Disfagia (Çrregullimi i gëlltitjes, Vështirësia në gëlltitje)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Disfagia përfshin çrregullimet që kanë lidhje me marrjen e ushqimit, përtypjen dhe gëlltitjen e ushqimeve të lëngëta dhe të ngurta (edhe të pështymës) nga goja për në stomak.
Çrregullimet e gëlltitjes mund të manifestohen në mënyra të ndryshme: si dhimbje në gëlltitje, kalim të copave të ushqimit në rrugët e frymëshkëmbimit , që shkakton kollë, si dhe të vjella pas proçesit të gëlltitjes.
Proçesi i gëlltitjes kalon në tre faza:
- Faza orale, ku bën pjesë marrja e ushqimit ose lëngjeve, përtypja dhe më pas transporti i tyre nga goja për në faring.
- Faza faringeale, ku bën pjesë transporti i ushqimit nga faringu për në ezofag
- Faza ezofageale, ku bën pjesë transporti i ushqimit nga ezofagu për në stomak.
Shkaqet e disfagisë janë të ndryshme: ajo mund të shkaktohet nga një ftohje banale, një inflamacion i faringut, por edhe nga sëmundje neurologjike të rënda ose çrregullime psiqike. Çrregullimet e gëlltitjes mund të shfaqen papritur (si psh. gjatë një infarkti të trurit) ose të zhvillohen gradualisht (si në rastin e sëmundjes Parkinson ose demencës senile). Dhimbja gjatë gëlltitjes në gjuhën mjekësore njihet si odinofagia.
Ka shenja direkte dhe jodirekte të lidhura me disfaginë:
- Shenjat direkte të disfagisë janë problemet që shfaqen gjatë marrjes së ushqimeve, që janë përshkruar në rubrikën më poshtë "Kur duhet të konsultoheni me mjekun?".
- Shenjat jodirekte të disfagisë janë: ethe me origjinë të panjohur, bronkit i përsëritur deri në pneumoni, rënie e pavullnetshme në peshë, dehidratim.
Rreziqet dhe pasojat e çrregullimeve të gëlltitjes janë:
- Rreziku i asfiksisë gjatë kalimit të ushqimit ose lëngjeve.
- Bronkitet dhe pneumonitë, që shfaqen pas aspirimit të ushqimeve ose lëngjeve.
- Rënia në peshë , mosushqyerja dhe dehidratimi : ushqyerja ose hidratimi i pamjaftueshëm për shkak të çrregullimeve të gëlltitjes dhe frikës nga asfiksia.
- Presioni psiqik dhe izolimi shoqëror (evitimi i ngrënies jashtë shtëpisë me shoqërinë).
Në origjinën e disfagisë mund të jenë shkaqe të ndryshme. Sëmundjet nerurologjiketë tilla si Parkinsoni , demenca , skleroza multiple , hemorragjia ose infarkti në tru, shkaktojnë paraliza të trakesë ose të faringut . Gjithashtu, disfagi shkaktojnë edhe sëmundjet e zonës së gojës, trakesë, ezofagut, faringut, ose stomakut. Ajo mund të shfaqet edhe pas një operacioni ose rrezatimi të një tumori, ose nga përdorimi i medikamenteve. Disfagi mund të shkaktojnë edhe sëmundjet psiqike.
Përveç këtyre situatave, funksioni i gëlltitjes çrregullohet edhe nga proçesi i plakjes natyrale. Me kalimin e moshës, oreksi, nuhatja, shijimi, prodhimi i pështymës dhe forca muskulare pakësohen dhe përdoret më shpesh kyçi i nofullës. Problemet neurologjike, pozicioni i keq i një proteze dentare, një inflamacion i gojës ose një tharje e mukozës së gojës çojnë në çrregullime serioze të gëlltitjes.
Sëmundjet neurologjike që mund të shkaktojnë disfagi janë:
- Infarkti i trurit
- Traumat e kafkës dhe trurit
- Sëmundja e demencës (Alzheimer , Parkinson)
- Skleroza multiple
- Skleroza amiotrofike anësore (humbja e avancuar e muskulaturës)
- Miastenia grave (dobësia muskulare )
Sëmundjet e gojës dhe trakesë që mund të shkaktojnë disfagi janë:
- Sëmundjet inflamatore ose infeksioze nga viruse, bakterie dhe kërpudha, të tilla si: shytat, skarlatina , difteria, laringiti .
