logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Matja e temperaturës bëhet në rast dyshimi të rritjes së temperaturës trupore.
Matja e temperaturës bëhet në rast dyshimi të rritjes së temperaturës trupore.

Çfarë është matja e temperaturës?

Me matje të temperaturës kuptojmë matjen e temperaturës trupore. Në ditët e sotme ekzistojnë termometra dixhitalë, për veshin, për ballin dhe me rreze infra të kuqe. Përdorimi i termometrit tradicional me zhivë shoqërohet me rreziqe të përdorimit (nëse thyhet) dhe si pasojë nuk rekomandohet më. Metoda më e saktë dhe më e besueshme është matja rektale e temperaturës (në anus). Alternativa të tjera të matjes së temperaturës janë: orale (në gojë), nën gjuhë, aksilare (nën sqetull) ose në vesh.

Temperatura normale e trupit lëkundet në orare të ndryshme të ditës, psh: në mëngjes herët arrin vlerën më të vogël dhe vlerën më të lartë pasdite. Gjithashtu, ajo varion në bazë të aktivitetit që kryen pacienti dhe moshës së tij. Tek foshnjat, temperatura është rreth 0.5 gradë më e lartë se tek fëmijët dhe të rriturit. Temperatura e trupit tek femrat luhatet gjithashtu rreth 0.5 gradë Celcius gjatë ciklit mujor.

Një temperaturë trupore mbi 38 gradë Celcius cilësohet si gjendje febrile. Vlera 37-38 gradë cilësohet si temperaturë lehtësisht e rritur, deri në 39 gradë cilësohet e moderuar, mbi 39 gradë e lartë dhe mbi 40 gradë si temperaturë shumë e lartë. Këto vlera vlejnë për matjen rektale. Në rast se matjet bëhen nën gjuhë, për të llogaritur vlerën reale të temperaturës trupore, vlerës së matur duhet t’i shtoni 0.3 gradë. Në rast se matjet bëhen nën sqetull, vlerës së matur duhet t’i shtoni 0,5 gradë (psh. nëse nën sqetull temperatura e matur është 37,5 gradë në të vërtetë ajo trupore është 38 gradë Celcius).

Matja e temperaturës është një ekzaminim që bëhet nga vetë pacienti në kushte shtëpie, por edhe si pjesë e çdo shërbimi të fushës së mjekësisë.

A është e nevojshme ndonjë përgatitje e veçantë e pacientit para ekzaminimit?

Matja e temperaturës nuk ka nevojë për parapërgatitje të pacientit.

Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?

Matja e temperaturës nuk ka nevojë për ndonjë sqarim paraprak.

Si matet temperature?

Ka metoda të ndryshme për matjen e temperaturës:

  • Matja rektale: Metoda më e saktë dhe më pak e përdorur. Foshnjat dhe fëmijët e vegjël shtrihen me kurriz duke ja mbledhur këmbët me një dorë në një anë. Termometri shtyhet butësisht në anus me dorën tjetër. Gjatë proçesit të matjes dora e prindit duhet të shoqërojë vazhdimisht termometrin, në mënyrë që të parandalohen dëmtime të mundshme të fëmijës në rast të lëvizjeve të dhunshme të tij. Koha e matjes duhet të zgjasë të paktën 4 minuta.Të rriturit, mund ta kryejnë matjen me këmbët e mbledhura në anë.
  • Matja sublinguale (nën gjuhë): mos përdorni termometër qelqi (kanë rrezik për thyerje, sidomos nga fëmijët) dhe kjo lloj matje nuk këshillohet gjatë rrufës (vështirësi në frymëmarrje). Termometri vendoset nën gjuhë dhe buzët mbahen të mbyllura fort, por pa e kafshuar termometrin me dhëmbë. Matja duhet të zgjasë të paktën 5 minuta, dhe vlerës së matur duhet t’i shtohen edhe 0,3 gradë në mënyrë që të llogaritet vlera reale e temperaturës trupore.
  • Matja e temperaturës në vesh: tek foshnjat dhe fëmijët kjo lloj matjeje paraqitet si një alternativë e mirë përkundrejt matjes rektale. Ajo kryhet nëpërmjet rrezeve infra të kuqe, duke dhënë një rezultat të shpejtë (në pak sekonda), dhe gjithashtu është mjaft komode për fëmijën. Ka rëndësi të bëhet pastrimi i veshëve paraprakisht, pasi dylli mund të japë rezultate të gabuara.
  • Matja aksilare (nën sqetull): Kjo lloj matjeje mund të kryhet edhe nga moshat shkollore. Termometri vendoset nën sqetull dhe krahu shtrihet duke u puthitur me trupin. Kjo matje realizohet për 10 minuta. Në matjen nën sqetull nuk duhet harruar që vlerës së matur t’i shtohet edhe 0,5 gradë, në mënyrë që të përftohet vlera reale e temperaturës trupore.

Kur këshillohet matja e temperaturës?

Temperatura e trupit matet kryesisht në rastet e etheve ose për kontrollin e tyre në rastet e sëmundjeve që ato shoqërojnë. Temperatura e trupit matet rregullisht edhe pas operacionit, në spital, nga mjeku i familjes ose tek të porsalindurit. Edhe gratë mund të llogarisin periudhën e ovulacionit në sajë të matjes së luhatjeve të temperaturës së tyre trupore. Përveç kësaj, matja rektale mund të ndihmojë në diagnostikimin e apendicitit. Në një përdorim më të gjerë, matjet e temperaturës bëhen edhe në aeroporte me anë të sensorëve, në formën e një masë parandaluese psh. në mbrojtjen ndaj përhapjes së virusit Ebola përmes matjeve të saj.

A paraqet rreziqe apo efekte të padëshiruara matja e temperaturës?

Ky ekzaminim është plotësisht i padhimbshëm dhe nuk paraqet rreziqe. Matja rektale (në anus) për disa pacientë cilësohet si e parehatshme apo e turpshme.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.