Ftohja (Pseudo-gripi)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Meqenëse ftohja transmetohet nëpërmjet spërklave të vogla të pështymës dhe ajrit të nxjerrë nga rrugët e frymëshkëmbimit, zakonisht preken shumë njerëz njëkohësisht.
Përveç kësaj, transmetimi nëpërmjet spërklave do të thotë se rreziku i infektimit është i lartë, sepse agjenti shkaktar transmetohet kur personi i infektuar kollitet ose teshtin. Ftohja zgjat pak më shumë se një javë; koha e inkubimit (koha ndërmjet momentit të infektimit dhe fillimit të manifestimeve të para klinike) varion nga 2 deri në 5 ditë.
Agjenti shkaktar i ftohjes fillimisht prek mukozën e hundës ose mukozën e faringut. Më pas, infeksioni mund të përhapet në bronke, ose në sinuset e hundës, në varësi të reagimit të sistemit imunitar.
Simptomat e përgjithshme të ftohjes janë: dridhjet, temperature e lartë, plogështia, dobësia e përgjithshme trupore, dhimbja e kokës dhe dhimbjet muskulore në gjymtyrët.
Gudulisja në hundë shpejt shndërrohet në teshtima dhe rrjedhje nga hundët. Inflamacioni i mukozës (pjesës së brendshme) së hundës shkakton rrjedhje të ujshme nga hundët, ndoshta të përzier me pus (qelb), duke e bërë të vështirë frymëmarrjen nëpërmjet hundës.
Në fazën fillestare vërehet shpesh inflamacioni i mukozës së faringut (gudulisja në fyt, ndjenja e thatësisë, çrregullimet e gëlltitjes).
Në fazën tjetër, shfaqet kolla, dhimbja e kokës, dhimbja e fytit dhe dhimbjet e muskujve në gjymtyrë, shoqëruar me temperaturë lehtësisht mbi normën (subfebrile). Këto simptoma zgjasin disa ditë.Përcaktimi i diagnozës së ftohjes nga mjeku bazohet në:
- Historinë mjekësore të pacientit, me shqyrtimin e simptomave të tij
- Ekzaminimin fizik, marrjen e sekrecioneve të hundës dhe faringut
- Testin e gjakut, për të përjashtuar një grip të "vërtetë"

- Meqë nuk ka shërim për shkakun e ftohjes, qëllimi i trajtimit është lehtësimi i simptomave.
- Këto simptoma mund të përmirësohen duke përdorur medikamente antipiretikë (për uljen e temperaturës), antialgjikë (qetësues të dhimbjeve), antitusivë (kundër kollës) dhe pika që hidhen në hundë (për zhbllokimin e hundëve). Megjithatë, për shkak të rrezikut të varësisë, përdorimi i pikave të hundës duhet të kufizohet në një kohëzgjatje të shkurtër.
- Sipas studimeve të kohëve të fundit, bima Echinacea nuk ka efekt as në kohëzgjatjen e ftohjes dhe as në intensitetin e dhimbjeve.
- Sipas studimeve të tjera, bimët mjekësore kineze, nga ana tjetër, kanë një ndikim të favorshëm në evolucionin e sëmundjes.
- Përdorimi i antibiotikëve
Çfarë mund të bëjmë vetë?
- Gjatë rrjedhës së sëmundjes rekomandohet një dietë e shëndetshme, e ekuilibruar dhe e pasur me vitamina.
- Qëndrimi në shtrat është i domosdoshëm në raste të temperaturës së lartë.
- Pushimi dhe gjumi i mjaftueshëm ndihmojnë shërimin. Ushtrimet fizike duhet të shmangen gjatë sëmundjes.
- Pijet e bollshme, në formën e çajit të ngrohtë, janë të dobishme për hollimin e sekrecioneve. Përveç kësaj, ato kompensojnë humbjen e lëngjeve në raste të temperaturës së lartë. Supa e shpendëve mund të ketë një efekt anti-inflamator.
- Banja e nxehtë, kompresat e nxehta dhe thithja e avullit favorizojnë nxjerrjen e sekrecioneve.
- Ngritja e kokës me jastëkë gjatë natës.
- Evitimi i duhanit dhe i alkoolit.
- Larja e rregullt e duarve me sapun dhe fshirja e tyre me letër (jo me peshqirë) pengojnë përhapjen e shpejtë të viruseve dhe baktereve.
- Të tjera "mjete të vogla" mund të jenë të dobishme në rastet e temperaturës së lartë: kompresa me qepë, me djathë të bardhë, veshja e çorapeve të lagura me uthull, etj.
Për të parandaluar ftohjen, ju këshillojmë të zbatoni këto masa paraprake:
- Shmangni kontaktin me personat e infektuar.
- Lani duart shpesh me sapun për të zvogëluar përhapjen e viruseve dhe baktereve.
- Shmangni ftohjen, duke u veshur në përshtatje me stinën.
- Sauna, trajtimet e Kneipp, alternimi i dusheve të nxehta/të ftohta dhe një dietë e ekuilibruar e forcojnë sistemin imunitar.
- Njerëzit me imunitet të dobësuar (SIDA), ose një sëmundje kronike, ose të moshuarit janë grupet në rrezik; për këta pacientë, masat parandaluese mund të përshkruhen nga mjekja e përgjithshme.
- Vaksina kundër gripit rekomandohet për të moshuarit, personat me imunitet të dobësuar dhe për stafin spitalor. Edhe pse vaksina e gripit nuk mbron nga ftohjet, ajo ndihmon për të përmirësuar rrjedhën e sëmundjes dhe për të zvogëluar rrezikun e ndërlikimeve.
- Marrja e rregullt e preparateve të vitaminës C duket së pakëson rrezikun e infeksioneve. Përkundrazi, multivitaminat dhe oligo-elementët nuk e zvogëlojnë rrezikun e infeksionit. E njëjta gjë vlen edhe për bimën Echinacea.