Pleuriti (Inflamacioni i pleurës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Pleura është një membranë që vesh murin e brendshëm të kafazit të kraharorit, pjesën e sipërme të diafragmës dhe perikardin (shtresën e jashtme të zemrës). Ajo ka për funksion të kufizojë mushkëritë nga kafazi i kraharorit. Gjatë një proçesi normal të frymëshkëmbimit (frymëthithja dhe frymënxjerrja), dy fletët që përbëjnë pleurën bashkohen dhe ndahen nga një membranë e lëngshme e hollë.
Termi "pleurit" përkufizon inflamacionin e pleurës. Ai nuk përfaqëson praktikisht asnjëherë një situatë mjekësore të izoluar (parësore), por përgjithësisht dytësore, pasojë e një sëmundjeje tjetër, shpesh e rrugëve të frymëmarrjes.
Pleuriti mund të zhvillohet në dy forma, që janë:
- Pleuriti i njomë (eksudativ): kjo formë karakterizohet nga prania e likidit (lëngut) pleural.
- Pleuriti i thatë: pleuriti i thatë i paraprin shpesh atij eksudativ.
Sëmundjet e dyshimta që mund të shkaktojnë pleurit janë:
- Pneumonia (inflamacioni i mushkërive) me natyrë bakteriale
- Tuberkulozi
- Infarkti i mushkërive (mosfurnizimi me gjak i një pjese të indit të mushkërive)
- Kanceri i bronkeve
- Tumori i pleurës, që rezulton nga ekspozimi i shpeshtë ndaj amiantit
- Lupusi eritematoz (sëmundje inflamatore)
- Infeksioni viral (rrallë)

Pleuriti i thatë i paraprin shpesh pleuritit eksudativ. Ai karakterizohet nga simptomat e mëposhtme:
- Dhimbje në zonën e gjoksit, që shtohet gjatë frymëthithjes (frymëmarrjes) dhe në rastin e kollitjes.
- Vështirësi në frymëmarrje
- Kollë e thatë, irrituese, pa gëlbazë.
- Nuk konstatohet temperaturë.
Pleuriti eksudativ karakterizohet nga mungesa e dhimbjeve dhe shfaqja e likidit pleural, që është përgjegjës për simptomat e mëposhtme:
- Ndjenja e shtrëngimit në gjoks
- Bllokim në frymëmarrje
- Ndonjëherë shfaqen dhimbje në zonën e shpatullave, që shkaktohen nga ngacmimi i nervit frenik.
- Nëse sasia e lëngut pleural është e rëndësishme, mund të konstatohet shtim në peshë i pacientit.
- Temperaturë lehtësisht ose tepër e lartë.

Pacienti me simptomat e pleuritit ka nevojë të konsultohet nga një mjek specialist pneumolog, i cili duhet:
- Të informohet në mënyrë të detajuar rreth simptomave të pacientit dhe historisë së shfaqjes së tyre.
- Të kryejë dëgjimin me stetoskop (auskultacionin) dhe vlerësimin e tingullit që lë goditja (perkusionin). Kështu, në rastin e pleuritit të thatë, mjeku mund të dëgjojë zhurmat karakteristike të fërkimit të fletëve të pleurës.
- Të rekomandojë radiografinë e kafazit të kraharorit, e cila mundëson evidentimin e likidit në pleurë.
- Të rekomandojë analizat laboratorike, që konsistojnë në vlerësimin e treguesve të inflamacionit, si: rruazat e bardha të gjakut, shpejtësia e sedimentit të gjakut, proteina C reaktive. Të gjithë këta tregues rezultojnë përgjithësisht të rritur në rastet me inflamacion.
- Të identifikojë agjentin bakterial shkaktar të pleuritit.
- Të matet niveli i autoantitrupave, në rastin e sëmundjeve autoimune (ku organizmi lufton organet e veta, ndaj të cilave prodhon antitrupa).
- Të kryejë punksionin e përmbajtjes pleurale dhe analizën mikroskopike dhe kimike të likidit pleural të hequr.

Në të gjitha rastet me pleurit, duhet të trajtohet fillimisht sëmundja kryesore. Në rast se përgjegjëse është pneumonia, duhet të përdoren antibiotikët.
Është tepër e rëndësishme të evitohen ngjitjet e indit pleural. Për këtë qëllim, pacienti këshillohet të kryejë frymëthithje dhe frymënxjerrje të thella.
Meqenëse dhimbjet dhe qëndrimi shtrirë në shtrat pengojnë kryerjen e këtij proçesi, rekomandohet kryerja e ushtrimeve të frymëmarrjes, së bashku me medikamentet kundër dhimbjes.
Nëse realizohet diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjes parësore, që është shkaktare e pleuritit, edhe pleuriti vetë shërohet përgjithësisht pa ndërlikime.
Proçesi sipërfaqësor i frymëshkëmbimit mund të shkaktojë shfaqjen e ngjitjeve në nivelin e pleurës. Në këtë rast, mushkëria ngjitet me kafazin e kraharorit dhe nuk mund të hapet plotësisht gjatë frymëthithjes. Për pasojë, pacienti nuk thith sasinë e nevojshme të oksigjenit. Në rast se funksioni i mushkërive është tepër i dëmtuar, këto ngjitje mund të trajtohen me rrugë kirurgjikale.
Nëse në origjinën e pleuritit qëndron një infeksion viral, simptomat nuk janë të shprehura dhe ndërlikimet janë të rralla.
Shfaqja e pleuritit parandalohet nëpërmjet evitimit, ose të paktën, trajtimit sa më të hershëm të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes.