logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Ngjirja e zërit është zakonisht simptomë e pezmatimit të kordave vokale.
Ngjirja e zërit është zakonisht simptomë e pezmatimit të kordave vokale.
Zëri i njeriut prodhohet nga dridhja e kordave të zërit në laring, më pas nga ndryshimi i këtyre tingujve parësorë në fyt dhe në gojë. Ngjirja është një çrregullim i zërit, që shfaqet kur kordat e zërit nuk funksionojnë normalisht.

Gjatë ngjirjes së zërit, zëri bëhet "i dobët" dhe i ndryshon timbri. E folura bëhet gjithnjë e më e vështirë, madje zëri mund edhe të mungojë plotësisht. Shpesh shfaqen edhe çrregullime të tjera, si tharja e fytit, dhimbja e fytit, ndjesia e enjtjes së laringut, ndjesia e pengesës (trupit të huaj) që provokon çjerrje të fytit ose kollë.

Ngjirja e zërit shoqërohet shpesh edhe me dispne (vështirësi në frymëmarrje) gjatë reaksioneve alergjike: në të tilla raste bëhet fjalë për stiuatë urgjence absolute, që ka nevojë për trajtim mjekësor të menjëhershëm.

Çrregullimet shoqëruese të ngjirjes së zërit janë: ethet, dhimbja e fytit, fyti i tharë dhe i irrituar, ndjesia e vazhdueshme e trupit të huaj në grykë, nyjet limfatike të zmadhuara, kolla, rrufa, dispnea, vështirësia për t’u gëlltitur, dobësia e përgjithshme trupore.

Shkaqet më të shpeshta të ngjirjes së zërit janë laringitet virale ose bakteriale, të shkaktuara nga një ftohje ose një grip. Gjithashtu, përdorimi i tepruar i zërit ose irritimi kronik i mukozave nga duhani favorizojnë ngjirjen e zërit. Përveç këtyre, egzistojnë edhe shumë shkaqe të tjera për këtë simptomë.

Shkaqet e ngjirjes së zërit:

  • Ftohja
  • Gripi
  • Laringiti
  • Epiglotiti
  • Bronkiti akut
  • BPKO (bronkopneumopatia obstruktive kronike )
  • Laringo-trakeo-bronkiti
  • Difteria
  • Tuberkulozi
  • Refluksi gastro-ezofageal
  • Zmadhimi i gjendrës tiroide (gusha )
  • Hipotireoza (funksioni i ulur i gjendrës tiroide)
  • Hipertireoza (funksioni i shtuar i gjendrës tiroide )
  • Alergjia
  • Astma alergjike
  • Dëmtimet beninje të kordave të zërit: noduset, polipet, papilomat nga infeksioni viral me papilomavirus
  • Kanceri i laringut
  • Dëmtimi/paraliza e nervave të kordave të zërit (gjatë operacioneve të gjendrës tiroide, pas intubimit/anestezisë)
  • Ngjirja e zërit psikosomatike gjatë nervozizmit, stresit, gjendjeve të ankthit
  • Efektet e padëshiruara të medikamenteve
  • Thithja e substancave helmuese
  • Laringiti kronik nga tymi i duhanit
  • Apnea obstruktive e gjumit
  • Sinuziti kronik
  • Përdorimi i tepruar i zërit për shkak të profesionit (mësues, këngëtar).

Një ngjirje zëri për shkak të një gripi apo përdorimit të tepruar të zërit mund të përmirësohet lehtësisht ose të parandalohet në sajë të metodave të mëposhtme:

  • Menaxhoni zërin: nëse është e mundur flisni pak dhe butë, pa bërtitur (mos pëshpërisni, pasi kordat lodhen më shumë sesa gjatë të folurit normal).
  • Konsumoni lëngje (psh. çaj) në sasi të mjaftueshme, mundësisht me gllënjka të vogla për të hidratuar mirë kordat e zërit.
  • Mbroni qafën nga i ftohti, ruajeni mirë nga i nxehti.
  • Përdorni sprai ose tableta për lagështimin e fytit dhe favorizimin e prodhimit të pështymës.
  • Evitoni duhanpirjen dhe qëndrimin në mjedise me duhanpirës.
  • Kufizoni konsumin e alkoolit.
  • Evitoni ajrin e thatë (sidomos në dimër) dhe preferoni ajrin e lagësht.
  • Trajnoni zërin nëse ushtroni profesione ku zëri nevojitet në mënyrë të vazhdueshme.

Nëse ngjirja e zërit zgjat për më tepër se 3 javë ose nëse shkaku i saj mbetet i paqartë, duhet të konsultoheni me mjekun.

Situatat e mëposhtme kanë nevojë për ndihmë mjekësore urgjente:

Ngjirja e zërit është e papritur dhe shoqërohet me:

  • dispne (urgjencë mjekësore!): mund të bëhet fjalë për një reaksion alergjik
  • temperaturë shumë të lartë
  • dhimbje fyti të fortë dhe/ose çrregullime të gëlltitjes

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
  • Mjeku ORL

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me ngjirjen e zërit: kur është shfaqur fillimisht, nëse është episodi i parë apo i përsëritur, përkeqësohet në mënyrë të menjëhershme apo graduale, faktorët shpërthyes, etj.
  • Njohja me çrregullimet shoqëruese (veçanërisht dhimbja e fytit, çrregullimet e gëlltitjes, dispnea, kolla, ethet, etj.)
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, veçanërisht të rrugëve të frymëshkëmbimit, të gjendrës tiroide, refluksi gastro-ezofageal, ndërhyrje kirurgjikale në grykë, etj.
  • Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e  vdekjeve në familjen e pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit, veçanërisht mbi përdorimin e tepruar të zërit, kontaktin me tymra helmues.
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, duhani, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi fizik

Mjeku kryen egzaminimin e fytit dhe faringut të pacientit, inspekton nyjet limfatike nëse janë të zmadhuara duke palpuar qafën, kërkon për ndryshime të mundshme të gjendrës tiroide dhe auskulton zemrën dhe mushkëritë.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike

Për më tepër informacion lidhur me egzaminimet mjekësore diagnostike, mund të përdorni lidhjen korresponduese me sëmundjen e kërkuar (faqja kryesore).

Trajtimi i ngjirjes së zërit varet nga shkaku dhe konsiston në masat e përgjithshme, përdorimin e medikamenteve dhe ndërhyrjen kirurgjikale.

Ja disa shembuj trajtimi të ngjirjes së zërit:

  • Ngjirja e zërit në terren të një rrufe banale zhduket më shpesh spontanisht brenda disa ditëve. Masat e përgjithshme (shih rubrikën "Si duhet të veproni?" ndihmojnë në shërimin e shpejtë të saj.
  • Për faringitin, janë efikase medikamentet anti-inflamatore dhe holluesit e gëlbazës.
  • Për infeksionet bakteriale rekomandohen antibiotikët.
  • Për sëmundje të tjera, të tilla si sëmundjet e gjendrës tiroide ose refluksi gastro-ezofageal, mund të përdoren medikamentet specifike ose ndërhyrja kirurgjikale.
  • Dëmtimet beninje të kordave të zërit mund të trajtohen nëpërmjet endoskopisë.
  • Tumoret malinje (psh. kanceri i laringut) kanë nevojë për terapi specifike antikanceroze.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...