logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Dhimbja e shpinës prek kryesisht qafën, pjesën e shpinës dhe pjesën e belit të shtyllës kurrizore.
Dhimbja e shpinës prek kryesisht qafën, pjesën e shpinës dhe pjesën e belit të shtyllës kurrizore.
Shkaqet më të shpeshta të dhimbjeve të shpinës janë: sëmundjet e aparatit lokomotor në nivelin e muskujve (psh. harkimet, zgjatjet, kontraktimet), të vertebrave, disqeve të tyre, etj.

Praktikisht, secili nga ne ka vuajtur gjatë jetës së tij prej dhimbjes së shpinës. Kjo simptomë është një nga shkaqet kryesore të konsultimit mjekësor dhe të regjimit të shtratit në botë.

Dallohen dhimbje të ndryshme të shpinës, në varësi të karakteristikave të tyre, si:

Karakteri dhe lokalizimi i dhimbjeve

Dhimbja e shpinës karakterizohet shpesh nga tendosja ose djegia dhe mund të manifestohet në të gjitha pjesët e shpinës. Më shpesh, preket pjesa lumbare (e belit) e shtyllës kurrizore, më pak pjesa cervikale (e qafës). Pjesa torakale (e kraharorit) e shtyllës kurrizore është më pak e prekur. Dhimbjet mund të kufizohen në një pjesë të veçantë të trupit, por mund të përhapen në shpatulla, krahë ose këmbë. Në aspektin mjekësor, dhimbjet e belit quhen «lumbalgji». Ato mund të shfaqen menjëherë (më shpesh pas një lëvizjeje të sforcuar) ose të zhvillohen gradualisht.

Në dhimbjet e shpinës bën pjesë edhe rakialgia. Nervi shiatik del nga pjesa lumbare e shtyllës kurrizore për të inervuar këmbët. Një dëmtim i këtij nervi në nivelin e shtyllës kurrizore shkakton dhimbje, mpirje ose dobësi muskulare të kërcirit, madje edhe të këmbës.

Dhimbja specifike dhe jospecifike të shpinës

Dhimbjet specifike të shpinës kanë një shkak trupor të veçantë, si psh. një dëmtim i diskut të vertebrave, degjenerime, lëndime, dëmtime të nervave, inflamacione ose sëmundje të tjera specifike. Dhimbjet jospecifike të shpinës nuk kanë asnjë shkak trupor evident.

Dhimbja akute dhe kronike e shpinës

Një dhimbje shpine akute nuk duhet të zgjasë më tepër se dymbëdhjetë javë. Flitet për dhimbje shpine kronike kur kjo periudhë tejkalohet.

Çrregullimet shoqëruese të mundshme të dhimbjes së shpinës janë: mpirjet e krahëve dhe të këmbëve, dobësia muskulare, dhimbjet e muskujve, paralizat, ethet.

Më shpesh, dhimbjet e shpinës janë jospecifike, pra nuk kanë një shkak evident. Nga ana tjetër, dhimbjet specifike të shpinës rezultojnë nga një sëmundje specifike e trupit, dhe janë shumë më të rralla (psh. degjenerimet e vertebrave, dëmtimet e disqeve të vertebrave, osteoporoza). Gjithashtu, organe të tjera si zemra, mushkëritë ose organet e brendshme mund t’i përhapin dhimbjet në shpinë dhe të shkaktojnë lumbalgji. Gjithsesi, këto sëmundje shoqërohen edhe me çrregullime të tjera.

Shkaqet e dhimbjes jospecifike të shpinës

Këtu bëjnë pjesë tensionet muskulare gjatë stresit, pasiviteti fizik ose për shkak të përdorimit të papërshtatshëm dhe në mënyrë kronike të shtyllës kurrizore (psh. për shkak të profesionit), që luajnë një rol mbizotërues në shfaqjen e dhimbjes jospecifike të shpinës. Gjithashtu, shkaqe të tjera të kësaj lloj dhimbjeje janë mbipesha trupore, problemet psiqike (depresioni, problemet psikosociale), situata të stresit në punë. Dhimbja e shpinës gjatë shtatzanisë është gjithashtu një problem i shpeshtë dhe i vazhdueshëm.

