Osteomieliti (Inflamacioni i palcës së kockave)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Osteomieliti përfaqëson inflamacionin e palcës së kockave dhe strukturave kockore përreth saj.
Njihen dy forma të osteomielitit: forma endogjene (e brendshme ose hematogjene) dhe ajo ekzogjene (e jashtme).
Gjithashtu, ai shfaqet në formën e tij akute (të menjëhershme) dhe atë kronike (të përsëritur). Format kronike janë përgjithësisht rezistente ndaj mjekimit dhe mund të rishfaqen për vite me radhë.
- Forma endogjene e ka origjinën brenda organizmit, pikërisht nga mikrobet shkaktare të sëmundjeve egzistuese, si inflamacionet e bajameve (angina), inflamacionet e sinuseve nazale (sinuziti) dhe inflamacionet e dhëmbëve ose të lëkurës. Këto mikrobe përhapen nëpërmjet enëve të gjakut dhe arrijnë deri në nivelin e palcës së kockave. Kjo formë e osteomielitit prek veçanërisht fëmijët dhe adoleshentët.
- Forma ekzogjene e ka origjinën jashtë organizmit, pikërisht tek mikrobet që depërtojnë në organizëm gjatë traumave, aksidenteve ose ndërhyrjeve kirurgjikale, duke prekur fillimisht kockën. Nga kocka mikrobet përhapen në organizëm. Kjo formë e osteomileitit prek kryesisht të rriturit.
Shkaqet e osteomielitit janë specifike, sipas formës së shfaqjes së tij.
Faktorët e rrezikut që favorizojnë shfaqjen e osteomielitit endogjen janë:
- Çrregullimet e qarkullimit të gjakut, të shkaktuara nga diabeti i sheqerit ose arterioskleroza.
- Inflamacionet ekzistuese (të njohura), abceset (vatra me qelb) dhe përhapja e mikrobeve drejt palcës kockore përmes enëve të gjakut.
- Infeksioni i kordonit të kërthizës tek foshnjat, që rrezikon për septicemi.
- Dobësimi i sistemit imunitar tek fëmijët, personat e kequshqyer, ata me sëmundje kronike ose të moshuarit.
- Faktori shpërthyes tek fëmijët konsiderohet mbyllja e vijës epifizare (zona e rritjes).
Faktorët e rrezikut që favorizojnë shfaqjen e osteomielitit ekzogjen janë:
- Aksidentet e ndryshme, që shoqërohen me dëmtime të kockave.
- Ndërhyrjet kirurgjikale, që shkaktojnë dëmtime të kockave.
- Plagët që shërohen me vështirësi, si psh. fraktura e nofullës ose abcesi i rrënjës së dhëmballës.

Simptomat e shfaqura tek personat me osteomielit ndryshojnë sipas formës së tij klinike. Ato janë të ndryshme në formën akute dhe në atë kronike.
Forma endogjene akute karakterizohet nga:
- Temperatura e lartë trupore, e shoqëruar me ethe
- Dobësi e përgjithshme trupore
- Dhimbje të kyçeve, edhe në qetësi (palëvizshmëri)
- Skuqje dhe nxehtësi të kockës.
- Enjtje dhe kufizim i funksionit të saj
- Formimi i abcesit (vatër e mbushur me qelb) në afërsi të palcës kockore, që rrit shkallën e rrezikut për thyerje spontane të kockave (pa trauma reale).
Forma endogjene kronike karakterizohet nga:
- Simptoma të ngjashme me ato të formës akute, por gjendja gripale është më e shprehur dhe dhimbjet më të zgjatura.
- Formimi i fistulave, nga të cilat rrjedh qelb.
Forma ekzogjene akute karakterizohet nga:
- Dhimbje, ethe, gjendje e rëndë gripale, menjëherë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale (shenjë e septicemisë).
- Skuqje, enjtje dhe nxehje në nivelin e zonës së prekur.
Forma kronike
- Forma kronike e osteomielitit karakterizohet nga një alternim ndërmjet periudhave të qeta, pa shqetësime (simptoma) dhe periudhave me dhimbje. Këto të fundit shoqërohen nga një ndjesi inflamacioni (shih formën akute). Mund të formohen gjithashtu edhe fistula që rrjedhin qelb.