- Faringiti
- Tonsiliti
- Laringiti
- Epiglotiti
- Tumori i gojës
- Kanceri i gjendrës tiroide
- Abcesi i bajameve (retrotonsilar)
- Problemet e dhëmbëve ose problemet ortopedike të nofullave: pozicioni i keq i protezës dentare, mbivendosja e nofullave kundrejt njëra-tjetrës
- Lëndime ose djegie të gojës ose trakesë, kalimi i trupave të huaj.
Sëmundjet e ezofagut që mund të shkaktojnë disfagi janë:
- Akalazia (çrregullim funksional i lidhjes stomak-ezofag)
- Divertikujt e ezofagut
- Kanceri i ezofagut
- Stenoza e ezofagut
Sëmundjet gastro-intestinale që mund të shkaktojnë disfagi janë:
- Sëmundja e refluksit gastro-ezofageal
- Hernia e diafragmës (hernia hiatale)
Disfagia me natyrë psikogjene mund të shkaktohet nga:
- Çrregullimet e sjelljes
- Çrregullimet e lidhura me ushqyerjen
- Fagofobia (frika nga gëlltitja e ushqimit)
Tek personat me çrregullime të gëlltitjes egziston gjithmonë rreziku i mbytjes gjatë gëlltitjes së ushqimit, nëse ushqimi mbetet në grykë. Pacientët që kanë pësuar infarkt në tru shpesh vdesin pas disa ditësh ose javësh, si pasojë e një infeksioni në mushkëri prej çrregullimeve të gëlltitjes. Vetëm një diagnozë e saktë dhe një trajtim korrekt i menjëhershëm mund të përmirësojë aftësinë për t’u gëlltitur, madje edhe shërimin e disfagisë.
Në rastin e disfagisë, është e rëndësishme të dihet:
- Nuk është madhësia e ushqimit, por përbërja e tij që luan rol të rëndësishëm. Kështu, ushqimet e pasura në fibra, të thata ose të forta është e vështirë të përtypen dhe të kontrrollohen në gëlltitje.
- Ushqimet e bluara, të buta ose të ziera janë më të thjeshta për t’u gëlltitur
- Evitoni ushqimet e përziera, si supa me copa, çokollata ose lajthitë
- Përtypuni ngadalë dhe me vetëdije
- Evitoni pirjen dhe ngrënien në të njëjtën kohë, gjithmonë duke gëlltitur plotësisht ushqimin përpara se të pini lëngje
- Kërkoni ndihmën e shërbimeve të posaçme për të lehtësuar ushqyerjen
- Evitoni faktorët e rriskut, si duhani dhe alkooli.
Në çdo rast me çrregullime të gëlltitjes, si të lehta apo edhe të rëndësishme, që zgjatin më tepër se 1-2 javë ose janë rënduar, duhet të konsultohet gjithmonë një mjek.
Disfagia nuk dallohet gjithmonë nga personi që e vuan. Për këtë arsye, nëse paraqesni një ose disa nga shqetësimet e mëposhtme, duhet të konsultohuni me mjekun:
- Kollë ose kthim të ushqimit gjatë ngrënies
- Vështirësi në kalimin e ushqimeve ose pijeve
- Frikë nga gëlltitja e ushqimit
- Vështirësi në gëlltitjen e tabletave
- Vështirësi në gëlltitjen e ushqimeve të forta ose lëngjeve
- Ushqimi ngec në grykë
- Gjatë kthimit lart të ushqimit, ai kalon në hundë
- Që të gëlltitet pak ushqim nevojitet të pihet shumë ujë
- Përtypja është problematike
- Mbetjet e ushqimit ngecin në faqe dhe është e vështirë të lëvizen prej andej me gjuhë
- Goja është e thatë
- Ushqimi ngjitet në qiellzë
- Keni ndjesinë e trupave të huaj në grykë
- Djegie ose dhimbje në fyt
- Ngrënia merr më shumë kohë se më parë
- Gëlltitja realizohet vetëm në një pozicion të caktuar
- Konstatoni rënie të pavullnetshme në peshë
- Evitoni ngrëniet me shoqërinë për shkak të vështirësive në gëlltitje
Me cilin mjek duhet të konsultoheni ?
