logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Kanceri i veshkave: një tumor malinj i rrallë i veshkave.
Kanceri i veshkave: një tumor malinj i rrallë i veshkave.

Kanceri i veshkave është një tumor malinj (i keq) i veshkave. Në shumicën e rasteve preket vetëm njëra nga dy veshkat, por ndodh që të preken edhe të dyja. Ndër të gjitha tipet e sëmundjeve malinje, kanceri i veshkave është mjaft i rrallë. Tipi më i zakonshëm i tij është karcinoma e qelizave renale, e cila buron nga korja e veshkave (shtresa e jashtme e veshkës). Karcinoma e qelizave renale zhvillohet më tepër tek personat e moshuar, zakonisht rreth moshës 70 vjeç, kryesisht tek meshkujt. Kanceri i veshkave tek fëmijët është një tip tjetër kanceri, i quajtur tumori i Wilms. Shanset e shërimit janë mjaft të mira nëse zbulohet dhe trajtohet herët.

Shkaqet e kancerit të veshkave nuk janë të përcaktuara qartë. Megjithatë, janë identifikuar disa faktorë që shtojnë rrezikun për ta zhvilluar këtë sëmundje. 

Të tillë janë:

  • Pirja e duhanit (edhe pasive)
  • Mbipesha, veçanërisht tek femrat
  • Presioni i lartë i gjakut
  • Përdorimi i produkteve profesionale, që janë toksike për veshkat, si kadmiumi dhe hidracidet
  • Çrregullimet kronike të funksionit të veshkave (insufiçienca kronike e veshkave), dhe sëmundje të tjera të veshkës.
  • Abuzimi me medikamente të dëmshme për veshkat, veçanërisht me analgjezikët (qetësuesit e dhimbjeve)
  • Një histori për kancer të veshkave në familje.

Kanceri i veshkave shkakton simptoma atëherë kur tumori është rritur, pra në stad të avancuar. Kështu, mund të kalojë një kohë e gjatë pa u vënë re, ose të zbulohet aksidentalisht gjatë një ekzaminimi radiografik për arsye krejt të ndryshme.

Simptomat që mund të zbulojnë kancerin e veshkave janë:

Së pari, pacientit i merret informacion i hollësishëm, lidhur me çrregullimet aktuale dhe historinë mjeksore. Në rastin e kancerit te veshkave, vëmendje e veçantë i kushtohet faktorëve të rrezikut të përmendur më lart.

Diagnoza e kancerit të veshkave plotësohet nga:

  • Ekzaminimi fizik: gjatë një ekzaminimi të hollësishëm të pacientit, mund të konstatohet ënjtje në ije, në anën e veshkës së prekur.
  • Testi i gjakut: maten treguesit e funksionit të veshkave, niveli i lartë i kalciumit në gjak
  • Ekzaminimi i urinës: prania e gjakut në urinë
  • Ekografia e veshkave dhe e barkut (abdominale)
  • Ekzaminimet imazherike: skaneri (CT) dhe rezonanca magnetike (MRI), të cilat përcaktojnë me përpikmëri shkallën e sëmundjes dhe kërkojnë edhe më me detaje përhapjen e saj nëpër organet e tjera. Në rastin e kancerit të veshkës, organet e përhapjes më të zakonshme janë mushkëritë, kockat, mëlçia dhe truri.
  • Shintigrafia e kockave, nëse ekziston dyshimi për përhapjen e sëmundjes në kocka.
  • Urografiaintravenoze: radiografi me lëndë të kontrastit që vlerëson pjesën e legenit, veshkat, ureterët dhe fshikëzën e urinës.


Trajtimi i kancerit të veshkës varet nga faza e sëmundjes, mosha dhe gjëndja fizike mjekësore e pacientit.

Ndërhyrja kirurgjikale 

Në rastin e kancerit të veshkave të diagnostikuar në stad të hershëm, operacioni është hapi i parë. Nëse tumori mund të hiqet i gjithi, është i mundur shërimi. Në varësi të shkallës së sëmundjes, veshka hiqet plotësisht ose pjesërisht. Nëse hiqet njëra veshkë plotësisht, veshka e mbetur mund ta kryejë funksionin plotësisht. Në rastet kur tumori ka avancuar, pra ka lëshuar metastaza diku tjetër nëpër trup, trajtimi ka për qëllim lehtësimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientit. Në të tilla raste, edhe kirurgjia mund të jetë e dobishme, për shembull për të zvogëluar masën e tumorit ose për të hequr metastazat. 

Gjithashtu, kirurgjia ndihmon edhe proçedurat e tjera trajtuese, që të japin efekt më të mirë.  

Medikamentet: imunoterapia dhe trajtimi i shënjestruar i kancerit 

Imunoterapia e bazuar në përdorimin e interferonit ose interleukinës, aplikohet për një kohë të gjatë në rastet me kancer të përparuar të veshkës. Të dyja këto substanca gjenden natyralisht në organizëm, dhe mund të nxisin sistemin imunitar për të shkatërruar qelizat tumorale.

Radioterapia: terapia me rrezatim 

Është thelbësore për trajtimin e metastazave. Kanceri i veshkave nuk është shumë i ndjeshëm ndaj rrezatimit.

Embolizimi i tumorit

Në rastet kur tumori i veshkës nuk mund të hiqet me kirurgji dhe shkakton shqetësime të konsiderueshme, embolizimi i tumorit mund të ndihmojë në pakësimin e simptomave. Për ta realizuar këtë, mbyllen enët e gjakut në mënyrë artificiale, duke bllokuar furnizimin me oksigjen dhe lëndë ushqyese, që është thelbësore për rritjen e masës tumorale.


Nëse kanceri i veshkës kapet në fazë të hershme, është relativisht i kontrollueshëm dhe pothuajse të gjithë pacientët me tumore të vogla mund të mbijetojnë edhe për të paktën 5 vite. Ndërsa rastet që kapen në stade të avancuara, kanë shanse më të pakta shërimi.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.