logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)

Gjendra tiroide peshon 30 gramë dhe gjendet në pjesën e përparme dhe të poshtme të qafës. Ajo ka formën e fluturës dhe përbëhet nga dy lobe (lobi i djathtë dhe i majtë), që lidhen me një pjesë qendrore që quhet istmus. Në pjesën më të madhe të njerëzve me funksion të egzagjeruar të tiroides (hipertireozë), konstatohet zmadhim i saj (gusha).

Inflamacioni i gjendrës tiroide përfaqëson ndryshime të strukturës së saj, që mund të jenë me origjinë bakteriale, virale ose autoimune (shih më poshtë). Tiroiditet kronike (të vazhdueshme) shoqërohen shpesh nga ulja e funksionit të gjendrës tiroide (hipotireoza). Ky fenomen haset edhe në rastet e tiroiditeve akute ose ato të Riedel (më rrallë).

Tiroiditi: ethe, ënjtje, skuqje e gjëndrës tiroide.
Tiroiditi: ethe, ënjtje, skuqje e gjëndrës tiroide.

Funksioni kryesor i gjendrës tiroide është prodhimi i dy hormoneve të saj, që janë T4 dhe T3. Ato luajnë një rol thelbësor dhe të pazëvendësueshëm kontrollues mbi metabolizmin e organizmit (tërësinë e reaksioneve kimike që zhvillohen në nivelin qelizor). Për prodhimin e këtyre hormoneve, gjendra tiroide ka nevojë për jod.

Flitet për hipertireozë kur gjendra tiroide prodhon një sasi të egzagjeruar të hormoneve të saj, që çojnë në përshpejtim të të gjitha proçeseve metabolike në organizëm. E kundërt është situata në rastin e hipotireozës, ku sasia e hormoneve të prodhuara është e mangët, dhe pasohet nga ngadalësimi i proçeseve metabolike.

Tiroiditi karakterizohet nga një inflamacion i gjendrës tiroide, që mund të shoqërohet nga shtimi ose pakësimi i metabolizmit bazal. Ecuria e tij është e ndryshme, në varësi të shkakut. 

Njihen katër forma të tiroiditit:

  • Tiroiditi akut (i menjëhershëm, bakterial)
  • Tiroiditi subakut i de Quervain (viral)
  • Tiroiditi kronik i Hashimotos (autoimun) 
  • Tiroiditi fibrotik i Riedel, që përfaqëson një formë të veçantë të sëmundjes.

Hipertireoza shfaqet edhe gjatë sëmundjeve të tjera të tiroides, siç është p.sh. sëmundja e Bazedov. 

Shkaqet e tiroiditit janë të ndryshme në varësi të formës së tij.

Tiroiditi akut

Në pjesën më të madhe të rasteve, shkaktohet nga një infeksion bakterial, më rrallë nga një infeksion nga kërpudhat. Ai mund të shfaqet gjithashtu edhe pas trajtimit me rreze (rrezatimit) ose traumave të tiroides.

Tiroiditi subakut (de Quervain)

Është me origjinë virale. Prek kryesisht femrat me moshë nga 40-50 vjeç, dhe shpesh shërohet në mënyrë spontane.

Tiroiditi kronik (Hashimoto)

Është një sëmundje autoimune, që shoqërohet me hipotireozë të përhershme. Si shkak për të shërben mosfunksionimi normal i sistemit imunitar (mbrojtës) të organizmit, si pasojë e të cilit organizmi prodhon antitrupa kundër indit të gjendrës tiroide (autoantitrupa), të cilët shkaktojnë inflamacion të gjendrës.Nga ky proçes janë më të prekura femrat (3 herë më shumë) se meshkujt. Kjo sëmundje mund të shfaqet edhe gjatë shtatzanisë.

Tiroiditi Riedel

Kjo formë është e rrallë dhe njihet ndryshe si tiroiditi fibrotik. Ai karakterizohet nga enjtja e gjendrës tiroide. Në këtë rast, gjendra është e fortë, e nxehtë dhe formon ngjitje me indet fqinje. Rritja e egzagjeruar e këtij indi të fortë çon në forcimin e disa zonave të qafës, me shkatërrim të një pjese të gjendrës tiroide dhe përhapjen e tij në indet periferike. Kjo sëmundje mund të shkaktojë forcim të të gjithë kraharorit.

