Laringiti spastik (Pseudokrupi)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Laringiti spastik është një sëmundje infektive, gjatë së cilës mukoza e laringut që gjendet poshtë kordave të zërit enjtet, pra bëhet edematoze. Enjtja e kësaj zone dhe shtimi i prodhimit të mukusit shkaktojnë ngushtim të rrugëve të kalimit të ajrit, që është përgjegjës për shfaqjen e vështirësisë në frymëmarrje (dispne). Sëmundja prek kryesisht fëmijët me moshë nën 5 vjeç. Meqenëse nuk ekziston asnjë imunitet kundër laringitit spastik, fëmijët mund të preken prej tij disa herë.
Është mjaft e rëndësishme që të dallohet sëmundja e pseudokrupit (laringiti spastik) nga krupi i vërtetë, i cili i korrespondon një inflamacioni të laringut nga difteria, që mund të rrezikojë jetën e pacientit.
Laringiti spastik (pseudokrupi) shfaqet shpesh pas një infeksioni viral ose fruthit. Rrallë, mund të shërbejnë si shkaktarë infeksionet bakteriale ose faktorët alergjikë. Viruset transmetohen nëpërmjet kollës, teshtitjes, të folurës, por edhe nga objektet e infektuara si shami, lodra apo mbulesa. Faktorët e rrezikut, që mund të rëndojnë sëmundjen janë: ajri i ndotur, tymi i duhanit, stresi, etj.
.
Sëmundja e laringitit spastik fillon shpesh me një rrufë dhe kollë karakteristike, që ngjan me të lehurën e një qeni të vogël. Më pas, ato shoqërohen nga:
- Temperatura
- Ngjirja e zërit
- Vështirësia në gëlltitje
- Prania e fishkëllimave gjatë frymëshkëmbimit (frymëmarrjes dhe frymënxjerrjes), me vështirësi gjatë frymëmarrjes.
- Kriza të bllokimit të menjëhershëm të frymëmarrjes gjatë natës
- Në një stad më të avancuar këto kriza mund të shfaqen edhe gjatë ditës.
Kujdes: Nëse fëmija nuk është më në gjendje të flasë, me temperaturë të lartë prej disa orësh, në gjendje të axhituar, aq sa nuk dëshiron të qëndrojë më shtrirë, mund të bëhet fjalë për një inflamacion të rrezikshëm të laringut. Në këto raste duhet të njoftohet shërbimi i urgjencës mjekësore, për ndihmë të menjëhershme dhe të specializuar.

Për vendosjen e diagnozës së laringitit spastik janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut me simptomat e pacientit, në veçanti me kollën lehëse të tij.
- Në rast se mjeku dyshon për inflamacion të natyrës bakteriale, ai mund të marrë material nga laringu, për të identifikuar mikrobin shkaktar (kultura e laringut).

Në rastet e pranisë së simptomave të laringitit spastik, rekomandohet:
- Ruajtja e qetësisë, sepse ankthi dhe nervozizmi mund të rëndojnë gjendjen e pacientit.
- Ajri i freskët dhe i lagësht ndikon në lehtësimin e enjtjes së mukozës të laringut. Kjo realizohet nëpërmjet vendosjes së pëlhurave të lagura në dhomën e fëmijës, lagështimit të ajrit, lënies hapur të dritareve gjatë natës (edhe në mot të ftohtë), lënia e ujit të rrjedhë nga çezma, etj.
- Të mos përdoren esenca vajore, pasi mund të përkeqësojnë simptomat e pacientit.
- Mund të gëlltiten gllënjka të vogla lëngjesh, si qumështi i ngrohtë, i përzier me pak ujë mineral ose sodë buke.
- Të eleminohen faktorët e rrezikut, si ajri i ndotur, tymi i duhanit, ajri i thatë, etj.
Situatat e urgjencës, me shenja ta tilla si: lëkurë e zbehtë, bllokim i fortë dhe i menjëhershëm i frymëmarrjes, rrahje të shpejta dhe të forta të zemrës (palpitacione), kërkojnë konsultën e menjëhershme me një mjek ose transportimin e menjëhershëm të fëmijës në spital.
Medikamentet
Në rastin e laringitit spastik, përveç masave të përshkruara më sipër, është i nevojshëm edhe përdorimi i:
- Medikamenteve me përmbajtje kortizoni, në formën e suposteve, që njëkohësisht luftojnë inflamacionin, ulin edemën (enjtjen e pjesës së brendshme të laringut) dhe qetësojnë dhimbjet.
- Medikamenteve që hollojnë mukusin (sekrecionet)
- Antibiotikëve, në rastin e infeksioneve bakteriale.
Nëse edhe pas zbatimit të mënyrave të mësipërme, përfshi edhe përdorimin e medikamenteve, kolla nuk qetësohet, por përkundrazi rëndohet, duhet të njoftohet menjëherë mjeku. Në raste tepër të rënda, me bllokim të frymëmarrjes, është i domosdoshëm përdorimi i oksigjenit, në kushte shtëpie ose spitali.
Disa raste me laringit spastik mund të ndërlikohen me infeksione të veshit të mesëm, të trakesë ose infeksione të mushkërive.