- Mjeku i familjes
- Mjeku neurolog
- Mjeku ORL
- Mjeku gastro-enterolog
- Logopedisti, terapisti i gëlltitjes
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me çrregullimet e gëlltitjes: kur janë shfaqur fillimisht, në mënyrë të menjëhershme apo progresive, si është gjendja e ushqyerjes, me çfarë ushqimesh ndodh, nëse shoqërohet me dhimbje gjatë gëlltitjes, nëse keni rënie të pavullnetshme në peshë, ethe me origjinë të panjohur, bronkit ose inflamacion të mushkërive, pyetje të tjera specifike lidhur me disfaginë (shih rubrikën "Kur duhet të konsultoheni me mjekun?").
- Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë aksidentet dhe operacionet.
- Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
- Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
Egzaminimi klinik
Gjatë këtij egzaminimi, mjeku vlerëson gjendjen e ushqyerjes së përgjithshme përpara se të egzaminojë çdo organ që merr pjesë në proçesin e gëlltitjes (fytyrën, qafën, buzët, gjuhën, dhëmbët, nofullat, zgavrën e gojës, laringun, trakenë) dhe të vlerësojë funksionet e tyre (reflekset e gëlltitjes, të vjellat, kollën). Testi i gëlltitjes realizohet fillimisht duke gëlltitur vetëm pështymën dhe nëse kjo funksionon, pacienti testohet edhe në rrethana të tjera (duke gëlltitur lëngje, ushqime të buta, ushqime të forta).
Egzaminime të tjera specifike diagnostike
- Endoskopia e proçesit të gëlltitjes, duke përdorur një kamera të vogël që kalon nëpërmjet një tubi të hollë nga hunda
- Radiografia e qafës, me gëlltitjen e lëndës së kontrastit
- Ekografia e qafës
- Gastroskopia
- Matja e ph: vlerësimi i përmbajtjes acide të zonës së poshtme të ezofagut gjatë 24 orëve me ndihmën e një sonde nazale (në hundë)
- Matja e presionit në ezofag (manometria ezofageale)
- Skaneri ose rezonanca magnetike
Terapia e disfagisë varet gjithmonë nga shkaku i saj. Ajo përfshin:
Masat e përgjithshme
- Përshtatja e ushqyerjes: zgjedhja e ushqimeve të rekomanduara, kryesisht të ziera dhe lëngje
- Optimizimi i pozicionit të trupit dhe kokës gjatë ngrënies dhe pirjes
- Terapia logopedike mbi gëlltitjen: përvetësimii i teknikave speciale të gëlltitjes, ushtrimeve të gëlltitjes, të lëvizjeve dhe muskulaturës për gjuhën
- Përdorimi i akullit për përmirësimin e refleksit të gëlltitjes
- Ushtrime për aftësinë frymëshkëmbyese dhe refleksin e mbrojtjes, veçanërisht për kollën
- Drejtimi për ndihmë nga shërbimet e posaçme, për lehtësimin e marrjes së ushqimeve dhe lëngjeve.
Trajtimi i sëmundjes kryesore
Në varësi të sëmundjes kryesore, terapia mund të jetë medikamentoze ose kirurgjikale. Përveç kësaj, mund të jetë i nevojshëm zëvendësimi i një proteze dentare ose ndërprerja (ose ndërrimi, sipas rastit) i një medikamenti të përdorur që ka shkaktuar disfagi, ose që do të mund të shkaktonte ose rëndonte një disfagi psikogjene.
Ushyerja me sondë për marrjen e ushqimeve dhe lëngjeve
Në stadet e avancuara të disfagisë, është e nevojshme ushqyerja artificiale me sondë. Kjo bëhet me anën e sondës nazogastrike ose të përdorimit të zgjatur të një sonde PEG (tubi futet përmes lëkurës së barkut dhe lidhet me stomakun). Tubi mund të futet brenda rrobave, dhe në këtë mënyrë nuk është i dukshëm nga jashtë.