Shkaqet e dhimbjes specifike të shpinës

  • Hernia diskale
  • Proçeset degjeneruese të shtyllës kurrizore, veçanërisht artroza e kyçeve vertebrale
  • Lumbalgjia
  • Artriti kronik
  • Sëmundjet reumatizmale, psh. spondiliti ankilozant
  • Osteoporoza me fraktura të vertebrave (veçanërisht tek femrat e moshuara)
  • Sëmundjet reumatizmale të shtyllës kurrizore
  • Skolioza (devijimi anësor i shtyllës kurrizore)
  • Ngushtimi i kanalit të shtyllës kurrizore
  • Kanceri i pankresit
  • Metastazat në shtyllën kurrizore nga kancere të regjioneve të tjera

Në përgjithësi, një mënyrë e shëndetshme e jetesës, që konsiston në një aktivitet fizik të rregullt, ushqyerje të ekuilibruar dhe një të përditshme aktive, ndikon në funksionimin normal të shpinës. Gjithashtu, pozicioni ulur dhe qëndrimi korrekt, si dhe mbajtja korrekte e objekteve ndihmojnë në këtë drejtim.

Kur bëhet fjalë për një dhimbje shpine të thjeshtë, lëvizja është ilaçi më i mirë. Sa më shpejt të jetë i mundur aktiviteti fizik, aq më shpejt do kalojë dhimbja. Pushimi, që aplikohet në shumë raste, jo vetëm që nuk e ndihmon shpinën, por përkundrazi favorizon shpeshtimin e dhimbjes.

Këshillat e mëposhtme ndihmojnë për të lehtësuar, madje edhe evituar dhimbjet beninje të shpinës pas një sforcimi të theksuar ose tensioni muskular:

  • Aplikimi i nxehtësisë ose të ftohtit, në varësi të faktit se cila nga të dyja e pakëson dhimbjen (psh. duke vendosur një borsë të ngrohtë ose një qese me akull në zonën e dhimbshme për 15 minuta).
  • Masazhe të buta
  • Ushtrime specifike për stërvitjen e muskujve të trungut. Muskulatura e barkut dhe ajo e belit mbështesin dhe lehtësojnë punën e shtyllës kurrizore.
  • Lëvizjet e lehta i forcojnë muskujt e shpinës, pakësojnë tensionet muskulare dhe evitojnë kronicizimin e dhimbjes. Aktivitetet fizike që konsiderohen të favorshme për personat që kanë dhimbje të shpinës janë: ecja e shpejtë, ecja nordike, biçikleta dhe noti.
  • Gjatë aktivitetit ulur, duhet të ketë periudha të shkurtra pushimi, ku mund të ngriheni në këmbë, të aplikoni tërheqje muskulare, të çtendosni muskujt.
  • Praktikoni aktivitet fizik të rregullt, por kujdes: mos aplikoni ushtrime për muskujt gjatë dhimbjeve akute!
  • Reduktoni stresin
  • Përdorni medikamente kundër dhimbjes (antialgjikët) për periudha të shkurtra kohore, gjithnjë pasi të jeni konsultuar me mjekun ose farmacistin tuaj.

Në shumicën e rasteve, dhimbja e papritur dhe jospecifike e shpinës është e parrezikshme dhe shfaqet për disa javë. Nëse dhimbja është e durueshme për pacientin dhe ky i fundit ndjen përmirësim gjatë katër javëve të para, rekomandohet të pritet. Megjithatë, nëse dhimbjet janë të forta, të vazhdueshme, duhet të kryhet menjëherë konsulta dhe trajtimi mjekësor, për të evituar shpeshtimin e tyre.

