logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Konvulsionet janë më se të zakonshme në epilepsi ose pas dëmtimit të trurit
Konvulsionet janë më se të zakonshme në epilepsi ose pas dëmtimit të trurit
Konvulsionet janë kontraktime (tkurrje) tepër të forta dhe të pavullnetshme të grupeve muskulare të organizmit, që shkaktohen nga një shkarkesë spontane e qelizave nervore në tru.

Konvulsionet mund të manifestohen në mënyra të ndryshme. Sipas zonës së trurit që është prekur, ato mund të jenë të pjesshme (të kufizuara në një zonë të trurit ose në një grup neuronesh) ose të përgjithshme (që përfshijnë njëkohësisht dy hemisfera të trurit).

Krizat e pjesshme e kanë origjinën në një zonë të kufizuar të trurit. Shenjat klinike të tyre janë:

  • Ndjesi jonormale ose haluçinacione ndjesore të papritura (psh.aroma ose shije të pazakonta, çrregullime të pamjes, impresion i papritur i dëgjimit të muzikës, mungesa e sensit të realitetit, mpirje të krahëve ose të këmbëve, etj.
  • Dridhje të fytyrës, duarve ose këmbëve
  • Humbje e shkurtër e vetëdijes, e shoqëruar nga gëlltitja e pavullnetsheme, nxjerrja e zhurmave nga goja, etj.
Krizat e pakufizuara në një zonë të veçantë, që prekin të dy hemisferat e trurit quhen "kriza të përgjithshme". Në to bëjnë pjesë:
  • Kriza toniko-klonike (grand mal), e cila është një krizë epileptike që karakterizohet nga humbja e vetëdijes, kontraktime të pavullnetshme të muskujve të gjymtyrëve, trungut dhe fytyrës, që pasohet nga një fazë lodhjeje të përgjithshme (rraskapitje) dhe konfuzioni. Gjatë kësaj krize, pacienti mund të urinojë në mënyrë të pavullnetshme, madje edhe të kafshojë gjuhën ose faqen.
  • "Mungesa", gjatë disa sekondave, që karakterizohet nga një humbje e papritur e kontaktit me mjedisin, me një shikim të zbrazët (fëmija është "në hënë")
  • Kontraktime muskulare të papritura të shpatullave dhe krahëve, sikur është i frikësuar.
Sqarim : ky fenomen nuk ka lidhje me kontraktimet muskulare të pavullnetshme që manifestohen gjatë gjumit tek pjesa më e madhe e njerëzve. Hipoteza e ngritur deri më sot, për shpjegimin e këtyre krizave gjatë periudhës së gjumit bazohet në faktin që trurit i duhet më shumë kohë se muskujve për të "ndaluar". Truri përpiqet pra të riaktivizojë muskujt, duke shkaktuar kontraktime të pavullnetshme të tyre. Në përgjithësi, ky sindrom është beninj, edhe pse mund t’i shqetësojë pacientët. Kujdes: nëse kontraktimet muskulare shfaqen vetëm në krahë ose në këmbë, mund të bëhet fjalë për "sindromën e këmbëve të shqetësuara". Në këtë rast pacienti duhet të konsultohet me mjekun.

Më shpesh, kriza epileptike është një fenomen i vetëm që manifestohet në terren të disa sëmundjeve ose rrethanave. Për këtë arsye, në të tilla raste emërtohet "konvulsion rastësor". Shembuj të tillë janë: konvulsionet gjatë gjumit të pamjaftueshëm, gjatë konsumit të sasive të mëdha të alkoolit, gjatë sëmundjeve metabolike ose konvulsioneve febrile (nga temperatura e lartë) tek fëmijët.

Krizat e përmendura më sipër duhet të dallohen nga krizat e vërteta epileptike, që nuk kanë shkak të njohur dhe që kanë tendencë të përsëriten.

Shkaqet e krizave epileptike janë:

  • Epilepsia, çrregullime konvulsive
  • Epilepsia e të moshuarve

Shkaqet e konvulsioneve rastësore janë:

  • Mungesa e oksigjenit në tru (psh.në rastin e një aksidenti vaskular në tru ose një lindjeje të ndërlikuar)
  • Konvulsionet febrile tek fëmijët
  • Sindroma e bebes së tronditur
  • Hipoglicemia (diabeti i sheqerit)
  • Tetanozi
  • Hiperventilimi (frymëshkëmbimi i shpejtë dhe i thellë)
  • Eklampsia (hipertensioni i shtatzanisë)
  • Abuzimi me alkoolin ose drogat
  • Efektet e padëshiruara të medikamenteve
  • Epilepsia psikosomatike
  • Sëmundja Creutzfeldt-Jakob
  • Helmimet
  • Traumat e kafkës
  • Meningiti
  • Hemorragjia në tru
  • Tumori i trurit
  • Gjumi i pamjaftueshëm
  • Stresi
  • Faktorët shpërthyes: drita e fortë dhe me ndërprerje (në diskoteka), lojrat kompjuterike me lëvizje, abuzimi me alkoolin, mungesa e gjumit, etj.

