Prostatiti (Inflamacioni i prostatës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Prostatiti karakterizohet nga një inflamacion akut (i menjëhershëm) ose kronik (i vazhdueshëm) i prostatës. Njihen disa forma të tij:
- Prostatiti akut bakterial
- Prostatiti kronik bakterial
- Prostatiti jobakterial
- Prostatodinia (sindroma e dhimbjes kronike pa inflamacion)
Prostatiti akut është një inflamacion akut i parenkimës së prostatës, që provokohet nga bakterie të ndryshme dhe manifestohet me ethe dhe dhimbje në pjesën e poshtme të barkut. Rreth 35% e meshkujve e kalojnë të paktën një herë gjatë jetës së tyre gjendjen e prostatitit kronik. Në sindromën prostatike, në 5% të rasteve bëhet fjalë për një prostatit bakterial kronik, në 65% të rasteve për një prostatit jobakterial dhe në 30% të rasteve për një prostatodini.
Prostatiti kronik mund të konstatohet në meshkujt e çdo lloj moshe. Në meshkujt mbi 50 vjeç konstatohen më shpesh sëmundjet urologjike (të rrugëve urinare). Prostatiti nuk konsiderohet si sëmundje e rrezikshme, por është tepër i vështirë për t’u trajtuar. Ai nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin e kancerit të prostatës.
Shkaqet e prostatitit nuk janë ende të njohura plotësisht, por bakterie të ndryshme konsiderohen shkaktare të formës akute dhe të disa formave kronike të tij. Në formën akute, bakteriet shkaktare mund të kalojnë në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar shfaqjen e simptomave të tilla si temperaturë dhe të dridhura.
Në prostatitin kronik, edhe nëse nuk identifikohet asnjë bakter në analizën e urinës, mund të bëhet fjalë për një infeksion nga bakterie që izolohen me vështirësi. Gjithashtu, si shkak i prostatitit mund të shërbejë edhe një refluks (kthim) i urinës në rrugët prostatike, duke shkaktuar irritim të tyre, me inflamacion shoqërues. Ky tip refluksi shfaqet kryesisht në rastet e pengesave në rrjedhjen e urinës, si psh. në ngushtimet e uretrës, ndryshimet e qafës së fshikëzës së urinës dhe kontrakturat (tkurrjet) e muskujve të bazës së legenit.
Prostatiti akut karakterizohet nga:
- Shfaqja e shpeshtë e simptomave urinare, me ndjesinë e djegies në brendësi të uretrës (kanali që mundëson nxjerrjen e urinës nga fshikëza e saj) dhe në zonën e fshikëzës së urinës.
- Dhimbje të shpeshta në bark, me mosmbajtje të urinës dhe vështirësi gjatë urinimit (dizuri)
- Ethe, të dridhura
- Dobësi e përgjithshme trupore
Prostatiti kronik karakterizohet nga:
- Simptoma që manifestohen në mënyrë progresive dhe kanë shpesh karakter ciklik. Këto luhatje në shfaqjen e tyre ndikojnë në aspektin psikologjik të pacientit, që është një argument mjaft i rëndësishëm për diagnostikimin sa më të hershëm të kësaj sëmundjeje.
- Djegie dhe dhimbje në nivelin e legenit dhe të perineumit, që përhapen në shpinë, në penis (organin e jashtëm mashkullor), testikuj dhe kofshë.
- Ndonjëherë, çrregullime të ereksionit.
- Ejakulacion (derdhje të spermës) ndonjëherë të dhimbshëm dhe ndonjëherë si proçes që e lehtëson dhimbjen.
- Pakësim i sasisë së urinës, urinime të detyrueshme, vështirësi për të urinuar (dizuri)

Për të vendosur diagnozën e një prostatitis, mjeku urolog bazohet tek:
- Palpimi (prekja) e prostatës përmes rektumit (pjesës fundore të zorrës së trashë). Në rastet normale ky egzaminim është i padhimbshem, ndërkohë që në rastin e pranisë së prostatitit referohet dhimbje nga ana e pacientit.
- Masazhi i prostatës: mundëson identifikimin e inflamacionit të mundshëm në nivelin e uretrës, fshikëzës urinare dhe prostatës.
- Matja e rrjedhës së urinës: mund të ndihmojë në evidentimin e një pengese të mundshme në rrugën e rrjedhjes së saj.
- Egzaminimi ekografik, për vlerësimin e fshikëzës urinare, nëse zbrazet apo jo plotësisht.
- Egzaminimi endoskopik: Mundëson egzaminimin e prostatës dhe vezikulave seminale (që prodhojnë lëngun seminal).
Egzaminime të tjera:
- Egzaminimi bakteriologjik i lëngut seminal
- Dozimi i antigenit specifik për prostatën (PSA)
- Cistoskopia (egzaminim endoskopik me sondë, që eksploron fshikëzën e urinës në brendësi)
- Egzaminimi uro-dinamik, që mundëson matjen e presionit në fshikëzën urinare

Mënyrat e trajtimit të prostatitit varen nga tipi i tij (akut, kronik, bakterial apo jobakterial). Trajtimi i përshtatshëm lejon shërimin e kësaj sëmundjeje me pakësim të simptomave në 75% të rasteve.
Skema e trajtimit të prostatitit përfshin:
- Përdorimi i antibiotikëve: meqenëse ato përqëndrohen me vështirësi në parenkimën e prostatës, përdorimi i tyre duhet të vazhdojë të paktën 4 javë.
- Përdorimi i medikamenteve antialgjike (kundër dhimbjes) dhe antiinflamatore (kundër inflamacionit)
- Regjim shtrati
- Lëshuesit e muskulaturës, që veprojnë në muskujt e fshikëzës urinare, uretrës dhe bazës së legenit.
- Fitoterapia (përdorimi i produkteve me përbërje bimore)
- Evitimi i stresit
- Psikoterapia
Meqenëse shkaqet e prostatitit nuk janë gjithmonë të qarta, trajtimet e mësipërme përdoren shpesh të kombinuara.
Në rast se simptomat e prostatitit rishfaqen, është thelbësor identifikimi i faktorëve shpërthyes të tij, si:
- Ftohja e fundit të barkut (vendi i punës i ftohtë, pozicioni i ulur mbi sipërfaqe të ftohta)
- Ftohja gjatë ushtrimit të sporteve të ndryshme
- Mbajtja veshur për kohë të gjatë e kostumeve të banjës të lagura
- Konsumi i pijeve të ftohta, verës së bardhë, kafesë, ushqimeve pikante.
- Dushet dhe banjat e ngrohta kanë efekt relaksues dhe lehtësojnë dhimbjet