Simptomat e inflamacionit të gjendrës tiroide (tiroiditit) janë të ndryshme, në varësi të formës së tij. Kështu:

Tiroiditi akut karakterizohet nga:

  • Temperatura
  • Zmadhimi i gjendrës tiroide, që bëhet e fortë dhe e dhimbshme.
  • Zmadhim i nyjeve limfatike
  • Prodhim në sasi normale të hormoneve tiroidiene.
  • Mundësi e formimit të abcesit (vatër e qelbëzuar).

Tiroiditi subakut karakterizohet nga: 

  • Ndryshim i rëndësishëm i gjendjes së përgjithshme, me dobësi të përgjithshme trupore.
  • Zmadhim i gjendrës tiroide, shpesh vetëm në njërën anë të saj (njërin lob).
  • Dhimbje muskulare
  • Temperaturë (jo gjithmonë)
  • Rritje e theksuar e shpejtësisë së sedimentit, që është tregues i inflamacionit.
  • Dhimbje të qafës, që përhapen drejt veshit dhe nofullës së poshtme.

Në fazën e parë konstatohet një hipertireozë kalimtare, që pasohet nga normalizimi i nivelit të hormoneve të tiroides në gjak. Në raste të rralla mund të shkaktojë hipotireozë të përhershme.

Tiroiditi kronik (Hashimoto)

Është përshkruar për herë të parë nga japonezi Hashimoto në Gjermani në vitin 1912. Kjo formë është shpesh asimptomatike (pa simptoma). Megjithatë, gjatë ecurisë së saj mund të shfaqet hipertireoza, që pasohet nga hipotireoza, e cila përgjithësisht e shoqëron pacientin për gjithë jetën. Tiroiditi Hashimoto mund të reflektohet me zmadhim të gjendrës (në 70% të rasteve) ose atrofi (zvogëlim) të saj.

Tiroiditi Riedel

Kjo formë karakterizohet nga fibroza e shprehur (forcimi) e gjendrës tiroide dhe strukturave përreth saj. Për këtë arsye, ajo shkakton shtypje të trakesë, që reflektohet me çrregullime të proçesit të frymëshkëmbimit.

Simptomat e hipertireozës


Diagnoza e sëmundjes së inflamacionit të gjendrës tiroide (tiroiditit) përcaktohet nga mjeku specialist endokrinolog, duke u bazuar në:

  • Historinë e detajuar të fillimit të sëmundjes
  • Simptomat që paraqet pacienti në momentin e konsultimit
  • Informimin e tij lidhur me çrregullime të mundshme të aftësisë për të parë
  • Egzaminimin fizik të pacientit, që konsiston në palpacionin (egzaminimi nëpërmjet prekjes) e gjendrës tiroide në nivelin e qafës.
  • Dozimin në gjak të hormoneve tiroidiene.
  • Kryerjen e ekografisë së tiroides dhe/ose skanerit të qafës, për evidentimin e vëllimit të gjendrës tiroide.

Në rastet kur në gjendrën tiroide konstatohen kokrra (noduj), mund të jetë e nevojshme marrja e materialit me shiringë, për kryerjen e biopsisë (për të përjashtuar mundësinë e një kanceri të tiroides).
Kryerjen e shintigrafisë së tiroides, që mundëson vlerësimin e shkallës së fiksimit të lëndës radioaktive (Jod ose teknecium) prej tiroides, pas injektimit paraprak të tyre.

Trajtimi i inflamacionit të gjendrës tiroide (tiroiditit) është i lidhur drejtpërdrejt me formën e tij.

Tiroiditi akut me origjinë bakteriale trajtohet me antibiotikë. Në rastin e formimit të abcesit, mund të jetë e nevojshme hapja dhe zbrazja e tij me rrugë kirurgjikale (operacion).

Tiroiditi subakut dhe kronik ka të nevojshme, para së gjithash, qetësimin e simptomave të pacientit, pra një trajtim simptomatik. Në rastin e shfaqjes së hipotireozës, rekomandohet edhe përdorimi i hormoneve të tiroides, në formën e tabletave që merren nga goja.

Hipertireoza, në rastin e shfaqjes së saj me rrahje të çrregullta të zemrës, dridhje të trupit trajtohet me beta-bllokuesit që i qetësojnë këto simptoma.

Tiroiditi Riedel duhet të trajtohet me rrugë kirurgjikale, nëpërmjet një hapjeje në nivelin e gjendrës tiroide, në mënyrë që të lirohen rrugët e kalimit të ajrit (trakea).

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.