logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Dhimbja e kyçeve mund të ketë shkaqe inflamatore, degjenerative ose të lidhura me dëmtime.
Dhimbja e kyçeve mund të ketë shkaqe inflamatore, degjenerative ose të lidhura me dëmtime.
Dhimbjet artikulare (të kyçeve) mund të shfaqen vetëm në njërin kyç ose në disa kyçe njëherësh, të jenë simterike ose asimetrike. Dhimbjet e kyçeve të shkaktuara nga artroza janë më të forta në mëngjes dhe pakësohen pas lëvizjeve.

Dhimbjet e kyçeve mund të prekin një kyç ose disa kyçe njëkohësisht. Në varësi të shkakut të tyre, ato përkeqësohen ose qetësohen gjatë pushimit ose gjatë lëvizjeve. Këto dhimbje mund të jenë të menjëhershme dhe kalimtare ose të manifestohen herë pas here, pra të jenë kronike.

Dhimbjet e kyçeve mund të jenë të disa formave:

  • Dhimbje në pushim/dhimbjet e natës: manifestohen në gjendjen e qetësisë dhe shpesh gjatë natës. Ato janë dhimbje tipike të sëmundjeve artikulare inflamatore (artriti).
  • Dhimbjet nga të ftohtit: manifestohen gjatë ekspozimit në të ftohtë, gjatë lëvizjeve të para pasi ngrihemi nga shtrati. Ato janë tipike të sëmundjeve degjenerative të kyçeve (artroza ).
  • Dhimbjet në efort: kyçi është i dhimbshëm në lëvizje. Dhimbjet zhduken në pushim dhe janë tipikisht të pranishme gjatë lëndimeve ose sëmundjeve inflamatore ose degjenerative të kyçeve.

Shenjat klinike të një inflamacioni të kyçeve (artritit) janë: dhimbjet, skuqja, enjtja dhe nxehtësia lokale. Më shpesh lëvizja është e kufizuar, madje kyçi mund të mos lëvizet dot fare.

Çrregullimet shoqëruese janë: enjtja, skuqja, nxehtësia, ngurtësimi mëngjezor , lëvizshmëria e kufizuar.

Shkaqet e dhimbjeve të kyçeve janë të shumta. Më shpesh, dhimbjet shfaqen pas lëndimeve të papritura, gjatë qëndrimit pa lëvizur të kyçit pas dëmtimeve të ligamenteve ose pas keqtrajtimit të tyre. Gjithashtu, me dhimbje kyçesh manifestohen shpesh edhe sëmundje të ndryshme, si mbipesha trupore.

Sëmundjet inflamatore të kyçeve, që shkaktojnë dhimbje të tyre janë:

  • Artriti (reumatizma inflamatore)
  • Degjenerimi i lidhur me moshën (artroza ose reumatizma degjenerative)
  • Sëmundjet metabolike (si psh. guta)

Sëmundje të tjera, që mund të shoqërohen me dhimbje kyçesh, janë : infeksionet virale, psoriaza, osteoporoza dhe shumë të tjera.

Sëmundjet degjenerative të kyçeve (të lidhura me moshën), që manifestohen me dhimbje kyçesh janë:

  • Artroza
  • Gishti si kthetër, gishti si çekan

Sëmundjet inflamatore të kyçeve, që manifestohen me dhimbje të tyre, janë:

  • Artriti
  • Artriti reumatoid, poliartriti kronik
  • Sëmundja Bekterev (Spondiloartriti ankilozant)
  • Inflamacioni i artikulacionit të shpatullës, periartriti skapulo-humeral

Sëmundje të tjera që manifestohen me dhimbje të kyçeve janë:

  • Sëmundjet e ganglioneve nervore
  • Fibromialgjia
  • Guta, hiperuricemia
  • Osteoporoza
  • Infeksionet virale, si gjendjet gripale, fruthi, rubeola, varicela, lupusi
  • Sarkoidoza
  • Sëmundja Sudek
  • Borrelioza, Sëmundja e Lyme
  • Psoriaza
  • Hemokromatoza
  • Osteomieliti
  • Fraktura e dorës, radiusit ose parakrahut
  • Sëmundjet e rotulës, kondropatia rotuliene
  • Këputja e ligamenteve të kryqëzuara, këputja e ligamentit të kryqëzuar anterior
  • Dëmtimet e meniskut, lëndimet e meniskut, çarja e meniskut
  • Fraktura e qafës së femurit
  • Këputja e ligamentit të kaviljes
  • Luksacioni i shpatullës