Përveç sëmundjeve beninje të shpinës, egzistojnë dhimbje të shpinës që kanë nevojë për egzaminim dhe trajtim të menjëhershëm nga mjeku. Këto dhimbje janë:

  • Pas një aksidenti ose rrëzimi
  • Dhimbjet e shpinës që shtohen në intensitet
  • Kur pacienti është diagnostikuar me kancer ose osteoporozë
  • Pas një trajtimi kronik me kortizonikë (osteoporoza është efekt i padëshiruar i tyre)
  • Kur dhimbjet përhapen në krahë ose këmbë
  • Kur pacienti paraqet mpirje, humbje të forcës muskulare ose paraliza në krahë ose këmbë
  • Kur pacienti ndjen mpirje në vithe ose në organet gjenitale
  • Kur ka vështirësi gjatë urinimit ose defekimit
  • Me reduktim të theksuar të lëvizshmërisë ose vështirësi në frymëshkëmbim
  • Me ethe, pa shkak të dukshëm të infeksionit
  • Me lodhje dhe rënie në peshë

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
  • Mjeku reumatolog
  • Mjeku ortoped

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Në pjesën më të madhe të rasteve, mjeku mund të evidentojë shkaqet beninje të dhimbjes së shpinës (psh. dhimbja e shpinës nga tensionet muskulare), dhe shkaqet serioze të saj (psh. hernia diskale) me ndihmën e anamnezës dhe të egzaminimit fizik të plotë. Egzaminimet e tjera (si psh. radiografia, skaneri ose rezonanca magnetike) mund të jenë të nevojshme vetëm në rastet kur pacienti paraqet çrregullime që justifikojnë egzaminime më të hollësishme.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me dhimbjet e shpinës: kur janë shfaqur fillimisht, ku lokalizohen saktësisht, karakteri dhe shkalla e dhimbjes, faktorët shpërthyes të saj, nga se përforcohet dhe nga se lehtësohet dhimbja, ecuria e dhimbjeve gjatë ditës, nëse shfaqen dhimbje gjatë natës, nëse përhapet dhimbja në krahë dhe këmbë, nëse ka patur episode të mëparshme të dhimbjeve, etj.
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër).
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë dhe operacionet.
  • Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e  vdekjeve në familjen e pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi), etj.

Egzaminimi fizik

Mjeku inspekton lartësinë trupore dhe kërkon për asimetri muskulare dhe keqformime të pozicionit trupor (psh. shpina e harkuar, ose devijimi anësor i shtyllës kurrizore). Më pas, ai egzaminon forcën muskulare, reflekset, si dhe ndjeshmërinë dhe lëvizshmërinë e shtyllës kurrizore. Duke palpuar të gjithë shtyllën kurrizore, mjeku mund të diagnostikojë forcimet e saj, që mund të jenë shenjë e tensioneve muskulare.

Egzaminimet mjekësore specifike diagnostike:

Trajtimi i dhimbjeve të shpinës varet nga shkaku (nëse janë dhimbje specifike ose jospecifike), si dhe nga intensiteti i tyre. Sa më parë që të fillohet trajtimi, aq më i vogël është rreziku që dhimbjet të bëhen kronike. Më poshtë paraqiten mënyrat e trajtimit, që mund të jenë efikase vetëm ose të kombinuara me njëra-tjetrën.

Masat e përgjithshme

Në përgjithësi, lëvizja është mënyra më e mirë për të luftuar një dhimbje shpine jospecifike. Gjithashtu, kombinimi i lëvizjeve me medikamentet (antialgjikët, relaksuesit muskularë) është tepër efikas, pasi mund të pakësojë dhimbjen dhe të lëshojë muskujt. Gjithsesi, në disa raste është e nevojshme të evitohen lëvizjet e shpinës për një periudhë të shkurtër kohore.

Medikamentet

  • Medikamentet me efekt antialgjik, antiinflamator dhe relaksues të muskulaturës
  • Antidepresantët për sëmundjet kronike (kanë efekt antialgjik dhe ndihmojnë për pakësimin e përdorimit të analgjezikëve)
  • Infliltrimi lokal i muskujve të tendosur.

Trajtimi fizik

  • Aplikimi i nxehtësisë (drita infrared, kompresat e ngrohta)
  • Stimulimi nervor elektrik transkutan (përmes lëkurës)

Fizioterapia dhe trajtime të tjera

  • Fizioterapia
  • Trajtimi manual
  • Pajisjet ortopedike
  • Masazhet
  • Akupunktura
  • Trajtimi psikoterapeutik, menaxhimi i stresit

Ndërhyrja kirurgjikale

Në disa raste lëndimesh, herniesh diskale ose tumoresh, mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...