Adneksiti (Inflamacioni i tubave dhe vezoreve, Ovariti, Salpingiti)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Adneksiti përfaqëson inflamacionin e organeve anekse (ndihmëse) të mitrës, që janë tubat e fallopit dhe vezoret. Inflamacioni i izoluar vetëm tek tubat quhet salpingit, ndërsa vetëm tek vezoret quhet ovarit dhe është tepër i rrallë.
Dy tubat e fallopit kanë formën e një qypi, në njërin krah të të cilit fillon pjesa e sipërme e mitrës, ndërsa krahu tjetër, që ka formën e një hinke, vendoset pranë vezores.
Edhe pse adneksiti shfaqet kryesisht tek vajzat e reja, jo shtatzana, këto patologji në përgjithësi mund të konstatohen në të gjitha moshat. Inflamacioni i organeve të mësipëme reflektohet me dhimbje të forta dhe të zgjatura në zonat përkatëse. Nëse sëmundja nuk trajtohet në mënyrë korrekte nga specialisti, ajo mund të kthehet në një problem kronik. Për më tepër, salpingiti i trajtuar keq mund të shkaktojë shumë shpesh sterilitet (pamundësi për të mbetur shtatzanë) tek gruaja.

Shkaqet kryesore të adneksiteve janë:
- Infeksionet, kryesisht infeksione bakteriale, më rrallë infeksione virale.
- Sëmundjet që transmetohen gjatë marrëdhënieve seksuale të pambrojtura (sëmundje seksualisht të transmetueshme - SST), siç është gonorrea.
- Infeksionet e përziera.
Rreziku për t`u infektuar është veçanërisht i madh gjatë periudhës pas shtatzanisë dhe lindjes, pas operacioneve të mitrës (pastrim pas një aborti pa dashje, pas një aborti të detyruar, ose për vendosjen e spirales), ose gjatë menstruacioneve.

Simptomat karakteristike të adneksiteve janë:
- Një infeksion vaginal paraprak me sekrecione vaginale, të shoqëruara ose jo me djegie dhe kruajtje në vaginë.
- Temperaturë, zakonisht mbi 38°C.
- Enjtje e tubave, që manifestohet me dhimbje në prekje (palpacion) dhe dhimbje ose rëndesë në fund të barkut.
- Menstruacione të bollshme, të dhimbshme dhe me hemorragji (metroragji).
- Çrregullim i gjendjes së përgjithshme, me dobësi të shprehur trupore
- Kapsllëk ose prania e diarresë me nxjerrjen e jashtëqitjeve purulente (me qelb), që tregojnë se infeksioni është përhapur në zorrë.
- Pas kalimit të fazës akute, mund të shfaqen dhimbje në fundin e barkut, në bel, në shpinë ose gjatë marrëdhënieve seksuale.
- Gjithashtu, pas fazës akute mund të shfaqen edhe sekrecione vaginale, çrregullim i ciklit menstrual,

Për të diagnostikuar një adneksit, duhet të kryhen proçedurat e mëposhtme:
- Informimi i mjekut specialist gjinekolog mbi të dhënat personale dhe simptomat e pacientes
- Egzaminimi fizik, palpacioni (prekja) i barkut dhe vizita gjinekologjike.
- Egzaminimet laboratorike dhe identifikimi i agjentit shkaktar të infeksionit.
- Ekografia gjinekologjike dhe abdominale (e barkut)
- Në raste të dyshimta, për të përjashtuar praninë e sëmundjeve të tjera, mjeku mund të rekomandojë kryerjen e laparoskopisë, që mundëson egzaminimin e hollësishëm të hapësirës së barkut.

Në pjesën më të madhe të rasteve me adneksit, mjafton mjekimi me medikamente, që konsiston në përdorimin e antibiotikëve, antialgjikëve (kundër dhimbjeve), dhe të akullit për të pakësuar dhimbjet.
Në vazhdim, pas kalimit të fazës akute, vetëm me rekomandimin e mjekut specialist obstetër-gjinekolog, mund të vendosen kompresa të ngrohta në fundin e barkut, si dhe banja vaginale në ujë të ngrohtë.
Nëse trajtimi konservator, me medikamentet dhe proçedurat e mësipërme, nuk mjafton për qetësimin e dhimbjeve, duhet domosdoshmërisht të kryhet laparoskopia, e cila lejon të eksplorohet hapësira e barkut, duke përforcuar ose përjashtuar nevojën e një ndërhyrjeje kirurgjikale (operacioni).
Inflamacioni i tubave dhe/ose vezoreve mund të përhapet në organet fqinje, duke provokuar tablonë klinike të një "abdomeni akut", në rastet e peritonitit, bllokimit të zorrës ose apendicitit.
Fillimi i hershëm i antibiotikut ndihmon në parandalimin e formimit të abcesit (masë e qelbëzuar). Në rast të kundërt, formimi i abcesit mund ta rëndojë situatën, duke çuar në heqjen e paevitueshme me rrugë kirurgjikale të tubave, vezoreve, madje edhe të mitrës në raste tepër të rënda.
Në mjaft raste, sëmundja bëhet kronike, duke çuar gradualisht në sterilitet të gruas.