Egzistojnë shumë metoda për parandalimin dhe lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve. Kur sëmundjet që shkaktojnë dhimbjet e kyçeve egzistojnë, duhet të respektohen këshillat dhe trajtimi i përshkruar nga mjeku. Disa këshilla të përgjithshme për dhimbjet e kyçeve:

  • Aktivitet sportiv i rregullt, duke praktikuar psh. notin, çiklizmin, ecjen, etj.
  • Forcimi i muskujve, duke mbrojtur në këtë mënyrë kyçet.
  • Parandalimi i lëndimeve gjatë sportit, nëpërmjet një ekipi të mirë, nxehjes paraprake, stërvitjes në mënyrë korrekte.
  • Normalizimi i peshës trupore në rastet me mbipeshë.
  • Ushqyerja e shëndetshme: e pasur në vitamina, e varfër në yndyrna, që u jep jetëgjatësi më të madhe kërceve të kyçeve.
  • Evitimi i alkoolit dhe nikotinës: alkooli mund të shkaktojë gutën, cigarja është një faktor rreziku për artrozën.
  • Korrigjoni sa më parë defektet e vendosjes së kyçeve (si psh.pozicioni i pjerrët i legenit ) nëpërmjet fizioterapisë ose teknikave ortopedike (thembrat korrektuese).
  • Aplikoni banja me kripë deti në rastin e reumatizmës.
  • Aplikoni nxehtësi (psh.nëpërmet llampës infra të kuqe) në rastet e dhimbjeve kronike të kyçeve.
  • Aplikoni të ftohtën për të pakësuar dhimbjet gjatë inflamacioneve akute
  • Aplikoni kremra, sprai dhe xhel me efekt analgjezik (qetësues për dhimbjet)
  • Përdorni në mënyrë të kufizuar medikamentet analgjezike, vetëm gjatë dhimbjeve të forta. Gjithashtu, kujdes duhet të tregoni edhe me përdorimin e medikamenteve të tjera (kundër reumatizmës), që bëjnë pjesë në skemën e trajtimit të dhimbjeve.
  • Aplikoni bandat rrethore të nxehta, që favorizojnë qarkullimin e gjakut (mos i aplikoni në rast inflamacioni!)
  • Preparatet me bazë bimore, si psh. nga gjethet e hithrës mund të përdoren në rastin e dhimbjeve të kyçeve, me përjashtim të dhimbjeve akute.

Çdo dhimbje kyçesh, që shfaqet për herë të parë dhe zgjat më tepër se dy javë, ose që bëhet kronike, duhet të egzaminohet patjetër nga mjeku. Sëmundjet e patrajtuara të kyçeve mund të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme, deri në deformime të tyre.

Rekomandohet konsulta me mjekun kur:

  • dhimbjet e kyçeve shfaqen pas një lëndimi
  • manifestohen shenjat klinike të një inflamacioni: skuqja, enjtja, nxehtësia, lëvizshmëria e kufizuar
  • dhimbje e kyçeve dhe kyçe të enjtura
  • dhimbjet e kyçeve shoqërohen nga temperatura e lartë, dobësia e përgjithshme trupore, dhimbjet e forta të kokës, dhe çrregullime të tjera
  • dhimbjet shfaqen në pushim, ose ngurtësimi mëngjezor (ngrirja e kyçit) vazhdon për më shumë se 1 orë
  • manifestohet lëvizshmëri e kufizuar ose një ndjesi paqëndrueshmërie
  • dhimbjet e kyçeve vazhdojnë ose përkeqësohen edhe pas mjekimit.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Mjeku i familjes
  • Mjeku ortoped
  • Mjeku reumatolog
  • Mjeku internist
  • Mjeku specialist i mjekësisë sportive

