Encefaliti (Inflamacioni i trurit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Encefaliti është inflamacioni i trurit. Më shpesh ai shkaktohet nga viruse ose bakterie. Encefaliti mund të shkaktojë dëmtime të parikthyeshme të rëndësishme në nivelin e sistemit nervor qendror. Në rastet e dyshimta për encefalit, pacienti duhet të shtrohet menjëherë në spital (situatë urgjence).
Nëse virusi apo bakteri përgjegjës për encefalitin ka prekur edhe meningjet (membranat mbrojtëse, që mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore), flitet për meningo-encefalit. Gjithsesi, nuk duhet të ngatërrohet meningiti me encefalitin.
Meningiti trajtohet në një rubrikë të veçatë. viruset e transmetuara nga këpushat mund të shkaktojnë një menigo-encefalit stinor (MEPV). Encefaliti japonez transmetohet nga pickimi i mushkonjave.
- Virusi i herpesit
- Virusi i fruthit
- Virusi i shytave
- Virusi i gripit
Këto viruse veprojnë drejtpërdrejt mbi indin e trurit, ku gjatë përparimit të sëmundjes shkaktojnë një reaksion autoimun. Pra, organizmi prodhon qeliza mbrojtëse (antitrupa) kundër qelizave të veta. Për këtë arsye proçesi emërtohet autoimun dhe antitrupat emërtohen auto antitrupa.
Faktorët e rrezikut
- Mosha: sëmundja prek më shpesh foshnjat dhe personat e moshuar.
- Rënia e aftësive mbrojtëse (imunitetit) të organizmit, si psh. në rastet e infektuara nga HIV-i.
- Sëmundje të tjera, si skleroza e shumëfishtë ose sarkoidoza (sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes, që mund të përhapet edhe në organet e tjera).

Pacienti me encefalit (inflamacion të trurit) paraqet simptoma të ndryshme, në varësi të stadit të zhvillimit të sëmundjes. Kështu:
- Në fillim, pacienti paraqet simptoma gripale, si: temperaturë, dhimbje koke/dhimbje në nivelin e qafës dhe dobësi e përgjithshme trupore.
- Më vonë, rritje e mëtejshme e temperaturës.
- Çrregullime neurologjike (të të folurit, të pamjes dhe paraliza në nivelin e gjymtyrëve).
- Në rast se janë prekur meningjet, konstatohet ngurtësimi i qafës.
- Konvulsione (kriza epilepsie).
- Turbullime të ndërgjegjes, me gjendje konfuzioni që mund të arrijë deri në humbjen e ndërgjegjes.

Për vendosjen e diagnozës së encefalitit (inflamacionit të trurit) janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut me historinë e detajuar të sëmundjes, me simptomat e pacientit, infeksionet virale të mundshme të kaluara prej tij, pickimit nga insektet, etj.
- Analizat laboratorike të gjakut dhe lëngut truno-shpinor.
- Skaneri i kokës
- Rezonanca magnetike e kokës
- Elektroencefalograma (EEG- matja e aktivitetit elektrik të trurit).

Trajtimi i encefalitit (inflamacionit të trurit) bazohet në përdorimin e medikamenteve, në varësi të agjentit mikrobial që e ka shkaktuar atë.
Pas identifikimit të agjentit shkaktar të encefalitit, trajtimi i tij përfshin përgjithësisht një antibiotik dhe një virostatik (që eleminon virusin).
- Në rastin e infeksioneve bakteriale përdoren antibiotikët.
- Në rastin e infeksioneve virale përdoren virostatikët.
- Në rastin e mykozave përdoren antimykotikët.
- Për konvulsionet (krizat e epilepsisë) përdoren anti-epileptikët.
- Për uljen e temperaturës përdoren medikamentet antipiretike.
- Tipi i agjentit shkaktar (virus, bakter, myk, etj.)
- Shkalla e rëndesës së sëmundjes
- Gjendja e sistemit mbrojtës të organizmit (imuniteti).
Në rast se trajtimi është i hershëm dhe efikas, gjatë një encefaliti vdesin më pak se 20% e pacientëve. Në rast të kundërt, dëmtimet e rënda të sistemit nervor mund të jenë përgjegjëse për shfaqjen e aftësive të kufizuara fizike, që mund të jenë të përhershme, dhe të kërkojnë trajtim për gjithë jetën.