logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Lija: një infeksion i rrezikshëm për jetën, shumë ngjitës
Lija: një infeksion i rrezikshëm për jetën, shumë ngjitës

Sëmundja e lisë është një infeksion viral jashtëzakonisht ngjitës dhe tepër i rrezikshëm, që mund të rrezikojë edhe jetën e personit të prekur. Elementet që shfaqen në lëkurë (puçrra të zeza me qelb) janë tipike për këtë sëmundje, edhe pse në fillim të saj simptomat nuk janë karakteristike. Virusi shkaktar i lisë bën pjesë në familjen e ortoviruseve.

Në fakt, egzistojnë dy forma të ndryshme të sëmundjes që janë: lija e vërtetë e rrezikshme, që shkaktohet nga ortovirusi variola, dhe lija e bardhë e parrezikshme që shkaktohet nga ortovirusi alastrim. Në të dy format, të sëmurët e prekur nga lija duhet të izolohen menjëherë. Në rastin e lisë së vërtetë, pacientët vdesin përgjithesisht brenda 48 orëve të para të sëmundjes. Lija e bardhë nuk është krejtësisht e parrezikshme, por ka një ecuri më të lehtë dhe të favorshme për pacientin.

Historia

Lija përfaqëson sëmundjen epidemike më të vjetër tek njeriu. Rastet e para me këtë sëmundje janë konstatuar në vitin 1000 para Krishtit. Deri në vitin 1967, për shkak të ngjitshmërisë tepër të lartë, lija ka shkaktuar epidemi të shumta botërore. Më pas, në sajë të vaksinimit kundër saj, ajo u rrallua. Infeksioni i fundit prej saj u identifikua në Somali dhe në vitin 1980 Organizata Botërore e Shëndetsisë (OBSH) deklaroi që lija ishte zhdukur në mbarë botën. Vaksinimi i parë kundër lisë është kryer në vitin 1802. Në vitin 1874 u deklarua që ai ishte i nevojshëm të kryhej në të gjithë botën, me qëllim që ta parandalonte atë, por vetëm në vitin 1977 filluan vaksinimet e para në masë në Gjermani. Virusi i lisë, ndër të tjera, ka hyrë në histori edhe për faktin se në vitin 1763 është përdorur si armë biologjike kundër indianëve të Amerikës.

 

Viruset e lisë janë viruset më të mëdhenj, të aftë që të shkaktojnë sëmundje tek njeriu. ADN-ja e tyre kodon për membrana proteinike tepër rezistente dhe genomi i tyre përmban rreth 200 gene (virusi i Sidës, HIV-i, përmban vetëm 10 gene). Siç e përmendëm edhe më sipër, egzistojnë dy forma të ndryshme të sëmundjes së lisë: lija e vërtetë e rrezikshme, e shkaktuar nga ortovirusi i lisë, dhe lija e bardhë e parrezikshme, e shkaktuar nga ortovirusi alastrim. Lija e vërtetë, në rast se nuk trajtohet në mënyrë korrekte, mund të shkaktojë hemorragji (gjakderdhje) të rëndë. 

Transmetimi i virusit nga njeriu tek njeriu kryhet nëpërmjet spërklave të pështymës, kur personi i infektuar flet, kollitet ose teshtin, si dhe gjatë thithjes së pluhurave të ndotura me këtë virus. Spërklat e pështymës të lëshuara në ajër mund të shkaktojnë infeksion në një rreze prej 20 metrash. Pikërisht për këtë arsye, në rast infektimi nga lija, i jepet përparësi izolimit të plotë të të sëmurit dhe djegies ose dezinfektimit të sendeve që i përkasin atij, si veshjet, çarçafët, peshqirët, etj.

Periudha e inkubacionit për virusin e lisë (intervali kohor ndërmjet momentit të infektimit dhe shfaqjes së simptomave të para të sëmundjes) zgjat nga 7-19 ditë. Simptomat e saj varen nga forma e virusit që e ka shkaktuar.

Lija e vërtetë karakterizohet nga:

  • Simptoma që fillimisht ngjajnë me ato të një gripi, të tilla si: temperaturë, dhimbje në zonën e veshkave ose të gjymtyrëve, inflamacione të rrugëve të frymëmarrjes dhe kollë e fortë. Në këtë stad janë të dukshme elemente të përkohshme në lëkurë.
  • Përmirësim i shkurtër i simptomave
  • Më pas, formohen puçrrat me ngjyrë të kuqe të zbehtë, që kruhen, fillimisht në fytyrë dhe në kokë, më pas në gjymtyrë.
  • Formimi i lëngut dhe qelbit brenda në puçrra.
  • Në fund, puçrrat me qelb zëvendësohen nga koret. Nëse korja hiqet gjatë kruajtjes, ajo lë shenjë.
  • Temperatura e lartë shoqërohet nga gjendje konfuzioni dhe çorientimi, madje edhe nga haluçinacione (iluzione, vegime).

