Mononukleoza (Ethja e Pfeifer)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Mononukleoza përfaqëson një sëmundje infektive beninje, të shkaktuar nga virusi Epstein-Barr, që prek kryesisht sistemin limfatik (gjendrat limfatike, mëlçinë dhe shpretkën). Ajo quhet gjithashtu edhe sëmundja e puthjes.
Përgjithësisht, infeksioni i parë prek fëmijët ose adoleshentët deri në moshën 20 vjeç. Në 95% të rasteve, ai shfaqet para moshës 30 vjeç. Ky infektim siguron imunitet (mbrojtje) të përhershëm ndaj sëmundjes.
Agjenti shkaktar i mononukleozës është virusi Epstein-Barr. Transmetimi i virusit, që është lehtësisht ngjitës, bëhet kryesisht nëpërmjet pështymës (sëmundja e puthjes), ose nëpërmjet thithjes së spërklave të vogla të infektuara, të transmetuara nëpërmjet kollës ose teshtitjes.
Pas futjes në nivelin e gojës, virusi sulmon fillimisht qelizat e mukozës së saj dhe të fytit. Më pas, ai shumëzohet me shpejtësi dhe sulmon limfocitet B, që luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e organizmit. Nëpërmjet rrugës së gjakut ose asaj limfatike, limfocitet B përhapen në të gjitha organet e organizmit, kryesisht në gjendrat limfatike, shpretkë dhe bajamet.
Personat me sistem imunitar të fortë, arrijnë t’i eleminojnë këto limfocite B të infektuara nëpërmjet qelizave të tjera mbrojtëse, të quajtura limfocite T. Në këtë mënyrë, infeksioni mund të frenohet.
Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave), zgjat nga disa ditë deri në 6 javë. Infeksioni manifestohet me një gjendje gripale, që shpesh nuk diagnostikohet dhe shërohet pa lënë pasoja. Tek fëmijët, simptomat janë shpesh më të fshehta se tek të rinjtë.
Stadi fillestar i sëmundjes karakterizohet nga simptomat e mëposhtme gripale:
- Dobësi e përgjithshme trupore
- Dhimbje të kyçeve
- Dhimbje të gjymtyrëve
- Temperaturë
- Dhimbje e kokës
- Dhimbje e fytit
Shenjat karakteristike të sëmundjes janë:
- Zmadhimi i gjendrave limfatike, të cilat janë të dhimbshme, veçanërisht në nivelin e qafës, ku mund të arrijnë madhësinë e një veze. Zmadhimi i tyre mund të konstatohet edhe në nivelin e kraharorit dhe të zgavrës së barkut.
- Zmadhimi i shpretkës, me ndjeshmëri të shtuar të saj në palpacion (egzaminimin nëpërmjet prekjes) në anën e majtë, poshtë kafazit të kraharorit.
- Zmadhimi i mëlçisë (i rrallë).
Simptoma të tjera të mundshme:
- Inflamacioni i fytit pas një mbiinfeksioni bakterial (angina e kuqe, me depozitime të bardha në nivelin e bajameve).
- Shfaqja e elementeve në lëkurë (e rrallë)
- Lodhje kronike, që mund të vazhdojë për disa javë deri në disa muaj (në rreth 1-2% të rasteve).

Diagnoza e mononukleozës vendoset në bazë të:
- Simptomave të pacientit dhe historisë së fillimit të tyre
- Formulës së gjakut, që tregon shtim të limfociteve.
- Përcaktimit në gjak të nivelit të antitrupave të drejtuara kundër virusit Ebstein-Barr.

Trajtimi i mononukleozës është simptomatik, pra konsiston në qetësimin e simptomave të saj. Aktualisht, nuk disponohet asnjë trajtim efikas kundër virusit shkaktar të saj (Ebstein-Barr).
Masat e përgjithshme:
- Regjim shtrati
- Në rastin e temperaturës, sasi të mëdha lëngjesh
- Konsumi i ushqimeve të lehta për t’u tretur.
- Proçedura për uljen e temperaturës (si psh. kompresa të ftohta, të lagura me uthull).
Medikamentet:
- Në rast nevoje, përdoren medikamente që ulin temperaturën.
- Rrallë, për mbi infeksionet bakteriale dytësore mund të nevojitet përdorimi i antibiotikëve.
Në kushte normale, mononukleoza vazhdon për 2-3 javë. Më pas, ajo shërohet pa lënë pasoja, duke siguruar imunitet (mbrojtje) ndaj saj për gjithë jetën.
Mbi infeksionet bakteriale janë të rralla:
- Mbiinfeksione bakteriale në nivelin e fytit (psh. angina e kuqe)
- Infeksionet e trurit dhe cipës së tij (encefaliti dhe meningiti)
- Çrregullimet e frymëmarrjes, për shkak të zmadhimit të gjendrave limfatike.
- Pneumonia (infeksioni në mushkëri)
- Anemia (ulja e numrit të rruazave të kuqe të gjakut)
- Çarja e shpretkës (shumë e rrallë), shpesh e provokuar nga sforcimet fizike të theksuara gjatë sëmundjes.