Artriti reumatoid (AR, Poliartriti kronik)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Artriti reumatoid (i quajtur edhe poliartriti kronik), është një sëmundje inflamatore kronike që prek kyçet (artikulacionet).
Ajo është sëmundja inflamatore reumatizmale më e shpeshtë, tre herë më e shpeshtë tek femrat. Mund të shfaqet në çdo moshë, madje edhe tek fëmijët e vegjël. Përgjithësisht, haset në moshat 40-60 vjeç.Shkaqet e artritit reumatoid nuk janë plotësisht të njohura. Gjithsesi, egziston mundësia që në fillim të sëmundjes, qelizat e sistemit imunitar të jenë aktivizuar dhe më pas drejtuar kundër organizmit në formën e një reaksioni auto-imunitar, pra që shkatërron vetveten.
Simptomat e artritit reumatoid janë në varësi të pacientëve. Gjatë ecurisë së sëmundjes, simptomat mund të ndryshojnë shumë edhe tek i njëjti pacient.
Simptomat karakteristike të artritit reumatoid janë:
- Dhimbjet e kyçeve gjatë natës dhe në mëngjes
- Ngurtësimi mëngjezor i kyçeve për më tepër se 15 minuta
- Enjtja e kyçeve
- Dobësia e përgjithshme trupore, me lodhje dhe ethe në fillim dhe në një stad më të përparuar, kryesisht në formën e krizave të dhimbjeve. Sëmundja përparon në mënyrë graduale ose me kriza.

Dëmtimet inflamatore të kyçeve nga artriti reumatoid janë të parikthyeshme. Ato shfaqen më shpejt nga sa mendohej më parë, kur përdoreshin egzaminimet radiografike tradicionale. Diagnoza duhet të përcaktohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
E rëndësishme: sa më herët të përcaktohet diagnoza dhe të fillohet mjekimi i artritit reumatoid, aq më e mirë do të jetë ecuria e tij.
Për të vendosur sa më herët diagnozën e tij, që bazohet veçanërisht në të dhënat klinike të pacientit, nevojitet një përvojë e madhe.
Diagnoza e artritit reumatoid vendoset nga mjeku specialist reumatolog, duke u bazuar në:
- Kriteret e klasifikimit: psh. kriteret e Kolegjit Amerikan të Reumatologjisë
- Egzaminimet laboratorike, ku përfshihet matja e nivelit në gjak të faktorit reumatoid dhe të antitrupave specifike.

Artriti reumatoid shërohet rrallë dhe shkakton shkatërrim gjithnjë e më të rëndësishëm të kyçeve, duke rritur gjithnjë e më shumë shkallën e paaftësisë në popullatë. Për këtë arsye, në ditët e sotme kjo sëmundje trajtohet më herët dhe në mënyrë më agresive, me skema të ndryshme trajtuese.
Medikamentet
Medikamentet e përdorura për trajtimin e artritit reumatoid grupohen në tre kategori:
- Anti-inflamatorët josteroidienë: veprojnë vetëm mbi simptomat (lehtësojnë dhimbjet dhe shenjat inflamatore). Ato nuk ndikojnë as mbi shkaqet dhe as mbi ecurinë e sëmundjes.
- Glukokortikosteroidet (preparatet me bazë kortizoni): përdorimi i tyre është i paevitueshëm gjatë krizave akute të sëmundjes, ku ato pakësojnë ndjesinë e djegies. Vitet e fundit është konstatuar edhe veprimi i tyre frenues mbi shkatërrimin e kërceve dhe kockave. Falë këtij veprimi, ato mund të përfshihen në mjekimin bazë të artritit reumatoid.
- Medikamentet e trajtimit bazë: nuk veprojnë mbi simptomat akute si dhimbjet dhe inflamacioni. Veprimi i tyre shfaqet vetëm pas disa javësh, madje edhe muajsh. Ato ndërhyjnë në përparimin e sëmundjes, dhe kanë për qëllim ta ngadalësojnë këtë proçes, mundësisht ta shërojnë atë. Veprimi i tyre pakëson nevojën e përdorimit të medikamenteve që veprojnë tek simptomat dhe nuk ndikojnë tek shkaqet e sëmundjes, si dhe të preparateve me bazë kortizoni. Medikamentet e trajtimit bazë janë frenuesit e citokinave. Citokinat janë substanca të pranishme në organizëm, që luajnë rol ndërmjetësues midis qelizave që marrin pjesë në përgjigjen inflamatore. Njëra nga citokinat, që është kryesisht e përfshirë në artritin reumatoid është TNF (Faktori i Nekrozës Tumorale). Kohët e fundit disponohen preparate që bllokojnë veprimin e TNF dhe përmirësojnë simptomat e sëmundjes.
- Sinoviortezis: proçedura e injektimit të medikamenteve anti-inflamatore brenda në artikulacion (në kyç).
Trajtimi fizik
Qëllimi kryesor i trajtimit është ruajtja në maksimum e lëvizshmërisë fizike, madje edhe përmirësimi i cilësisë së jetës së pacientit.Objektiva të tjera janë:
- Lehtësimi i dhimbjes
- Parandalimi i deformimeve të kyçeve
- Ruajtja/përmirësimi i funksionimit të kyçit
- Ruajtja dhe përmirësimi i forcës dhe rezistencës muskulare
Ergoterapia
Objektivat e saj përshtaten me aktivitetin e sëmundjes (faza akute/faza kronike). Ergoterapia ka për qëllim të ruajë funksionet e nevojshme për aktivitetet e përditshme, për pakësimin e dhimbjeve, parandalimin e deformimit, dhe ruajtjen/rivendosjen e funksionit të duarve.