Diagnoza e osteomielitt vendoset nga mjeku kirurg ose ortoped, duke u bazuar në:
- Njohjen me simptomat e pacientit dhe marrjen e të dhënave të detajuara rreth aksidenteve ose ndërhyrjeve kirurgjikale të mundshme në të kaluarën.
- Analizat e gjakut për të konfirmuar praninë e sindromit inflamator, i cili nuk është shumë i shprehur në formën kronike.
- Marrja e materialit në vendin e plagës (kur është plagë e hapur) ose punksioni (tërheqja e materialit me anën e shiringës), për identifikimin e mikrobit shkaktar.
- Ekografia ose skaneri
- Radiografitë që tregojnë fistula të mundshme ose fraktura spontane të kockave të prekura.

Në çdo rast me osteomielit:
- Fëmijët dhe foshnjat duhet të trajtohen në mënyrë të menjëheshme nga mjeku. Zona e prekur duhet të vendoset menjëherë në gjendje qetësie (palëvizshmërie).
- Nëse nuk ka plagë të hapur, mund të përdoret akull dhe pomada freskuese, që ndihmojnë në uljen e enjtjes nga inflamacioni.
- Inflamacionet që shfaqen pas aksidenteve ose ndërhyrjeve kirurgjikale, duhet të trajtohen mënjëherë nga mjeku specialist.
Medikamentet
Në pacientët me osteomielit, mund të jenë të nevojshme:
- Trajtimet me antibiotikë, në formën e injeksioneve ose tabletave, janë efikase vetëm në formën endogjene (të brendshme) të sëmundjes.
- Përdoren edhe medikamente për qetësimin e dhimbjeve (antialgjikë) dhe që luftojnë inflamacionin (anti-inflamatorë).
Operacionet
Ndërhyrja kirurgjikale përdoret përgjithësisht në formën ekzogjene (të jashtme) të osteomielitit dhe konsiston në heqjen e indit të qelbëzuar dhe/ose të nekrotizuar (të vdekur). Mund të jetë i nevojshëm edhe përdorimi lokalisht i antibiotikëve me kompresa.
Si mjekim shtesë, mund të përdoren edhe antibiotikë në formën e tabletave ose injeksioneve.
Shërimi i osteomielitit është i mundur vetëm në rast se trajtohet herët dhe në mënyrë korrekte.
Nëse trajtimi i tij kryhet në stade të avancuara dhe në mënyrë të pamjaftueshme, forma akute mund të bëhet kronike (e përsëritur). Kështu, krizat inflamatore mund të përsëriten për vite me radhë.
Tek fëmijët, mund të shoqërohet me çrregullime të lidhura me proçesin e rritjes. Tek foshnjat mund të shfaqen inflamacione akute (të menjëhershme) të kyçeve. Pikërisht për këto arsye, është e domosdoshme që trajtimi i osteomielitit të fillohet sa më herët që të jetë e mundur.
Në rastet e rënda, kur janë prekur kyçet, mund të jetë e nevojshme edhe prerja (heqja) me rrugë kirurgjikale e pjesës së dëmtuar.

Në mënyrë që të mund të parandalohet shfaqja e osteomielitit, rekomandohet respektimi i disa masave, që paraqiten si më poshtë:
- Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, janë të nevojshme masat e forta higjienike dhe përdorimi i antibiotikëve me qëllim parandalues të infeksioneve.
- Personat e rritur, që vuajnë nga sëmundje të enëve të gjakut, nuk duhet të pijnë duhan.
- Tek personat e diagnostikuar me diabet të sheqerit të tipit 2, duhet të mbahet i stabilizuar niveli i sheqerit në gjak.
- Forcimi i sistemit imunitar, nëpërmjet kryerjes së aktivitetit fizik të rregullt dhe të mjaftueshëm, si dhe respektimit të një mënyre të shëndetshme të ushqyerjes.