Epididimiti (Inflamacioni i epididimisit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Epididimiti është një infeksion i epididimisit, i shkaktuar përgjithësisht nga bakteriet.
Epididimisi është një tub i hollë, që ndodhet në sipërfaqen e pasme të çdo testi (testikuli) dhe përbëhet nga tre pjesë: koka, trupi dhe bishti. Ai shërben si një depozitë për spermën, ku ajo qëndron derisa piqet mjaftueshëm. Pikërisht për shkak të afërsisë së epididimisit me testet, infeksionet e tij mund të përhapen në teste, duke shkaktuar orki-epididimitin.
Kjo sëmundje haset në meshkujt e çdo moshe, por më e shpeshtë ajo është në grupmoshën 20-39 vjeç. Në këtë grupmoshë, shkaktarët e epididimitit janë po ata që shkaktojnë sëmundjet seksualisht të transmetueshme gjatë marëdhënieve seksuale të pambrojtura, si klamidia (50-60% e rasteve) dhe gonorrhea. Infeksioni në këto raste është tepër i dhimbshëm, por mund të shërohet shpejt nëse trajtohet në mënyrë korrekte, me antibiotikë dhe medikamente që ulin enjtjen lokale. Nëse nuk trajtohet, ai mund të bëhet kronik (i shpeshtë) dhe të shkaktojë sterilitet (paaftësi për të bërë fëmijë) të pacientit.
Në pjesën më të madhe të rasteve, përgjegjëse për inflamacionin e epididimisit (epididimitin) janë bakteret (si klamidia). Përgjithësisht, bëhet fjalë për një infeksion që përhapet nga lart-poshtë, nga bakteret që hyjnë në aparatin urinar dhe prekin epididimisin.
Klamidia mund të transmetohet gjatë marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Gjithsesi, infeksion të rrugëve urinare mund të shkaktojnë edhe baktere të tjera, si kolibacilet (Esheria Koli), enterokokët dhe klebsiela.
Shkaqe të tjera të epididimitit janë:- Traumat e shkaktuara nga një aksident, rrëzim, goditje me këmbë ose goditje e thjeshtë.
- Infeksionet e shkaktuara nga sonda urinare (kateteri urinar).
- Më rrallë, infeksionet e ardhura nëpërmjet gjakut nga një vatër tjetër infeksioni në organizëm, që mund të jenë infeksione të fshikëzës së urinës ose të prostatës.
- Sëmundje shoqëruese të sëmundjeve reumatizmale.

Pacienti me inflamacion të epididimisit (epididimit) paraqet këto simptoma:
- Dhimbje, enjtje dhe skuqje në zonën e epididimisit (në pjesën e pasme të testeve).
- Dhimbje gjatë urinimit
- Dhimbje që mund të përhapen në ijë dhe në fundin e barkut.
- Dobësi e përgjithshme trupore, temperaturë, ethe.
- Më vonë, dhimbje në shtypje në zonën e testeve.
Inflamacioni akut i epididimisit zhvillohet përgjithësisht shpejt, brenda një periudhe kohore nga 24-36 orë.

Diagnoza e inflamacionit të epididimisit (epididimitit) përcaktohet në bazë të:
- Historisë së sëmundjes
- Simptomave të pacientit
- Informimit të mjekut mbi infeksione të tjera të kaluara kohët e fundit.
- Egzaminimit fizik të pacientit, palpimit (egzaminimit nëpërmjet prekjes) të epididimisit dhe testeve.
- Egzaminimit ekografik
- Analizave të gjakut
- Analizës së urinës, për të evidentuar një infeksion të mundshëm të rrugëve urinare.
- Matjes së temperaturës

Masat e përgjithshme
Në pacientët me epididimit rekomandohet vendosja e kompresave të ftohta, ngritja e testeve, dhe shmangia e sforcimeve fizike.Në pacientët me inflamacion të epididimisit (epididimit), shfaqja e ndërlikimeve varet nga mënyra e trajtimit të tij. Kështu:
- Në rast se trajtohet që në fillim, ai shërohet pa ndërlikime.
- Në raste më të rënda, në zonën e epididimisit grumbullohet qelb, duke formuar abces. Kjo situatë mund të rëndohet, me përhapjen e infeksionit në gjak (septicemia), që përbën një urgjencë mjekësore. Për këtë arsye, abcesi duhet të trajtohet me rrugë kirurgjikale (operacion).
- Në rastin e trajtimit të papërshtatshëm ose tepër të shkurtër, epididimiti mund të bëhet kronik (i shpeshtë).
- Në rast se infeksioni përhapet në teste, shfaqet orki-epididimiti. Në të tilla raste, shpesh është e nevojshme heqja e epididimisit dhe testit të prekur.
- Një epididimit ose orki-epididimit që ka çuar në mbylljen e kanaleve të epididimisit (nga ku del sperma), mund të shkaktojë sterilitet të pacientit.

Për të parandaluar shfaqjen e inflamacionit të epididimisit (epididimitin), rekomandohet:
- Trajtimi sa më shpejt që të jetë e mundur i infeksioneve të rrugëve urinare ose të prostatës.
- Evitimi i marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, veçanërisht me partnerë të shumtë.
- Përdorimi i prezervativëve gjatë marëdhënieve seksuale, si mënyra e vetme efikase, për t’u mbrojtur ndaj infeksioneve bakteriale seksualisht të transmetueshme.
- Inflamacioni i testit (orkiti).