Sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës (SDKG)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës (SDKG) është një sëmundje infektive kryesisht e padëmshme e shkaktuar nga një virus, që prek fëmijët nën moshën 10 vjeç.
Virusi shumë ngjitës transmetohet përmes piklave (pështymës, sekrecioneve) dhe përmes sendeve të infektuara. Jo të gjithë fëmijët sëmuren, shumë janë vetëm bartës të virusit, por ata mund të infektojnë fëmijë të tjerë me të. Të rriturit gjithashtu mund të infektohen, por zakonisht nuk sëmuren ose ecuria e sëmundjes tek ata është shumë e lehtë.
SDKG është përgjithësisht e padëmshme, me simptoma të ngjashme me gripin. Skuqjet janë tipike kryesisht në zonat e gojës, hundës, duarve dhe thembrave të këmbëve. Më vonë, formohen fshikëza dhe ulçera kryesisht në pjesën e brendshme të gojës (gjuha, mishrat e dhëmbëve, brenda faqes). Ushqyerja dhe pirja bëhen shumë të dhimbshme dhe rreziku i dehidrimit rritet, veçanërisht tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Infeksioni ndodh shpesh në muajt e pranverës dhe verës. Periudha e inkubacionit (koha nga infeksioni deri në fillimin e sëmundjes) ndryshon nga 3-60 ditë, më shpesh zgjat 3-6 ditë. Sëmundja në vetvete zakonisht përfundon pas rreth 10 ditësh. E rëndësishme: fëmijët e sëmurë me SDKG duhet të izolohen derisa të mos kenë simptoma.
Nuk ka medikamente dhe asnjë vaksinë parandaluese kundër virusit që shkakton këtë sëmundje. Vetëm simptomat mund të trajtohen me ilaçe dhe mjete shtëpiake.
Kjo sëmundje e njeriut nuk ka asnjë lidhje me SDKG që shfaqet tek kafshët, pasi tek këto të fundit shkaktohet nga një lloj krejtësisht i ndryshëm i virusit. Në vendet aziatike gjithmonë ka epidemi të mëdha të SDKG-së, pjesërisht për shkak të një virusi agresiv dhe pjesërisht për shkak të higjenës së dobët në këto vende.
Sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës (SDKG) nxitet nga enteroviruset ose nga viruset coxaki. Enteroviruset janë të përhapura dhe kolonizojnë zorrën njerëzore. Prandaj, viruset shpesh përhapen, ndër të tjera, nga duart e kontaminuara prej jashtëqitjeve.
Llojet e tjera të përhapjes janë:
- Infektimi nëpërmjet spërklave gjatë të folurit, kollitjes, teshtitjes, si dhe nëpërmjet sekrecioneve të plagëve (nga flluskat e plasura)
- Kontakti i ngushtë trupor (përqafime, puthje)
- Sendet e infektuara (lodra, peshqira, etj.)
- Në shumë vende tropikale përhapja ka lidhje me higjenën e dobët, ushqimin e papjekur ose ujin e ndotur.
Periudha e inkubacionit (koha nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e simptomave) varion nga 3-60 ditë, më shpesh 3-6 ditë. Sëmundja zakonisht përfundon pas 10 ditësh.
Sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës (SDKG) zakonisht fillon me simptoma të ngjashme me gripin:
- Dobësi e përgjithshme trupore
- Temperaturë e lartë, ethe
- Anoreksi
- Dhimbje në fyt, ndoshta kollë
- Konjuktivit
Pas disa ditësh, pacienti shfaq kruajtje, puçrra, që shfaqen së pari në zonën e gojës dhe hundës dhe më vonë përhapen në duar dhe këmbë (veçanërisht në pëllëmbët dhe thembrat). Skuqja shfaqet gjithashtu në hapësirat midis gishtërinjve të duarve dhe këmbëve, si dhe tek foshnjat në zonën e pelenës.