Një krizë epileptike duket e rrezikshme, edhe pse, përgjithësisht, nuk është e tillë dhe ndalon vetë (pas rreth 2-3 minutash).

Megjithatë, personave epileptikë u këshillohet të kenë gjithnjë me vete medikamentet e nevojshme, si dhe një kartë personale për urgjencat, që shpjegon formën e epilepsisë nga e cila ata vuajnë.

Veprimet e ndihmës së parë gjatë ose pas një krize konvulsive janë:

  • Shënoni kohëzgjatjen e krizës
  • Mbroni epileptikun nga lëndimet e mundshme: hiqni objektet që gjenden rreth tij, vendosini një jastëk ose shtresë tjetër të butë nën kokë
  • Lirojeni nga veshjet tepër të ngushta/të shtrënguara
  • Mos mbani krahët dhe këmbët e epileptikut
  • Mos vendosni asgjë ndërmjet dhëmbëve me qëllimin për të evituar një kafshim të gjuhës ose faqes
  • Mos u përpiqni të ndërprisni krizën epileptike duke bërtitur ose duke e tundur personin, por veçanërisht mos u përpiqni kurrë ta sillni atë në vete gjatë një konvulsioni.

Pas krizës:

  • Sapo përfundon kriza, epileptiku duket shumë i lodhur ose jo krejt i zgjuar (i kthjellët). Në përgjithësi, ai del spontanisht nga kriza.
  • Vendoseni pacientin në pozicionin anësor të sigurisë dhe mos u përpiqni ta zgjoni
  • Verifikoni nëse është lënduar gjatë krizës
  • Mos e lini kurrë vetëm një epileptik gjatë një konvulsioni, derisa të dalë nga kriza dhe t’u përgjigjet saktë pyetjeve tuaja.

Kur duhet të njoftohet mjeku i urgjencës?

  • Nëse kriza zgjat më tepër se 5 minuta
  • Nëse epileptiku bëhet blu gjatë konvulsionit
  • Gjatë gjendjes së statusit epileptik: kur disa kriza epileptike shfaqen njëra pas tjetrës, pa e lejuar epileptikun të kthjellohet ndërmjet tyre. Kjo përfaqëson një situatë urgjence
  • Konfuzioni vazhdon gjysëm ore pas përfundimit të krizës

Duhet të konsultoheni me një mjek pas çdo krize të parë konvulsive, për të ditur nëse bëhet fjalë për një krizë rastësore (që ka një shkak direkt) apo për një epilepsi të vërtetë.

Tek epileptikët e njohur, mjeku duhet thirrur vetëm nëse kriza zgjat më tepër se 5 minuta, nëse shfaqen disa kriza njëra pas tjetrës pa pushim midis tyre, nëse pacienti është konfuz pas krizës ose nëse shfaqen edhe çrregullime të tjera (si çrregullime në të folur, paraliza, etj.).

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Neurologu / epileptologu
  • Mjeku internist
  • Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
  • Mjeku pediatër, neurologu pediatër

Për të dalluar ataket e tjera (gjendjen e të fikëtit) nga epilepsia, si dhe vetë tipet e epilepsisë nga njëri-tjetri, mjeku ka nevojë për një përshkrim të detajuar të krizës dhe çrregullimeve të tjera. Për këtë luajnë rol të rëndësishëm personat që kanë qenë të pranishëm gjatë krizës konvulsive, sepse në pjesën më të madhe të rasteve, epileptiku nuk mban mend asgjë nga kriza. Pas anamnezës, mjeku kryen egzaminimin fizik të pacientit, që konsiston në inspektimin, palpacionin , auskultacionin , perkusionin dhe testet funksionale . Pas këtij egzaminimi, mjeku mund të rekomandojë egzaminime të tjera të nevojshme për vendosjen e diagnozës, sipas rastit.

