Goditja nga nxehtësia
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Nëpërmjet djersitjes, trupi kërkon të parandalojë rritjen e temperaturës së tij të brendshme. Nëse ky proçes vazhdon për një periudhë të gjatë kohore, sistemi i qarkullimit kardio-vaskular lodhet dhe mund të shkaktojë goditjen nga nxehtësia. Kjo pasohet me çrregullime të funksionit të zemrës dhe enëve të gjakut, marrje mendsh dhe humbje të vetëdijes (urgjencë mjekësore!).
Personat më të rrezikuar nga goditja prej nxehtësisë janë të moshuarit, foshnjat dhe të sëmurët kronikë (diabetikët).
Goditja nga nxehtësia është gjithmonë një urgjencë dhe duhet të menaxhohet nga një ekip mjekësor.
Shkaqet e goditjes nga nxehtësia janë rrezet e forta të diellit, nxehtësia e madhe, mospirja e lëngjeve në sasinë e nevojshme, veshjet e ngushta dhe të ngrohta, ose edhe turma shtypëse e njerëzve. Foshnjat mund të shfaqin goditje nga nxehtësia nëse janë të mbuluar shumë.
Djersitja në një mjedis të nxehtë shkakton humbje të sasive të mëdha të lëngjeve dhe kripës. Gjithashtu, enët e gjakut të lëkurës zgjerohen, në mënyrë që të rritin qarkullimin sipërfaqësor të gjakut, për të çliruar nxehtësinë trupore. Kjo pasohet nga çrregullime të sistemit kardio-vaskular, si ulja e presionit të gjakut dhe mosfurnizimi i mjaftueshëm i trurit me oksigjen, duke shkaktuar marrje mendsh.
Faktorët e rrezikut për goditjen nga nxehtësia:
- Mosha (personat e moshuar dhe foshnjat)
- Sëmundjet kronike (si diabeti i sheqerit)
- Abuzimi me alkoolin ose abuzimi me drogat
- Turmat e mëdha të njerëzve, në ambiente të ngrohta
- Udhëtimet e gjata me makinë (në trafik) pa ajër të kondicionuar
- Puna fizike ose praktikimi i sporteve në ambiente të ngrohta
- Mospirja e lëngjeve në sasi të mjaftueshme
- Përdorimi i veshjeve ose batanijeve tepër të ngrohta, vendosja e shtretërve shumë afër (shtretër marinarësh).
Goditja nga nxehtësia karakterizohet nga këto simptoma:
- Fillimisht, djersitje e theksuar
- Më pas, në një stad të avancuar lëkura bëhet e thatë (urgjencë mjekësore !)
- Çrregullime kardiovaskulare, si rënia e presionit të gjakut
- Gjendje konfuzioni, humbje e vetëdijes (sinkop)

Goditja nga nxehtësia apo shenjat që sugjerojnë për një gjendje të tillë përbëjnë një urgjencë mjekësore. Për këtë arsye, në të tilla situata duhet të njoftohet menjëherë shërbimi i urgjencës mjekësore ose një mjek.
Në këto raste, duhet të largohet menjëherë pacienti nga burimi i nxehtësisë (dielli, turma, makina, etj.), dhe të shtrihet në një shtrat të freskët (në shtëpi, nën një pemë, në ajër të pastër, nën një çadër ose tendë që e mbron nga dielli).
Nëse personi është i vetëdijshëm:
- Të shtrihet në mënyrë korrekte, me këmbë të ngritura lart
- T’i lirohen rrobat, në mënyrë që të mos e shtrëngojnë, dhe të ajroset sa më mirë
- Të freskohet, veçanërisht zona e kokës dhe qafës me kompresa të ftohta. Kujdes! Nuk duhet të vendoset akull në zonën e kokës!
- T’i jepen lëngje të freskëta ose të vakëta (jo të nxehta!) në formën e çajit me sheqer, supës ose një përzierjeje që përmban: ujë, pak lëng frutash, shumë pak kripë (për të kompensuar humbjen e kripës).
Nëse personi nuk është i vetëdijshëm:
- Të njoftohet menjëherë një mjek ose shërbimi i urgjencës mjekësore
- Të vendoset personi në pozicionin anësor të sigurisë dhe të mos lihet vetëm për asnjë moment
- Të mbulohet i gjithë trupi me një mbulesë të freskët, port ë mos vendoset akull në zonën e kokës!

Për të parandaluar goditjen nga nxehtësia, duhet patur parasysh që:
- Në periudhat e nxehta të vitit, nuk duhet të qëndrohet për një kohë të gjatë në diell. Të evitohet qëndrimi në diell në mesditë.
- Të përdoren kapele, mundësisht me material që lejon ajrosjen e kokës
- Të mbrohemi nga dielli, nëpërmjet veshjeve të përshtatura sipas temperaturës
- Të pihen sasi të mjaftueshme të lëngeve, nga 2-3 litra në ditë
- Të evitohet alkooli
- Të evitohen turmat e njerëzve, veçanërisht gjatë stinës së nxehtë.