Forma e skuqjes
Në fillim lëkura është vetëm e kuqe. Pastaj shfaqen fshikëza të mëdha të bardha-gri me të kuqe, afërsisht 3-8 mm, me një kufi të kuq. Ulçera të dhimbshme zhvillohen në gjuhë, mishrat e dhëmbëve dhe pjesën e brendshme të faqeve. Fshikëzat dhe ulçerat përmbajnë viruse dhe për këtë arsye janë shumë ngjitëse. Pas rreth një jave, fshikëzat dhe ulçerat shërohen pa lënë shenjë.
Ndërlikimet nga SDKG janë shumë të rralla. Një foshnjë me ethe ose me temperaturë të lartë që nuk mund të ulet, ose që shfaq edhe simptoma të tjera, duhet të ekzaminohet dhe të mjekohet.
Veçanërisht kur shfaqen simptomat ose ankesat e mëposhtme:
- Angina
- Otiti
- Sinuziti
- Vështirësia në frymëmarrje
- Sekrecionet me gjak
- Ngurtësia e qafës (= urgjente, mund të jetë një shenjë e Meningitit akut, pacientit duhet t’i nënshtrohet menjëherë trajtimit mjekësor)
- Për sa kohë që fëmija ka simptoma, duhet të parandalohen të gjitha kontaktet me fëmijët e tjerë, d.m.th. asnjë vizitë në shtëpi, në qendrën e kujdesit ditor, kopsht apo shkollë.
- Virusi ndryshon shpejt, kjo është arsyeja pse fëmija mund të sëmuret disa herë. Sa më i rritur të jetë fëmija, aq më i dobët është kursi i sëmundjes. Të rriturit mund të jenë bartës të viruseve, por ata rrallë sëmuren vetë.
Mjeku zakonisht mund ta bëjë diagnozën e SDKG bazuar në simptomat dhe skuqjen e lëkurës.
Në raste shumë të rralla, duhet të ekzaminohen për virusin: jashtëqitja, lëngu truno-shpinor, grykët, hundët ose konjuktiva. Për këtë qëllim, kryhen kulturat e materialeve të marra në këto zona.
Nëse dyshohet për një sëmundje tjetër, nevojiten testime të mëtejshme laboratorike.
Nuk ka medikamente kundër vetë virusit të SDKG, me medikamente mund të trajtohen vetëm simptomat, si:
- Dhimbjet
- Temperatura e lartë
- Kolla
Ushqimi i fëmijëve të vegjël të prekur
- Ushqimi dhe pijet nuk duhet të shërbehen shumë të nxehta.
- Ushqimet acide duhet të shmangen.
- Fëmijët që nuk pranojnë të hanë, shpesh mund të joshen me qull, akullore, puding, kos ose supa të ftohta.
- Mjalti në tampon pambuku jep sheqer dhe energji. Mjalti gjithashtu ka dhe një efekt dezinfektues (mos jepni mjaltë para moshës 1 vjeç!).
- Larjet e gojës me kamomil, balsam limoni ose trumze gjithashtu ndihmojnë në lehtësimin e inflamacionit në gojë.
- Pirja e lëngjeve është shumë e rëndësishme për të kompensuar humbjen e lëngjeve. Rreziku i dehidrimit
Fëmijët e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi derisa simptomat të jenë zhdukur plotësisht.
Higjiena e rreptë e tualetit:dezinfektimi i WC-së, veshja e dorezave kur ndërroni pelenat dhe larja e plotë e duarve, veçanërisht para përgatitjes së ushqimit, është shumë e rëndësishme.
Masat e tjera parandaluese:
- Asnjë kontakt fizik i ngushtë (si puthje, përqafime)
- Mos i ndani sendet personale
- Kini kujdes kur teshtini, shfryni hundën ose kolliteni (mbajini duart përpara, përdorni një shami dhe më pas lajini duart plotësisht me sapun).
- Respektoni rregullin e higjienës së ushqimit "Gatuajeni, qërojeni ose lëreni!".
- Aktualisht nuk ka vaksinë për sëmundjen e duarve, këmbëve dhe gojës.