Cistiti (Infeksioni i fshikëzës urinare, Inflamacioni i fshikëzës urinare)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Infeksionet e rrugëvë urinare dhe të fshikëzës së urinës janë më të shpeshta tek femrat, sepse rrugët urinare të femrës janë më të shkurtra se të mashkullit. Për këtë arsye, bakteret hyjnë më shpejt në fshikëzën e urinës,
veçanërisht tek femrat në moshë të re, me jetë seksuale aktive.
Meshkujt e moshuar shfaqin më shpesh infeksione urinare (cistite). Kjo është e lidhur me zmadhimin e prostatës, që pengon rrjedhjen e urinës. Dallohen dy forma të infeksioneve të rrugëve urinare: infeksionet e rrugëve të poshtme urinare dhe ato të rrugëve të sipërme urinare. Në grupin e parë hyjnë infeksionet e uretrës dhe fshikëzës së urinës, ndërsa në grupin e dytë hyjnë infeksionet e veshkave.
- Gjinia femërore
- Shtatzënia dhe lindja
- Mangësia në oksigjen gjatë menopauzës
- Hipertrofia e prostatës (tek meshkujt)
- Gurët e veshkave, që pengojnë eleminimin e urinës
- Ngushtimi i uretrës
- Diabeti i tipit 1 dhe tipit 2
- Përdorimi i kateterit urinar
- Higjiena e keqe (pastrimi i zonave gjenitale, duke nisur nga anusi drejt vaginës, që favorizon depërtimin e mikrobeve që vinjë nga zorra e trashë në rrugët gjinekologjike dhe ato urinare).
- Ulja e imunitetit tek foshnjat, fëmijët, të sëmurët kronikë dhe personat që trajtohen me medikamente që ulin imunitetin (siç është kortizoni).
- Përhapja e infeksioneve nga marrëdhëniet seksuale intensive.

Pacienti me cistit mund të paraqesë këto simptoma:
- Dhimbje dhe djegie gjatë urinimit (alguria)
- Vështirësi në urinim (dizuria)
- Urinimi me urgjencë, me nxjerrjen e sasive të vogla të urinës (polakiuria)
- Urinë me ngjyrë të errët, ndoshta e përzier me gjak
- Dhimbje dhe shtrëngime në fund të barkut
Çdo simptomë e cistitit ka nevojë për konsultim mjekësor, sepse infeksioni mund të përhapet në rrugët e sipërme urinare.
Bëhet fjalë për infeksion të rrugëve të sipërme, nëse shfaqen simptoma si:
- Temperaturë e lartë, të dridhura
- Dhimbje në shpinë (dhimbje në veshkë)
- Dobësim dhe çrregullim i rëndësishëm i gjendjes së përgjithshme

Për diagnozën e cistitit janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut specialist nefrolog me simptomat e pacientit
- Ekzaminimi fizik
- Matja e temperaturës, për të përjashtuar një infeksion të veshkës
- Analizat e urinës: kërkimi i baktereve, qelizave të bardha dhe të kuqe në urinë.
- Ekografia e aparatit urinar dhe e barkut, për të përjashtuar një sëmundje tjetër të legenit.
- Në stade të avancuara, rekomandohet një ekzaminim i plotë i fshikëzës, i quajtur cistoskopi, që lejon eksplorimin e fshikëzës në brendësi.

Çfarë mund të bëjmë vetë?
- Duhet të konsumoni patjetër 2-3 litra lëngje në ditë, që mund të jenë çajra me përmbajtje bimore, që nxisin urinimin. Kjo bën të mundur urinimin në sasi të mëdha, duke evituar shfaqjen e infeksionit të rrugëve urinare.
- Përdorni medikamente dhe çajra me përmbajtje bimore, si boronica, hithra, etj. Për më tepër informacion rreth tyre, mund t’i drejtoheni farmacistit.
- Gjatë urinimit, përpiquni ta zbrazni plotësisht fshikëzën e urinës.
- Përpiquni të zbrazni fshikëzën e urinës pas marrëdhënieve seksuale
- Vishuni ngrohtë, në përshtatje me motin
- Evitoni konsumin e kafesë, pasi ajo dobëson sistemin imunitar dhe irriton mukozën e fshikëzës së urinës.
- Mos përdorni veshje sintetike, sepse ato krijojnë kushte të përshtatshme për shumëzimin e mikrobeve, si bakteret dhe kërpudhat.
Në rast se trajtohet në mënyrë të përshtatshme, cistiti shërohet brenda një kohe të shkurtër. Është thelbësore që trajtimi i filluar të mos ndërpritet shumë shpejt, në mënyrë që të mos rikthehet infeksioni.
Një cistit i pamjekuar mund të ndërlikohet nga inflamacioni i veshkës. Në këtë fazë, mikrobet rrezikojnë të kalojnë në gjak (gjendja e septicemisë) dhe të provokojnë sëmundje tepër të rënda, që vënë në rrezik jetën e pacientit.
Një pasojë tjetër e mundshme e cistitit është fibroza e fshikëzës së urinës, që përfaqëson stadin e fundit të një cistiti kronik. Në këtë rast, vëllimi i fshikëzës ulet, muret e saj ngurtësohen dhe pengojnë urinimin, që do të thotë se urina nuk mund të eleminohet më dot spontanisht, nëpërmjet aktit të urinimit.