Infeksionet e dorës (Flegmona, Panariciumi, Paronikia)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Panariciumi: përfaqëson infeksionin purulent (të qelbëzuar) të gishtit. Në varësi të thellësisë së infeksionit, ai prek shtresën e sipërme të lëkurës ose indin dhjamor (kur është abces i thellë). Më rrallë, ai mund të prekë edhe gishtin e madh të këmbës.
Paronikia: përfaqëson infeksionin e thoit ose të shtratit të tij.
Flegmona: Përfaqëson infeksionin e pëllëmbës së dorës ose të këllëfit të tendinit, i cili nëse nuk trajtohet, mund të përhapet në pjesën e sipërme të krahut. Ajo përfaqëson edhe infeksionin e kyçeve të gishtit ose përhapjen e infeksionit deri në nivelin e kockës. Veç kësaj, mund të formohet edhe fistul (komunikim në formë tubi ndërmjet kockës dhe lëkurës).
Trauma më e vogël e lëkurës (si një shpim gjilpëre në fund të gishtit ose një plagosje gjatë prerjes së thonjve) mund të shërbejë si portë hyrjeje për bakteriet. Kjo çon në formimin e një kokrre të qelbëzuar në sipërfaqen e lëkurës, ose në një abces më të thellë (vatër me qelb).
Në rast se një person, për shkak të sëmundjeve të ndryshme, sistemin imunitar e ka paraprakisht të dobësuar, edhe traumat më të vogla në nivelin e gishtave mund t’i provokojnë infeksione të rënda, nëse ato nuk mjekohen menjëherë dhe në mënyrë korrekte. Në këtë drejtim, janë veçanërisht të rrezikuar personat që vuajnë nga sëmundje kronike, të tilla si: diabeti i sheqerit, leuçemia, çrregullimet e qarkullimit të gjakut, mykozat ose SIDA.

Në rastin e infeksioneve të gishtit ose të dorës, pacienti paraqet këto simptoma në zonën ku është lokalizuar infeksioni:
- Dhimbje, enjtje dhe skuqje
- Dhimbja është e vazhdueshme, e tipit pulsues, si dhe ndjesia e nxehtësisë
- Ndjeshmëri ndaj shtypjes dhe goditjeve të lehta.
- Kufizim të lëvizshmërisë.
- Veç këtyre simptomave lokale, pacienti paraqet edhe shenja të përgjithshme të infeksionit, si: ethe, temperaturë dhe gjendje gripale.

Diagnoza e infeksioneve në nivelin e dorës përcaktohet nga mjeku specialist kirurg, duke u bazuar në:
- Informimin e tij lidhur me simptomat e pacientit, si dhe me mundësinë e episodeve traumatike në nivelin e dorës. Shumë shpesh, pacientit as që i kujtohet që të jetë traumatizuar.
- Egzaminimin klinik të zonës së infektuar, nëpërmjet palpimit (prekjes) ose goditjes së lehtë.
- Marrjes së materialit në nivelin e plagës, në mënyrë që të identifikohet mikrobi përgjegjës për infeksionin.
- Kryerjes së radiografisë, në rastet kur dyshohet për prekje të kyçeve ose kockave.

Trajtimi i infeksioneve në niveIin e dorës duhet të fillohet sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe të kryhet në mënyrë korrekte. Kjo është thelbësore, në mënyrë që të parandalohen ndërlikimet e mëvonshme. Ky trajtim konsiston në zbatimin e disa masave të përgjithshme, në përdorimin e medikamenteve dhe në trajtimin me rrugë kirurgjikale. Më poshtë paraqiten të detajuara të gjitha këto mënyra.
Për të parandaluar shfaqjen e infeksioneve të dorës, rekomandohet zbatimi i këtyre masave të përgjithshme:
- Vendosja në qetësi e pjesës së infektuar të trupit
- Nëse qelbi rrjedh në mënyrë spontane (pa u provokuar), është tepër e rëndësishme të respektohet një higjienë maksimale, si psh. të mjekohet plaga e hapur duke përdorur doreza sterile, solucione dezinfekuese dhe fasho sterile.
- Pas ndërrimit të fashos, duhet të lahen duart me kujdes, duke përdorur edhe solucione dezinfektuese. Pas një ose dy ditësh, duhet të konstatohet përmirësim i gjendjes së plagës. Nëse kjo nuk ndodh, duhet që rasti të konsultohet patjetër nga një mjek specialist kirurg.
- Për plagët e vogla, rekomandohet përdorimi i pomadave me bazë mëllage dhe kompresat e ngrohta me çajin e linit, pasi ato mund të nxisin dhe përshpejtojnë rrjedhjen e qelbit.
- Për infeksionet e vogla, mund të aplikohen lavazhe ose banja me kamomil.
Medikamentet
Në pacientët me infeksione të dorës, rekomandohen:
- Antibiotikët, në përshtatje me tipin e mikrobit specifik që identifikohet në analizën e materialit të marrë nga plaga
- Në rastin e dhimbjeve të forta, mund të përdoren qetësues të tyre (antialgjikët).
- Vaksinimi kundër tetanozit: nëse data e vaksinimit është më shumë se 5 vjet më parë, është e detyrueshme përsëritja e tij.
Operacionet
Nëse qelbi nuk rrjedh në mënyrë spontane nga plaga, është e nevojshme hapja e saj me rrugë kirurgjikale. Kjo ndërhyrje kryhet nën efektin e anestezisë lokale ose anestezisë së përgjithshme.Prekja e tendineve ose kyçeve është veçanërisht delikate dhe ka nevojë për trajtim shtesë, nëpërmjet vendosjes së tyre në pozicion të fiksuar. Kështu, pas ndërhyrjes kirurgjikale, gishti ose dora mbahen të mbrojtura me anën e një fashoje ose allçie. Zona e prekur duhet të mbahet në një nivel sa më të lartë të mundshëm. Plagët duhet të lahen dhe fashohen përditë.
Inflamacionet në nivelin e dorës, që trajtohen herët, shërohen përgjithësisht shpejt dhe pa ndërlikime.
Trajtimi i hershëm dhe i përshtatshëm i tyre pengon shfaqjen e pasojave të mëvonshme, si kufizimi i lëvizjeve ose prerja me rrugë kirurgjikale (amputimi) në nivelin e dëmtimit.
Në rastet me prekje të tendineve ose të kockës, ndonjëherë mund të jetë i nevojshëm një operacion i dytë, si psh. në rastin kur tendini ngjitet me këllëfin e tij.