Rubeola
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Gjatë shtatzanisë, veçanërisht gjatë tremujorit të parë të saj, rubeola është tepër e rrezikshme për fëmijën, për shkak të keqformimeve që mund të shkaktojë tek ai.
Virusi i rubeolës (rubivirusi) transmetohet nëpërmjet spërklave të pështymës ose nga kontakti i drejtpërdrejtë me personin e infektuar (kur ai kollitet, teshtin, flet) ose me urinën dhe jashtëqitjet e tij. Personat që e kalojnë rubeolën, fitojnë mbrojtje të përhershme ndaj saj.
Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para të sëmundjes) për virusin e rubeolës zgjat rreth 2-3 javë.
Shpesh rubeola është asimptomatike, pra nuk shkakton shqetësime. Shenja më karakteristike e infeksionit është prania e elementeve në lëkurë, në formën e pikave të vogla të kuqe, që shfaqen fillimisht në fytyrë dhe më pas përhapen në të gjithë trupin. Ato zhduken pas disa ditësh.
Simptoma të tjera:
- Zmadhim i nyjeve limfatike, që janë të dhimbshme, veçanërisht në nivelin e qafës dhe prapa veshëve
- Zmadhimi i shpretkës
- Dhimbje në kokë
- Dhimbje në gjymtyrë
- Temperaturë e lartë, përgjithësisht nën 39° C
- Rinit (rrufë)
- Konjuktivit
- Dhimbje kyçesh, për shkak të inflamacionit të tyre (artrit), kryesisht në nivelin e gishtave.

Diagnoza e rubeolës përcaktohet duke u bazuar në:
- Simptomat që paraqet pacienti
- Historinë e detajuar të sëmundjes, veçanërisht informimin e mjekut lidhur me kontakte të mundshme me fëmijë të prekur nga rubeola.
- Evidentimi i antitrupave specifike kundër rubeolës; vetëm elementet e shfaqura në lëkurë nuk janë përcaktuese, sepse ato janë të pranishme edhe në sëmundje të tjera virale, si fruthi, skarlatina ose eritema infeksioze.
- Identifikimi i virusit
- Në rast se dyshohet për rubeolë tek një grua shtatzanë, virusi mund të evidentohet në lëngun amniotik. Antitrupat specifikë kundër rubeolës mund të evidentohen në gjakun e fetusit duke nisur nga java e 22-të e shtatzanisë.

Nuk egziston asnjë medikament kundër virusit të rubeolës. Për këtë arsye, trajtohen vetëm simptomat e saj.
Në çdo rast të diagnostikuar me rubeolë, duhet patur parasysh:
- Mbajtja e fëmijëve të infektuar prej rubeolës sa më larg grave shtatzana
- Respektimi i regjimit të shtratit
- Vendosja e kompresave të lagura për uljen e temperaturës
- Vendosja e kompresave të ftohta për inflamacionin e kyçeve
- Konsumi i sasve të mëdha të lëngjeve
Medikamentet e rekomanduara në rastin e rubeolës janë:
- Antipiretikët (që ulin temperaturën), nëse është e nevojshme
- Antiinflamatorët, në rastet me inflamacione të kyçeve
- Antihistaminikët (antialergjikët), kundër të kruajturave
Rubeola mund të shkaktojë këto ndërlikime:
- Keqformime të lindura tek fëmija, të lidhura me zemrën, trurin, sytë dhe veshët
- Encefaliti (inflamacion i trurit)

- Mënyra më e mirë e mbrojtjes kundër rubeolës është vaksinimi. Bëhet fjalë për një vaksinë të kombinuar kundër rubeolës, fruthit, skarlatinës dhe parotitit (shytave), që kryhet përgjithësisht pas muajit të pestë të jetës.
- Femrat shtatzana që nuk janë prekur kurrë nga rubeola dhe që nuk janë vaksinuar kundër saj, duhet të evitojnë absolutisht çdo lloj kontakti me fëmijët e infektuar prej saj.
- Vajzat e reja që kanë hyrë në periudhën e pubertetit (në moshë riprodhuese) dhe nuk e kanë kaluar rubeolën, duhet të vaksinohen patjetër kundër saj.
- Në ditët e sotme, është e mundur të evidentohen, nëpërmjet testeve specifike, antitrupat specifike kundër rubeolës tek gratë shtatzana.
- Studimet e fundit kanë treguar se vaksinimi kundër rubeolës mund të kryhet gjatë shtatzanisë, pa rrezikuar për të provokuar një abort ose për të rrezikuar shëndetin e fëmijës.