh faringiti), nuk nevojitet ndonjë trajtim i veçantë. Ato zvogëlohen spontanisht pasi sëmundja ka kaluar.
- Infeksionet bakteriale trajtohen me antibiotikë.
- Gjatë infeksioneve virale, të tilla si fruthi ose mononukleoza, trajtimi është simptomatik.
- Infeksione të tjera virale, siç është HIV-i, kërkojnë trajtim antiviral (një medikament që pengon riprodhimin e virusit).
- Limfomat trajtohen me kimioterapi dhe radioterapi (rrezatim).