Lija e bardhë karakterizohet nga:

  • Ecuri më e butë dhe vdekshmëri më e vogël se 1%. Mbijetesa ndaj lisë së bardhë nuk siguron imunitet ndaj lisë së vërtetë.

 

Lija: testi i gjakut dhe zbulimi i antitrupave ndaj virusit shkaktar.
Lija: testi i gjakut dhe zbulimi i antitrupave ndaj virusit shkaktar.

Diagnoza e lisë përcaktohet nga mjeku specialist infeksionist, duke u bazuar në:

  • Simptomat që paraqet pacienti, elementet e pranishme në lëkurë (puçrrat me qelb) dhe temperaturën e lartë.
  • Evidentimin e virusit të lisë në gjak ose në lëngun që gjendet brenda puçrrave.
  • Evidentimin në gjak të antitrupave kundër virusit të lisë.
  • Kryerjen e proçesit të mbjelljes së virusit (kultura)
  • Identifikimin e virusit në gjak nëpërmjet metodës molekulare të PCR-s.
Lija: pacienti duhet të trajtohet në izolim.
Lija: pacienti duhet të trajtohet në izolim.

Trajtimi i lisë konsiston në qëtësimin e simptomave të saj. Kështu, përdoren medikamente për uljen e temperaturës, pakësimin e dhimbjeve, qetësimin e pacientit dhe zëvendësohen lëngjet e humbura.

Masat e përgjithshme

Në çdo rast të diagnostikuar me sëmundjen e lisë, janë të detyrueshme masat e përgjithshme të mëposhtme:

  • Izolimi i plotë i pacientit të infektuar nga lija, i personelit që e trajton dhe i personave që kanë patur kontakt me të (masa e karantinës).
  • Regjimi i detyrueshëm i tij në shtrat
  • Pirja prej pacientit e sasive të mjaftueshme të lëngjeve, si dhe konsumi i ushqimeve të pasura në kalori dhe të lehta për t’u tretur.
  • Dezinfektimi i veshjeve dhe sendeve personale të pacientit të infektuar.

Medikamentet

Trajtimi medikamentoz i lisë konsiston në përdorimin e:

Shfaqja e ndërlikimeve gjatë dhe pas sëmundjes së lisë varet nga forma e saj. Kështu, rreth 30%  e personave të prekur nga lija e vërtetë vdesin, ndërkohë që pjesa më e madhe e të mbijetuarve vuajnë nga ndërlikime të rënda. Në rastin e lisë së bardhë, shkalla e vdekshmërisë arrin deri në 1%.

Prania e puçrrave të zeza me qelb është tregues i një stadi të avancuar dhe të rëndë të lisë së vërtetë. Periudha e inkubacionit të virusit të saj është më e shkurtër, dhe vetëm pas disa ditësh shfaqen hemorragji të rënda mbi lëkurë, në mukoza dhe në organet e brendshme. Në një situatë të tillë, pacienti mund të vdesë brenda 48 orëve të para të sëmundjes. Në të tilla raste, shkalla e vdekshmërisë është pothuajse 100%.

Lija: për të parandaluar përhapjen, pacientët trajtohen në izolim.
Lija: për të parandaluar përhapjen, pacientët trajtohen në izolim.

Në ditët e sotme, pjesa më e madhe e personave me moshë mbi 25 vjeç kanë mbi krahun e tyre të majtë ose të djathtë një shenjë, të shkaktuar nga vaksinimi kundër lisë. Ky vaksinim kryhet përgjithësisht në moshën 2 vjeç dhe përsëritet në moshën 12 vjeç. Tek këta persona, edhe pse aftësia mbrojtëse që siguron vaksina bie me kalimin e kohës, ecuria e sëmundjes është gjithsesi më e favorshme.

Vaksinimi kundër lisë konsiston në injektimin e virusit të gjallë, por të dobësuar. Zona e injektimit të tij skuqet dhe enjtet, pastaj në të formohet një qese ose një puçërr me qelb. Në këtë stad, personi i vaksinuar konsiderohet i infektuar. Nëse zona e vaksinës preket me duar, në disa rrethana mund të shkaktojë një infeksion të rëndë të syve, madje deri edhe verbim. Vaksinat e reja pritet t’i kenë më të buta efektet e padëshiruara të tyre, edhe pse nuk janë ende të testuara mjaftueshëm për t’u përdorur në raste epidemish nga lija. Për shkak të frikës ndaj sulmeve bio-terroriste, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) disponon zyrtarisht vetëm dy laboratorë kërkimorë lidhur me shtamet e virusit të lisë. Ata gjenden në Atlanta (SHBA) dhe Novosibirsk (Rusi).

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.