Njohja e mjekut me çrregullimet aktuale dhe historinë mjekësore të pacientit (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me epilepsinë: momenti i krizës së parë konvulsive, shpeshtësia e krizave, rrethanat e shfaqjes së tyre (psh.pas zgjimit, gjatë gjumit, etj.), kohëzgjatja dhe përshkrimi i saktë i krizës (humbja e vetëdijes, konvulsionet, perceptimet e çuditshme gjatë ose pas krizës, etj.), faktorët shpërthyes të saj (psh. gjumi i pamjaftueshëm, ethet, alkooli, drogat, medikamentet), gjendja pas krizës (konfuzioni, çrregullimet e të folurit, etj.).
  • Pyetjet rreth faktorëve të rrezikut, problemeve mjekësore dhe sëmundjeve të mëparshme të pacientit: ndërlikimet gjatë shtatzanisë ose gjatë lindjes, çrregullimet në zhvillim, konvulsionet febrile në periudhën e fëmijërisë, aksidentet ose traumat e kafkës, epilepsia në pjesëtarët e tjerë të familjes, sëmundjet të tjera bashkëshoqëruese.
  • Informimi i mjekut lidhur me përdorimin e medikamenteve
  • Alergjitë e mundshme të pacientit
  • Abuzimi me alkoolin dhe drogat
  • Njohja e mjekut me rrethanat e jetesës së pacientit, si dhe me praninë e stresit, gjumit të pamjaftueshëm, etj.

Egzaminimi fizik

Përfshin egzaminimin neurologjik të plotë, që vlerëson reflekset muskulare, forcën muskulare, ecjen, qëndrimin, koordinimin dhe sensin e ekuilibrit. Gjithashtu, mjeku evidenton edhe lëndime të mundshme të pacientit gjatë krizës epileptike (si kafshimi i gjuhës ose faqes).

Egzaminime të tjera mjekësore shtesë

Për më tepër informacion lidhur me egzaminimet mjekësore diagnostike, mund të përdorni lidhjen korresponduese me sëmundjen e kërkuar (faqja kryesore).

Zakonisht, pas një krize të parë konvulsive preferohet të pritet përpara se të rekomandohet trajtim mjekësor. Megjithatë, nëse brenda një viti shfaqen dy kriza epileptike, duhet të merret në konsideratë fillimi i terapisë.

Në konvulsionet rastësore me një shkak të njohur rekomandohet:

  • Trajtimi i shkakut (sëmundjes kryesore), që është në origjinën e epilepsisë
  • Evitimi i faktorëve shpërthyes të njohur, si mungesa e gjumit, abuzimi me alkoolin, ulja e shpejtë e temperaturës tek fëmijët që kanë konvulsione febrile.

Në konvulsionet rastësore pa shkak të njohur rekomandohet:

Fillimi i trajtimit vetëm nëse kriza epileptike është e shpejtë, e ndjekur nga një krizë tjetër. Në përgjithësi, trajtimi është medikamentoz. Vetëm në raste të veçanta, mund të rekomandohet ndërhyrje kirurgjikale (shih më poshtë).

Trajtimi medikamentoz i epilepsisë

Trajtimi medikamentoz i epilepsisë bazohet në përdorimin e medikamenteve antikonvulsante. Falë tyre, pjesa më e madhe e epileptikëve kanë një cilësi të shkëlqyer të jetës, pa kriza. Zgjedhja e antikonvulsantit varet nga tipi i epilepsisë. Përshtatja e dozës është individuale, dhe kryhet nga mjeku sipas rastit. Pas disa vitesh pa kriza, dhe në varësi të rrethanave, mund të merret në konsideratë ndërprerja e mjekimit, gjithmonë sipas këshillës së mjekut. Nëse edhe pas ndërprerjes së mjekimit nuk shfaqet asnjë krizë konvulsive, pacienti konsiderohet i shëruar.

Ndërhyrja kirurgjikale tek epileptikët

Nëse medikamentet antikonvulsive nuk mjaftojnë për trajtimin e epilepsisë, mund të ndihmojë ndërhyrja kirurgjikale, me kusht që krizat epileptike të vijnë nga një zonë e vogël e trurit, pa funksione jetësore.

Masat e përgjithshme

Në rastin e formave të lehta të epilsepsisë, me kriza që shfaqen rrallë, mënyra e shëndetshme e jetesës dhe evitimi i faktorëve shpërthyes mund të mjaftojnë që pacienti të jetojë pa kriza. Këto masa u rekomandohen epileptikëve që janë nën trajtim medikamentoz.

Pas shfaqjes së shenjave të para të një krize të mundshme konvulsive, pacienti mund të provojë disa metoda shpërqendruese, që janë individuale për çdo pacient.

Disa epileptikë përfitojnë nga një regjim i veçantë i quajtur "regjimi ketogjenik", që duhet të ndërmerret vetëm me miratimin e mjekut kurues.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...