logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Lodhja mund të tregojë mungesën e gjumit, stresin, sëmundjet psikike ose organike.
Lodhja mund të tregojë mungesën e gjumit, stresin, sëmundjet psikike ose organike.
Çdo individ ka nevojë për një sasi të caktuar gjumi. Por, studimet kanë treguar se si gjumi i pakët, ashtu edhe ai i tepërt, shoqërohen me lodhje te theksuar trupore dhe me një rritje të vdekshmërisë.

Lodhja është një nevojë fizike ose psiqike e trupit tonë për gjumë dhe për pushim.

Më shpesh, lodhja është një ndjesi krejt normale dhe fiziologjike, që i lejon trupit të ketë sasinë e mjaftueshme të gjumit, me qëllim që të garantojë mekanizmat e rigjenerimit dhe funksionimin e mirë të sistemit tonë imunitar. Gjithsesi, një nevojë e madhe për gjumë ose një lodhje e vazhdueshme mund të jetë rezultat i një stili jetese të papërshtatshëm, me gjumë të pamjaftueshëm ose me stres, madje edhe manifestim i ndonjë sëmundjeje.

Tipet e lodhjes janë:

  • Lodhja e përkohshme: lodhja fizike ose dobësia psiqike kalojnë pas një faze pushimi dhe gjumi. Në përgjithësi, shkaku i kësaj lodhjeje është i njohur (periudha të lodhshme dhe me mbingarkesë fizike dhe/ose psiqike)
  • Sindromat e lodhjes kronike: lodhja është e vazhdueshme, e shpejtë, karakterizohet nga rënia e performancës për aktivitetet e përditshme dhe nuk kalon pas një faze pushimi. Në këtë tip bën pjesë sindroma Burnout.
  • Lodhja jonormale gjatë ditës: shenjë klinike tipike e një çrregullimi të cilësisë së gjumit, qoftë nga paaftësia për të fjetur, për ta vazhduar gjumin, ose edhe nga sindroma e apnesë së gjumit (e karakterizuar nga gërrhitje dhe çrregullime të gjumit gjatë natës).

Në varësi të situatës, lodhja mund të jetë më shumë ose më pak e theksuar. Ajo mund të jetë e ndryshme në persona të ndryshëm: mund të variojë nga një dobësi e përgjithshme, lodhje fizike ose psiqike, mërzitje, mungesë e motivimit ose rënie e përqëndrimit. Gjatë një lodhjeje të shkaktuar nga stresi, pacienti është shpesh viktimë e çrregullimeve të gjumit, dhimbjes së kokës, tensioneve muskulare, i ndjesisë së të ftohtit dhe mungesës së oreksit. Kur lodhja ka në origjinë një kancer, krahas lodhjes pacienti shfaq temperaturë të lartë, rënie në peshë dhe djersitje gjatë natës. Lodhja e shoqëruar me zbehtësi, dhimbje koke dhe palpitacione mund të jetë tregues i një anemie.

Pikërisht për këto arsye, egzaminimi i kujdesshëm mjekësor i lodhjes trupore dhe çrregullimeve shoqëruese të saj është i domosdoshëm në çdo rast që ajo bëhet e vazhdueshme dhe pa shkaqe evidente.

Çrregullimet shoqëruese të mundshme të lodhjes trupore janë: dhimbja e kokës, çrregullimet e gjumit, ulja e oreksit, çrregullimet e përqëndrimit, çrregullimet e tretjes (kapsllëk, diarre), zbehtësia, marrje mendsh, rënia në peshë, djersitja gjatë natës, ethet, vështirësia në frymëmarrje, palpitacionet, ndjeshmëria e lartë ndaj të ftohtit.

Lodhja mund të ketë shkaqe të shumta. Shpesh, në origjinën e saj qëndron një mënyrë jetese jo e shëndetshme, me gjumë të pamjaftueshëm ose me stres. Gjithashtu, ajo mund të jetë edhe manifestim klinik i një sërë sëmundjesh psiqike ose fizike.

