Poliomieliti
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Poliomieliti është një infeksion i moshave fëminore, tepër ngjitës, i shkaktuar nga viruse që çojnë shpesh në paraliza dhe vdekje të pacientit.
Që prej futjes në përdorim të vaksinës kundër kësaj sëmundjeje, shpeshtësia e saj është ulur ndjeshëm në mbarë botën. Megjithatë, numri i rasteve të vaksinuara, në vendet në zhvillim, mbetet ende më i vogël krahasuar me vendet e zhvilluara.
Agjenti shkaktar i kësaj sëmundjeje është poliovirusi, i cili është tepër ngjitës dhe transmetohet nga stërkalat e pështymës gjatë të folurës, kollitjes ose teshtitjes së personit të infektuar. Gjithashtu, ky virus mund të transmetohet edhe nëpërmjet kontaktit me jashtëqitjet e personave të infektuar.
Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para) për këtë virus zgjat nga 5-14 ditë; në raste tepër të rralla mund të zgjasë edhe 35 ditë.
Fillimisht, gjatë fazës së parë, sëmundja karakterizohet nga një gjendje gripale, dobësi e përgjithshme, dhimbje koke, dhimbje muskulare në gjymtyrë, ulje e oreksit, diarre, ethe dhe vështirësi në gëlltitje. Kjo situatë mund të pasohet nga një periudhë pa simptoma.
Faza e dytë e sëmundjes karakterizohet nga depërtimi i virusit në sistemin nervor qendror, që shoqërohet me shfaqjen e simptomave të mëposhtme:
- Simptoma të shprehura gripale, me ethe, ndjenjë dobësie të përgjithshme, dhimbje koke dhe ngurtësim të qafës
- Paraliza
- Dhimbje të forta në shpinë dhe në muskuj
- Ndjeshmëri e lartë ndaj dritës dhe nxehtësisë

Për vendosjen e diagnozës së poliomielitit nga mjeku infeksionist, janë të nevojshme:
- Njohja e historisë së sëmundjes, nëpërmjet të dhënave të referuara nga pacienti. Kujdes i veçantë duhet treguar ndaj simptomave dhe paralizave të mundshme në momentin e paraqitjes tek mjeku.
- Identifikimi i virusit në jashtëqitjet, sekrecionet e laringut dhe lëngun truno-shpinor të pacientit të infektuar. Në stadin fillestar sëmundja mund të ngatërrohet lehtësisht me infeksione të tjera, që karakterizohen nga simptoma të ngjashme me poliomielitin. Si të tilla mund të përmendim: meningoencefalitin sezonal verë-pranverë (MEPV), ose difteria.

Regjimi i shtratit është i detyrueshëm, madje edhe në rastet kur thjesht dyshohet për poliomielit. Në rastin e shfaqjes së paralizave, rekomandohet ndryshimi në mënyrë të rregullt i pozicionit të trupit të pacientit dhe fizioterapi për kohë të gjatë. Gjithashtu, në rastet e rënda mund të jetë e nevojshme frymëmarrja artificiale (e drejtuar) dhe trajtimi intensiv në qendra të specializuara. Për poliomielitin nuk ka mjekim medikamentoz specifik.
