Përhapja e infeksionit në gjak (Septicemia)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Në kushte normale, sistemi imunitar i organizmit është i aftë të luftojë kundër mikrobeve që hyjnë nga jashtë. Infeksionet që ndodhin, në këto raste, janë thjesht të lokalizuara në zonën e hyrjes së mikrobit.
Termi "septicemi", i njohur gjithashtu edhe si "helmimi i organizmit" përfaqëson një infeksion të rëndë, të karakterizuar nga prania e mikrobeve në gjak, në rrugët limfatike dhe në organet e organizmit.
Nëse septicemia diagnostikohet në kohë dhe trajtohet menjëherë, në mënyrë korrekte, mundësitë për t’u shëruar janë të mëdha. Përkundrazi, në mungesë të trajtimit ose kur trajtohet me vonesë, ajo mund të shkaktojë shumë shpejt prishjen e funksionit të shumë organeve, duke e çuar kështu pacientin drejt vdekjes.
Në pjesën më të madhe të rasteve, mikrobet janë viruse, bakterie ose kërpudha. Kur organizmi nuk është i aftë të luftojë kundër një infeksioni në vendin e hyrjes së mikrobit, atëherë ky i fundit mund të përhapet në të gjithë trupin, nëpërmjet qarkullimit të gjakut.
Në parim, çdo infeksion mund të ndërlikohet me septicemi.
Shkaqe të shpeshta të septicemisë janë:
- Pneumonia
- Infeksionet e rrugëve urinare dhe të organeve gjenitale
- Infeksionet e organeve të barkut (organeve abdominale)
- Infeksionet e plagëve dhe të indeve të buta
- Infeksioni nga kateteri urinar
- Infeksionet e sistemit nervor qendror
- Inflamacionet e valvulave të zemrës
- Infeksionet e fushës së ORL-s (veshëve, hundës dhe fytit)
- Faktorë të tjerë të rrezikut:
- Dobësimi i sistemit imunitar në rastet e leuçemisë, infektimit me HIV, kimioterapisë, tek personat tepër të moshuar ose shumë nënpeshë.
- Plagët e përhapura, si psh. plagët pas djegieve
- Ndërhyrjet kirurgjikale

Simptomat e septicemisë mund të jenë shumë pak karakteristike. Për këtë arsye, diagnostikimi i saj shpesh është i vonuar.
Simptomat e shpeshta:
- Dhimbje, skuqje, enjtje në vendin e infektuar
- Dobësi e përgjithshme
- Të dridhura dhe temperaturë e lartë
Kujdes:Teza shumë e përhapur se një vijë e kuqe, me shtrirje nga vatra e infektuar drejt zemrës është treguese e një gjendje septicemie, është plotësisht e gabuar! Në këtë rast, bëhet fjalë më shumë për një inflamacion akut të rrugëve limfatike, që quhet ndryshe limfangit. Në fakt, egziston mundësia që një limfangit të ndërlikohet me gjendjen e septicemisë.
Në një stad të mëvonshëm, mund të shtohen edhe simptomat e mëposhtme:
- Gjendje konfuzioni, marrje mendsh, sinkop (nga rënia e presionit të gjakut)
- Frymëmarrje e shpejtë
- Ritëm i shpejtë i zemrës
- Plogështi, zbehje
- Rënie e madhe e presionit të gjakut, me shfaqjen e gjendjes së shokut septik, që përbën një urgjencë mjekësore.

Septicemia mund të ndahet në tre stade:
- Septicemi = kriteret 1 dhe 2
- Septicemi e rëndë = kriteret 1 deri në 3
- Shoku septik = kriteret 1 dhe 2 plus rënia e presionit të gjakut nën 65 mm Hg për të paktën një orë.
1. Identifikimi i vatrës së infeksionit
- Identifikimi i mikrobeve shkaktare (agjentëve patogjenë) në gjak
- Analizat e gjakut, për matjen e parametrave të inflamacionit
2. Sindromi i përgjigjes inflamatore sistemike (SPIS); prania e të paktën dy kritereve:
- Temperatura (mbi 38°C ose nën 36° C = hipotermi).
- Përshpejtimi i ritmit të zemrës (mbi 100 rrahje/minutë = takikardi)
- Përshpejtimi i ritmit të frymëmarrjes (mbi 20 cikle të plota të frymëmarrjes dhe frymënxjerrjes/minutë = takipne ose mbiventilim)
- Shtimi ose pakësimi i rëndësishëm i qelizave të bardha të gjakut (përkatësisht leukocitozë ose leukopeni)
3. Çrregullimi akut i funksionit të organeve
- Çrregullimi i aktivitetit të trurit me konfuzion, axhitim dhe gjendje delirante
- Ulje e rëndësishme e numurit të trombociteve në gjak në 24 orë, që nuk është pasojë e një hemorragjie apo sëmundjeje imunologjike.
- Pakësimi i shkallës së furnizimit të gjakut me oksigjen. Në këtë rast është e nevojshme të përjashtohen si faktorë të mundshëm një sëmundje e zemrës ose e mushkërive.
- Çrregullimet e funksionit të veshkave, me mundësinë e shfaqjes së një insufiçience renale
- Acidoza metabolike, me rritjen e nivelit të acidit karbonik në gjak
Mungesa e trajtimit të përshtatshëm shkakton shumë shpejt rënien e funksionit të organeve të rëndësishme, të tilla si sistemi kardio-vaskular, veshkat, mushkëritë, mëlçia, etj.

Trajtimi i septicemisë varet nga stadi i saj dhe nga agjenti shkaktar.
- Trajtimi me antibiotikë për eleminimin e vatrës së infeksionit.
- Transfuzioni i gjakut, marrja e masës eritrocitare (eritrociteve)
- Ventilimi artificial, trajtimi i gjendjes së shokut
- Ushqyerja artificiale, injektimi i insulinës dhe ndjekja strikte e terapisë nga personeli mjekësor.
- Trajtimi i çrregullimeve të koagulimit
- Hemodializa (pastrimi artificial i gjakut) në rastin e insuficiencës renale (mosfunksionimit të veshkave)
Në mungesë të trajtimit dhe të ndjekjes mjekësore korrekte, mundësitë për të mbijetuar janë të pakta. Rreth 25-40% e pacientëve vdesin, pavarësisht se i nënshtrohen terapisë me antibiotikë dhe kujdesit të ekipit të urgjencës. Kjo më shpesh ndodh në rastet kur diagnostikimi i septicemisë është bërë me shumë vonesë.
- Një sistem imunitar i fortë dhe përdorimi i tipit dhe dozës së përshtatshme të antibiotikëve mundëson shërimin e infeksioneve, duke evituar në këtë mënyrë gjendjen e septicemisë.
- Nëse është e mundur, realizohet heqja me rrugë kirurgjikale e vatrës së infektuar.