Analiza e gjakut (Ekzaminimi i gjakut, Marrja e kampionit të gjakut, Vlerësimi i gjakut)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është marrja e gjakut?
Marrja e një kampioni gjaku (marrja e një sasie të vogël të gjakut) bëhet për qëllime diagnostike, për të kontrolluar ecurinë e një trajtimi apo për një kontroll të përgjithshëm të shëndetit. Më pas gjaku dërgohet në laborator, për të vlerësuar treguesit që do të japin informacione të vlefshme në lidhje me mbarëvajtjen e funksionit të organeve, mbi proçeset metabolike dhe mbi shumë funksione të tjera të organizmit si dhe problemet patologjike të tij.
Kampioni i gjakut praktikisht merret në çdo sëmundje. Nga ky kampion, që dërgohet për t’u analizuar në laborator, vlerësohen treguesit e gjakut që kërkohen nga mjeku, me anë të metodave specifike laboratorike. Pra nga një analizë e vetme e gjakut mund të percaktohen vlerat e shumë treguesve të tij.
Marrja e gjakut në shumicën e rasteve bëhet në mollëzën e gishtit (gjaku kapilar). Në rast se nevojitet marrja e një kampioni më të madh të gjakut, si psh. në rastin kur do të analizohen tregues specifikë apo faktorët koagulues të tij, atëherë ky kampion do të merret në venën e parakrahut (gjaku venoz). Për të vlerësuar gazet në gjak (astrupograma), si psh. oksigjenimi i gjakut, do të nevojitet marrja e gjakut arterial në arterien radiale, ku preket pulsi i kyçit të dorës. Ndërkohë, për të matur sasinë e sheqerit në gjak, mjafton një pikë gjaku e mollëzës së gishtit ose e llapës së veshit (gjaku kapilar).
Marrja e kampionit të gjakut është një ndër ekzaminimet më të shpeshta të mjekësisë së përgjithshme, mjekësisë interne apo kirurgjisë.
A është e nevojshme përgatitja e pacientit para marrjes së gjakut?
Në shumicën e rasteve nuk është e nevojshme. Në rastin e matjes së sheqerit esëll, pacienti duhet të paraqitet esëll. Udhëzimet merren nga mjeku. Në rastin e kontrollit të nivelit të hormoneve duhet kryer ekzaminimi në ditë të caktuara të muajit, në varësi të luhatjes së nivelit të tyre. Në rastin e dozimit të një medikamenti në gjak, gjaku duhet të merret menjëherë pas marrjes së medikamentit.
Çfarë shpjegimi nevojitet para ekzaminimit?
Nuk ka nevojë për shpjegime specifike para marrjes së gjakut.
Si merret gjaku kapilar?
Për marrjen e gjakut kapilar nevojitet vetëm një shpim i vogël i mollëzës së gishtit me gjilpërë, ku shpohet kapilari periferik. Gjaku i marrë për ekzaminim do të mblidhet me pika me anë të një tubi kapilar (ose pipetë), pasi eliminohet pika e parë. Në rast se duam të sigurojmë më tepër gjak, duhet të shtypet më fort maja e gishtit.
Si merret gjaku venoz?
Marrja e gjakut zgjat vetëm disa minuta dhe kryhet në pozicionin ulur ose për personat e ndjeshëm, që i zë gjaku, në pozicionin shtrirë. Venat "e mira" për marrjen e gjakut venoz gjenden në parakrah. Edhe venat e pozicionuara në pjesën e poshtme të krahut ose në kurrizin e dorës, që janë lehtësisht të dukshme janë të përshtatshme, por shpimi në këto zona do të jetë pak më i dhimbshëm. Në pjesën e sipërme të parakrahut lidhet një tub llastik (zhguti), i cili shtrëngon krahun për ta bërë venën lehtësisht të dukshme dhe të palpueshme. Me një garzë me alkool dezinfektohet zona e shpimit ku shpohet me age apo vendoset një age flutur (age e shkurtër e pajisur me një tub të vockël) dhe mblidhet gjaku në një tub apo në disa të tillë në varësi të ekzaminimit. Pas marrjes së kampionit të gjakut, hiqet zhguti, shtypet lehtësisht vendi i shpimit dhe vendoset një ankerplast.
Kur këshillohet marrja e gjakut?
Marrja e gjakut këshillohet në raste sëmundjesh të ndryshme, për të na siguruar një tablo të plotë informacioni për vendosjen e diagnozës, monitorimin e progresit të sëmundjes dhe kontrollin e mbarëvajtjes së trajtimit. Nëpërmjet treguesve të gjakut, mjeku informohet mbi inflamacionet e ndryshme, diabetin, infarktin akut të miokardit dhe tumoret.
Treguesit kryesorë të gjakut që monitorohen janë:
- Raport i plotë mbi elementët e gjakut: rruazat e kuqe (eritrocitet), rruazat e bardha (leukocitet), pllakëzat e gjakut (trombocitet) dhe vlera e hemoglobinës
- Balanca e elektroliteve (mineraleve) dhe vitaminave në gjak: proteinat, natriumi, kaliumi, vitamina D etj.
- Sedimenti dhe faktorët e koagulimit
- Formula e gjakut
- Funksioni metabolik, niveli i yndyrnave dhe sheqerit në gjak
- Treguesit e funksionit të organeve (mëlçia, veshkat, pankreasi, etj.)
- Vlerat e hormoneve në gjak, si ato të gjendrës tiroide, të gjendrave mbiveshkore, apo gjendrave seksuale
- Matja e treguesve specifikë të gjakut, si: markerat (shënjuesit) tumoralë, antitrupat, enzimat e zemrës e shumë të tjera.
A paraqet rreziqe apo efekte të padëshiruara marrja e gjakut?
Ky ekzaminim përgjithësisht është pa dhimbje dhe pa rreziqe. Në rastin e vështirësisë në gjetjen e venës, pakujdesisë në marrjen e gjakut, apo në rastet e mos ushtrimit mjaftueshëm të presionit tek vendi i shpimit pas nxjerrjes së ages, mund të ndodhin episode hemorragjike të vogla në vendin e shpimit. Infeksionet janë jashtëzakonisht të rralla, për shkak të sipërfaqes së vogël të shpimit, si dhe të dezinfektimit të përhershëm të vendit të shpimit. Personat e ndjeshëm, ata që kanë ankth nga gjilpërat, apo që i "zë gjaku", duhet të qëndrojnë shtrirë gjatë proçedurës së marrjes së gjakut dhe të largojnë shikimin tutje gjatë shpimit, për t’i shmangur këto probleme.