logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Analiza e urinës: shërben për monitorimin e cilësisë dhe përmbajtjes së urinës, dhe për të parë dhe zbuluar ndonjë ndryshim të mundshëm të saj.
Analiza e urinës: shërben për monitorimin e cilësisë dhe përmbajtjes së urinës, dhe për të parë dhe zbuluar ndonjë ndryshim të mundshëm të saj.

Çfarë është analiza e urinës?

Analiza e urinës kryhet në laborator dhe është një nga testet më të shpeshta diagnostike mjekësore.Ajo kërkohet si analizë për monitorimin e cilësisë dhe përmbajtjes së urinës, dhe për të parë dhe zbuluar ndonjë ndryshim të mundshëm të saj. Kjo lloj analize jep informacion për sëmundje të ndryshme, kryesisht ato të veshkave, fshikëzës urinare dhe traktit urinar. Gjithashtu, ajo mund të zbulojë që në fazën e hershme sëmundje të rënda metabolike, si diabeti i sheqerit (nga shfaqja e sheqerit në urinë). Për kryerjen e analizës së urinës nevojitet një mostër urine që të ekzaminohet në laborator.

Analiza e urinës mund të bëjë të mundur identifikimin e gjakut në urinë (eritrocitet), rruazave të bardha të gjakut (leukocitet), sheqerit, proteinave, nitriteve, baktereve dhe patologji të tjera.

Analiza e urinës është një ekzaminim bazë në disa disiplina të ndryshme mjekësore, duke përfshirë këtu mjekësinë e përgjithshme, mjeksinë interne (të organeve të brendshme), urologjinë dhe gjinekologjinë.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara ekzaminimit? 

Stafi mjekësor i siguron pacientit një gotë të posaçme dhe sterile për mbledhjen e urinës.Në momentin kur pacienti do të mbledhi urinën duhet të sigurohet që organet gjenitale të jenë të pastra, në mënyrë që të mos ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

 Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit? 

Kurdo që të jetë e mundur, femrat nuk duhet të testojnë urinën e tyre gjatë menstruacioneve, pasi urina do të rezultonte me prani të gjakut, duke dhënë rezultat të gabuar.

Si realizohet analiza e urinës?

  • Analiza e urinës kërkon mbledhjen e urinës nga mesi i saj, dhe organet gjenitale duhet të pastrohen përpara urinimit. Kështu që asnjë bakter i jashtëm nga organet genitale apo nga lëkura nuk mund të ndikojë në mostrën e urinës. Si tek femrat ashtu është tek meshkujt higjena duhet të jetë maksimale.
  • Gota e urinës duhet të mbyllet hermetikisht, dhe i jepet personelit mjekësor për t‘u analizuar më pas në laborator.
  • Parametrat kryesorë përcaktohen nëpërmjet vendosjes së stripit në urinë. Pasi është njomur plotësisht tek mostra e urinës, stripi lexohet pak minuta më pas. Ndryshimet vërehen tek ngjyrat në zonën reaktive në strip. Më pas urina centrifugohet për të përqëndruar përbërësit qelizorë të saj: ky quhet sediment urinar, që ekzaminohet me anë të një mikroskopi për të zbuluar praninë e qelizave të kuqe ose të bardha të gjakut, infeksionet e mundshme, bakteret, kristalet, etj. Nëse zbulohen baktere, bëhet mbjellja nëpër kultura të posaçme me ndihmën e një inkubatori, për të indentifikuar me saktësi llojin e bakterit dhe ndjeshmërinë e tij ndaj antibiotikëve.  
  • Gjithashtu, në urinë mund të kryhet një test shtatzënie, si dhe mund të evidentohen substanca të ndryshme që sekretohen në urinë, si psh. kontrolli anti-doping.
  • Në disa raste është e rëndësishme të grumbullohet urina sterile me ndihmën e një kateteri, direkt nga fshikëza urinare.                           
  • Analiza të tjera kërkojnë mbledhjen e urinës 24-orëshe, për të kontrolluar sasinë e substancave ose hormoneve të sekretuara nga trupi. Mbledhja e urinës 24-orëshe përfshin 1 ditë dhe 1 natë. Këshillohet të mblidhet nga ora 7 e mëngjesit deri të nesërmen me urinën e parë të orës 7 të mëngjesit.

Kur është e nevojshme analiza e urinës?

Ashtu si analizat e gjakut ashtu edhe ajo e urinës është pjesë e kontrolleve rutinë. Ajo shërben për parandalim, diagnostikim, dhe kontroll terapeutik të sëmundjeve të ndryshme, veçanërisht në raste të çrregullimeve të veshkave dhe sëmundjeve të traktit urinar, diabetit, mëlçisë, dhe sëmundjeve të shoqëruara me anemi.

Arsyet më të zakonshme që kërkojnë analizën e urinës janë:

  • Diabeti i sheqerit
  • Inflamacioni i veshkave dhe infeksionet e traktit urinar, glomerulonefriti, pielonefriti
  • Tumoret e veshkave
  • Tumoret e fshikëzës urinare
  • Tumori i prostatës
  • Sëmundjet inflamatore të veshkave
  • Dëmtimi i veshkave për shkak të një ose disa medikamenteve të përdorura 
  • Gurët në veshka
  • Probleme me funksionin e mëlçisë, hepatiti, verdhëza
  • Hipertensioni i lidhur me shtatzëninë (Preeklampsia)

A paraqet ky ekzaminim risqe ose efekte të padëshiruara?

Si rregull, mostra e urinës mblidhet gjatë urinimit natyral, pra nuk ka asnjë rrezik. Kur merret urina me anë të një kateteri direkt nga fshikëza e urinës, janë të mundshme ndërlikimet përkatëse si: infeksionet, hemoragjitë dhe dëmtimi i organeve.


Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...