Ethja hemorragjike Ebola (Ethja e Marburg)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Ethja Ebola është një sëmundje tropikale ekstremisht ngjtëse e shkaktuar nga virusi Ebola. Simptomat kryesore të sëmundjes janë ethet dhe hemorragjitë, dhe për këtë arsye ajo bën pjesë në sëmundjet hemorragjike. Në shumicën e rasteve sëmundja çon në vdekjen e pacientit.
Kjo sëmundje është shfaqur për herë të parë në vitin 1976 në afërsi të lumit Ebola (në Afrikë, në Republikën Demokratike të Kongos, Zaire e dikurshme). Që atëherë, sëmundja është rishfaqur në vende të ndryshme afrikane, në formën e epidemive të vogla.
Virusi Ebola transmetohet nga njeriu tek njeriu. Deri më sot, ende nuk njihet vektori (bartësi) i vërtetë i virusit. Majmunët dhe kafshët e tjera strehuese marrin pjesë në përhapjen e tij. Personat e infektuar, por të shëndetshëm, gjithashtu konsiderohen të dyshimtë për transmetimin e sëmundjes. Ethja hemorragjike Ebola është sëmundje që kërkon deklarim të detyrueshëm.
Prej vitesh shkencëtarët kanë investuar shumë në zhvillimin e një vaksine kundër Ebolës. Sipas OBSH, vaksina e parë e konsideruar efikase dhe e testuar klinikisht ka qenë e disponueshme që nga fundi i vitit 2016. Pritet miratimi i saj së shpejti.

Ekzistojnë katër lloje të virusit Ebola:
- Ebola-Zaire
- Ebola-Sudani
- Ebola-Bregu i Fildishtë
- Ebola-Reston: prek vetëm majmunët.
Virusi Marburg, që është i ngjashëm me virusin Ebola, fillimisht u shfaq në qytetin gjerman të Marburgut, ku punonjësit e laboratorit u infektuan nga majmunët e importuar. Kjo formë konsiderohet më pak e rrezikshme sesa ethet Ebola.
Transmetimi
Vektori (bartësi) i vërtetë i virusit mbetet i panjohur. Kryesisht lakuriqët e natës akuzohen si transmetues të sëmundjes.
Transmetimi nga njeriu tek njeriu mund të ndodhë:
- Përmes kontaktit të afërt fizik, marrëdhënieve seksuale
- Nga kontakti me lëngjet e trupit: pështyma, gjaku, urina, feçet, të vjellat (rrezik për infermierët dhe personat përreth)
- Transmetimi nëpërmjet spërklave që lëshohen gjatë kollitjes ose teshtitjes, siç ndodh në rastin e virusit të ftohjes ose gripit, është konsideruar i pamundur.
Periudha e inkubacionit (koha ndërmjet infektimit dhe shfaqjes së simptomave të sëmundjes) zgjat nga 2-21 ditë.
Në fillim të sëmundjes, shenjat janë relativisht jo specifike:
- Ethe, të dridhura
- Dhimbje koke
- Dhimbje të muskujve
- Dhimbje të mesit
- Diarre, të vjella
- Ndonjëherë vështirësi në gëlltitje
Çrregullimet e koagulimit të gjakut të shkaktuara nga virusi shpejt provokojnë hemorragji: diarre me gjak, të vjella me gjak, gjakderdhje në nivelin e indit lidhor dhe mukozave, gjakderdhje të dukshme në lëkurë.
Në raste të rënda, pacienti kalon në gjendje shoku, që përfshin humbjen e funksionit të veshkave (insufiçiencën renale), si dhe organeve të tjera jetësore. Pacientët shpesh vdesin 6-9 ditë pas shfaqjes së simptomave të para. Shkalla e vdekshmërisë është rreth 50-90%.
Rastet në të cilat pacientët nuk tregojnë shenja serioze të sëmundjes janë shumë të rralla.

Për shkak të rrezikut të madh të infektimit, diagnoza biologjike mund të realizohet vetëm në laboratorë të sigurisë së veçantë. Agjentët patogjenë mund të identifikohen në gjak dhe në inde në sajë të proçedurave mikroskopike specifike. Antitrupat e drejtuar kundër virusit mund të zbulohen në gjak.

Nuk ka asnjë trajtim specifik kundër virusit Ebola, por mund të trajtohen simptomat e tij. Në radhë të parë duhet të parandalohet hemoragjia.
Për këtë qëllim, pacienti i nënshtrohet transfuzionit të gjakut dhe faktorëve të koagulimit. Humbja e madhe e lëngjeve kompensohet me marrje të lëngjeve, nga goja nëse është e mundur. Trajtimi ka për qëllim ruajtjen e funksioneve të organeve jetësore, në veçanti të funksionit të veshkave.
Kohët e fundit, administrimi i antitrupave ka rezultuar efikas në disa pacientë.
Medikamentet
Tek personat e infektuar nga virusi Ebola përdoren:
- Medikamente analgjezike (qetësuese)
- Antibiotikë, në rast të infeksioneve bakteriale bashkëshoqëruese
Në kuadrin e mbështetjes së pacientit, përparësia kryesore është mbrojtja nga infektimi e njerëzve të afërt dhe stafit mjekësor.

Nuk ka vaksinë kundër ethes hemorragjike Ebola.
Meqenëse nuk dihet se ku mbijeton virusi në periudhat ndërmjet epidemive, është e vështirë të jepen këshilla parandaluese. Në të gjitha rastet, mbrojtja e anëtarëve të familjes dhe e infermierëve ose kujdestarëve është përparësia kryesore kur ndodh një infektim nga ky virus.
Masa të përgjithshme parandaluese
- Respektimi i rregullave të higjienës personale dhe të ushqimit
- Mbrojtja kundër mushkonjave: me insecticide, rrjeta kundër mushkonjave, veshje të rrobave të gjata, etj.
- Shmangia e udhëtimeve në zonat ku ethja Ebola është endemike
- Shmangia e kontaktit të afërt fizik me banorët vendas në zonat e infektuara nga Ebola
Rreziku i infektimit është mjaft i vogël për udhëtarët, pasi zonat ku virusi Ebola është mbizotërues nuk vizitohen shpesh nga turistët. Megjithatë, nëse simptomat ndodhin pas udhëtimit në një zonë tropikale, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.