Kultura bakteriale
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Çfarë është kultura bakteriale?
Kultura bakteriale nevojitet për të identifikuar bakteret shkaktare të një infeksioni. Për këtë qëllim merret material (strisho apo sekrecion) nga pacienti, që dyshohet si bartës i baktereve. Në laborator, bakteret rriten gjatë natës në inkubator në formën e kulturës bakteriale dhe testohen për ndjeshmërinë e tyre në përzgjedhjen e antibiotikëve (antibiograma). Kjo mund të përdoret për të përcaktuar se ndaj cilëve antibiotikë është i ndjeshëm ose i pandjeshëm (rezistent) patogjeni. Kultura bakteriale është veçanërisht e rëndësishme të kryhet për disa baktere të rralla ose infeksione serioze, për të kryer trajtimin optimal me antibiotikët e duhur.
Kultura bakteriale është një ekzaminim që i përket shërbimit të mikrobiologjisë, sëmundjeve infektive dhe mjekësisë interne (të organeve të brendshme).
A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?
Një shtrisho mund të kryhet edhe pa përgatitje paraprake. Nëse është e mundur, duhet të bëhet para përdorimit të produkteve antiseptike (dezinfektuese) ose antibiotikëve.
Çfarë shpjegimi nevojitet para ekzaminimit?
Nuk ka nevojë për shpjegim të veçantë para këtij ekzaminimi.
Si kryhet kultura bakteriale?
Materiali për ekzaminim merret zakonisht nga strisho, nga gjaku apo lëngjet trupore (sekrecionet) si: pështyma, lëngu i stomakut, urina, materialet e jashtëqitura (feçe), qelbi, sekrecionet vaginale ose lëngu i trurit. Materiali dërgohet më pas në laborator dhe vëzhgohet mënjëhere në mikroskop. Aty ngjyroset me ngjyrues specifikë, për të identifikuar tipin e bakterit.
Për kulturën bakteriale materiali qelizor i marrë vendoset në inkubim, në agar (terren kultivues për bakterin) në temperaturën 37 gradë celcius. Rritja dhe kolonizimi i baktereve shihet me mikroskop. Zakonisht nevojiten më shumë ditë derisa një kulturë bakteriale të rritet plotësisht, aq sa të bëhet lëhtësisht e dukshme. Shumë mikrobe mund të identifikohen lehtë në mikroskop për shkak të rritjes dhe pamjes (ngjyrës) karakteristike të tyre. Ndërkohë, të tjerat identifikohen me metoda specifike kimike laboratorike.
Kur kryhet antibiograma, në terrenin ku rritet kultura bakteriale (një pjatë petri) depozitohen disqe të vogla të ngopura me antibiotikë të ndryshëm. Kjo përcakton se cili antibiotik është më i mirë për të penguar rritjen bakteriale, pasi zona rreth diskut do të mbetet e lirë nga kolonia (mungesë e rritjes së kulturës në atë zonë). Sa më e madhe të jetë zona, aq më i fortë është efekti i antibiotikut mbi bakterin.
Kur këshillohet kryerja e kulturës bakteriale?
Kultura bakteriale nevojitet për të përcaktuar mikrobet shkaktare të infeksioneve bakteriale. Gjithsesi, jo çdo infeksion kërkon një kulturë bakteriale. Ky ekzaminim është veçanërisht i rëndësishëm në rastin e infeksioneve të rënda, mikrobeve të rralla ose nëse trajtimi me antibiotikë nuk ka dhënë rezultatin e pritshëm.
A paraqet efekte të padëshiruara ky ekzaminim?
Ky ekzaminim eshtë pa dhimbje dhe pa efekte të dëmshme.