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me dhimbjet e kyçeve: kur janë shfaqur për herë të parë, rrethanat e shfaqjes, cilat kyçe janë prekur, natyra e dhimbjeve (dhimbje në pushim/gjatë natës/të lidhura me lëvizjen, me të ftohtin, etj.). Natyra e dhimbjes e orienton mjekun për të përcaktuar shkakun e saj. Kështu:
    • Dhimbjet në pushim ose gjatë natës, që lehtësohen gjatë aplikimit të proçedurave të ftohta, janë shenjë e inflamacionit.
    • Dhimbjet e lidhura me lëvizjen, që lehtësohen pas aplikimit të nxehtësisë, janë tipike për artrozën.
    • Ngurtësimi mëngjezor i kyçit, që vazhdon për më tepër se 1 orë, është tipik për reumatizmën (poliartriti reumatoid).
    • Ngurtësimi mëngjezor, që zgjat vetëm disa minuta, është më tepër shenjë e artrozës.
    • Dhimbjet e kyçeve që manifestohen pas vaktit ose pas konsumit të alkoolit, mund të jenë shenjë e gutës.
    • Nëse dhimbjet e kyçeve janë paraprirë nga temperatura e lartë, duhet përjashtuar mundësia e një infeksioni bakterial të kyçit.
  • Informimi i mjekut me sëmundje aktuale ose të mëparshme, përfshirë plagosje, trauma, aksidente apo operacione të mëparshme.
  • Informimi mbi sëmundje apo shkaqe të rëndësishme vdekjesh në familjen e pacientit, veçanërisht lidhur me reumatizmën ose sëmundjet metabolike.
  • Informimi mbi sforcimet e mundshme të kyçeve në jetën profesionale ose gjatë një aktiviteti fizik (në të kaluarën)
  • Njohja me mënyrën e ushqyerjes dhe aktivitetin sportiv të pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e medikamenteve të ndryshme nga ana e pacientit
  • Informimi mbi alergji të mundshme
  • Informimi mbi konsumin e stimulantëve ose të substancave që shkaktojnë varësi (alkooli, nikotina, drogat).

Egzaminimi fizik

Që në fillim, mjeku egzaminon artikulacionet e dhimbshme. Gjithashtu, ai vlerëson çdo ndryshim të lëkurës, mukozave dhe syve, që mund të sugjerojnë për një sëmundje të përgjithshme, që mund të shoqërohet me dhimbje kyçesh.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike:

  • Bilanci i gjakut: psh. acidi urik, treguesit e inflamacionit, faktorët reumatoidë
  • Radiografia e kyçeve
  • Skaneri, rezonanca magnetike
  • Artroskopia
  • Punksioni artikular, që realizon nxjerrjen e likidit nga artikulacioni.

Më tepër informacion lidhur me egzaminimet mjekësore diagnostike mund të gjeni në informacionin e përgjithshëm të sëmundjeve përkatëse.

Trajtimi mjekësor i dhimbjeve të kyçeve varet nga shkaku i dhimbjeve, si dhe nga shkalla e çrregullimeve. Ja disa shembuj:

Masa të përgjithshme

  • Normalizoni peshën trupore, nëse jeni mbipeshë
  • Në rastet e lëndimeve të parëndësishme (psh.shembjeve), vendoseni kyçin në pushim absolut të përkohshëm, aplikoni të ftohta ose kremra analgjezikë në të.
  • Nëse keni hiperuricemi (guta), ndryshoni mënyrën e ushqyerjes: kufizoni konsumin e mishit, evitoni alkoolin dhe kafenë, që trupi të mos grumbullojë shumë acide
  • Shihni gjithashtu rubrikën "Si të veproni?"
Trajtimi medikamentoz përfshin:
  • Medikamentet analgjezike
  • Medikamentet antiinflamatore
  • Medikamentet antireumatizmale (në rastet me reumatizëm )
  • Injeksionet ose banjat e kyçit
  • Antibiotikët për infeksionet bakteriale
  • Medikamentet kundër gutës

Ndërhyrja kirurgjikale (operacioni)

Operacionet në artikulacione mund të jenë të nevojshme gjatë një plagosjeje ose një artroze të rëndë. Në rastet kur është e mundur, ato realizohen përmes një artroskopi. Në rast të kundërt, bëhet heqja e pjesshme ose e plotë e artikulacionit dhe zëvendësimi i tij me një artikulacion artificial (protezë e brendshme). Gjithashtu, mund të transplantohen edhe kartilagot (kërcet).

Alternativa të tjera jomjekësore të trajtimit

  • Fizioterapia/ kinezoterapia
  • Terapia me të ftohtë/të nxehtë
  • Elektroterapia
  • Masazhet
  • Akupunktura
  • Ergoterapia
  • Banjat termale me qëllim mjekësor
  • Mënyra ortopedike

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...