Shembuj lodhjesh si pasojë e mënyrës jo të shëndetshme të jetesës:

  • Mungesa e gjumit: me çrregullime të gjumit, gërrhitje të shoqëruara nga çrregullime të frymëshkëmbimit (sindroma e apnesë së gjumit)
  • Mungesa e aktivitetit fizik, veçanërisht në vjeshtë dhe në dimër
  • Dehidratimi i shkaktuar nga konsumi i pamjaftueshëm i lëngjeve
  • Mbipesha trupore
  • Stresi, puna jashtë orarit
  • Zhgënjimi, trishtimi
  • Sindroma premenstruale
  • Mungesa e magneziumit në organizëm

Shembuj lodhjesh të shkaktuara nga sëmundje fizike ose psiqike:

Një stil jetese i shëndetshëm, i bazuar në ushqyerjen e ekuilibruar, aktivitetin e rregullt fizik, evitimin e duhanit dhe alkoolit, gjumin e mjaftueshëm, si dhe alternimin e arsyeshëm të fazave të aktivitetit mendor dhe fizik me faza çlodhëse, mund të parandalojë dhe luftojë fenomenin e lodhjes.

Nëse, gjithsesi, vuani nga lodhja, është thelbësore të dilni nga rrethi i mbyllur i lodhjes, sedentariteti dhe shkaqet trupore, që ulin rendimentin dhe performancën tuaj.

Ja disa këshilla për ata që vuajnë nga lodhja e përgjithshme trupore:

  • Kryeni më tepër aktivitet fizik, por kujdes nga mbingarkesa: rekomandohen shëtitjet në ajër të pastër dhe veprimtaritë sportive të kontrrolluara nga profesionistë
  • Reduktoni stresin, duke praktikuar teknika të tilla si joga, relaksimi progresiv i Jacobson, trajnimi autolog
  • Alternoni banjat e nxehta me ato të ftohta
  • Përmirësoni kontaktet shoqërore
  • Respektoni një program ditor të strukturuar
  • Përmirësoni gjumin

Një lodhje me raste, pas një gjumi të pamjaftueshëm, pas një dite me punë stresante, pas një udhëtimi të gjatë, pas një sforcimi fizik ose psiqik, ose pas një ngjarjeje tronditëse është krejt normale. Në të tilla raste, mjafton gjumi dhe pushimi për të përmirësuar situatën. Gjithsesi, një konsultim me mjekun është i domosdoshëm në rastet e lodhjes që zgjat për disa ditë deri edhe javë, veçanërisht nëse ajo është e pashpjegueshme.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni ?

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me lodhjen: kur është shfaqur fillimisht, shfaqet menjëherë pas zgjimit, përmirësohet apo përkeqësohet gjatë ditës, shoqërohet me çrregullime të gjumit, gërrhitje gjatë natës, nëse vuani nga somnolenca diurne, nëse jeni tip indiferent, i trishtuar oe i dëshpëruar, etj.
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë aksidentet dhe operacionet.
  • Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet vdekjeve në familjen e pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi fizik

Mjeku kryen egzaminimin fizik të përgjithshëm të pacientit, duke matur tensionin arterial dhe pulsin, duke auskultuar me stetoskop zemrën dhe mushkëritë, duke inspektuar lëkurën dhe mukozat (për shenja të dehidratimit, zbehtësisë), si dhe duke palpuar barkun dhe ganglionet limfatike. Gjithashtu, mjeku vlerëson funksionin e sistemit nervor duke kryer testet neurologjike, si dhe vlerëson forcën muskulare në mënyrë që të mund të diagnostikojë një dobësi ose lodhje muskulare.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike

Trajtimi i lodhjes varet gjithmonë nga shkaku i saj. Në plan të parë qëndron trajtimi i sëmundjes kryesore dhe përmirësimi i stilit të jetesës.

Trajtimi i sëmundjes kryesore

Nëse në origjinën e çrregullimeve qëndron një sëmundje e trajtueshme, fillimisht duhet trajtuar kjo e fundit. Për këtë qëllim, mund të përdoren medikamente (psh. gjatë një insufiçience kardiake), mund të nevojitet ndërhyrje kirurgjikale (psh. në rastin e një kanceri), ose psikoterapia (psh. në sindromën e lodhjes profesionale si ajo Burnout).

Përshtatja e mënyrës së jetesës

  • Dalja nga rrethi i mbyllur i lodhjes, nga sedentariteti dhe pasojat psiqike të tij (që ulin performancën fizike), do të ndihmonte në largimin e lodhjes. Këto masa janë efikase edhe për rastet me lodhje nga shkaqe fizike ose psiqike.
  • Përmirësimi i cilësisë së gjumit.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...