logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Lupusi eritematoz: sëmundje kronike inflamatore autoimune me simptoma të lëkurës.
Lupusi eritematoz: sëmundje kronike inflamatore autoimune me simptoma të lëkurës.

Sëmundja e lupusit është një sëmundje autoimune, që prek disa organe, veçanërisht kyçet dhe lëkurën.

Sëmundja mund të shfaqet në forma të ndryshme, ndër të cilat më kryesoret janë: lupusi eritematoz sistemik (i përhapur në të gjithë trupin) dhe lupusi kutan (i lëkurës).

Në rastin e lupusit kutan preket vetëm lëkura, ndërsa në rastin e lupusit sistemik sëmundja prek jo vetëm lëkurën, por edhe kyçet dhe organet e tjera. Numri i organeve të prekura në këtë formë është i ndryshëm në persona të ndryshëm. Tabloja klinike tipike karakterizohet nga një eritemë (skuqje) e fytyrës në formën e krahëve të fluturës, ndjeshmëri e lartë ndaj dritës dhe prekja e kyçeve. Duhet theksuar që lupusi i lëkurës mund të përparojë drejt një lupusi sistemik.

Në pjesën më të madhe të rasteve, shkaku i sëmundjes është i panjohur. Lupusi prek kryesisht femrat ndërmjet 25-35 vjeç. Mund të shfaqet për herë të parë menjëherë pas një shtatzanie. Për këtë arsye mendohet që në zhvillimin e tij luajnë rol të rëndësishëm hormonet femërore, veçanërisht estrogjeni.

 

Shkaqet që çojnë në shfaqjen e lupusit nuk janë ende të njohura plotësisht, por është e mundur që kjo gjë përfshin një numër faktorësh.

Trashëgimia familjare duket se ndikon, pasi kjo sëmundje rezulton më e shpeshtë në familje të caktuara. Gjithsesi, duhet theksuar që sëmundja lupike nuk bën pjesë tek sëmundjet e trashëgueshme. Që të shprehet tendenca gjenetike për zhvillimin e saj, duhet të jenë të pranishëm njëkohësisht edhe faktorë të tjerë, që në këtë rast konsiderohen faktorët shpërthyes të lupusit.

Faktorët shpërthyes:

  • Rrezet ultraviolet: ekspozimi në diell dhe ndaj rrezeve ultraviolet mund të shpërthejë episode akute (të menjëhershme) të lupusit.
  • Hormonet femërore: estrogjenët, pilulat kontraceptive (që përdoren për parandalimin e shtatzanisë).
  • Disa infeksione mund të luajnë rol në shpërthimin e lupusit, por ky argument është ende në studim e sipër.

Pas prekjes së indit lidhor të lëkurës dhe enëve të vogla të gjakut të disa organeve, këto inde konsiderohen nga organizmi si elemente të huaja, të panjohura prej tij, ndaj të cilave ai duhet të mbrohet. Inflamacioni i indeve përparon, duke prekur në këtë mënyrë organe të tjera.

Format e veçanta të lupusit eritematoz:

  • Lupusi i shkaktuar nga medikamentet: disa medikamente mund të provokojnë shfaqjen e lupusit. Në këtë rast, simptomat e sëmundjes janë më pak të rënda, zakonisht me prekje vetëm të lëkurës dhe kyçeve.
  • Sindromi antifosfolipidik: pacientët e prekur nga ky sindrom kanë tendencë të zhvillojnë tromboza në nivelin e arterieve dhe të venave të organizmit, duke përfshirë edhe ato të placentës, gjë që mund të çojë në aborte të përsëritura.

 

Lupusi eritematoz: skuqje tipike në fytyrë në formën e fluturës.
Lupusi eritematoz: skuqje tipike në fytyrë në formën e fluturës.

Paraqitja e sëmundjes është shumë e ndryshme nga njëri pacient në tjetrin dhe varet, gjithashtu, edhe nga organet e prekura. Eritema (skuqja) e fytyrës në formën e fluturës është tepër karakteristike për këtë sëmundje. Ajo shtohet nga ekspozimi në diell dhe nuk është e pranishme domosdoshmërisht në të gjithë pacientët.

Mund të jenë të pranishme simptomat e mëposhtme:

  • Simptomat e përgjithshme: temperaturë, lodhje, rënie në peshë. Ato janë shumë të shpeshta.
  • Dhimbje muskulare dhe dhimbje artikulare: e pranishme në 80-90% të rasteve.
  • Eritema kutane: e pranishme në 70% të rasteve. Ajo ka formën e fluturës dhe shfaqet mbi hundë dhe në të dy faqet. Në formën diskoide të lupusit, dëmtimi është i izoluar dhe karakterizohet nga pllaka të kufizuara mirë, që shoqërojnë eritemën, me luspa të trasha dhe cikatrice (kore). Këto elemente të lëkurës janë mjaft të ndjeshme ndaj dritës dhe acarohen gjatë ekspozimit ndaj rrezeve ultraviolet.
  • Inflamacione në zonën e hundës dhe të gojës.
  • Inflamacione në nivelin e zemrës dhe të mushkërive (në rreth 60% të rasteve), me dhimbje gjatë frymëmarrjes.
  • Prekje renale (në rreth 60% të rasteve)
  • Prekje e sistemit nervor qendror (në rreth 60% të rasteve), me konvulsione, paraliza dhe çrregullime psikiatrike të tipit të psikozave.
  • Fenomeni Reino, që karakterizohet nga çngyrosja e thonjve dhe ftohja e gishtave, më të theksuara këto gjatë ekspozimit ndaj të ftohtit.

 

Lupusi eritematoz: zbulimi i shkakut në gjak.
Lupusi eritematoz: zbulimi i shkakut në gjak.

Diagnostikimi i lupusit bëhet nga mjeku specialist reumatolog, vetëm pas konsultimit prej tij të rastit të dyshimtë për këtë sëmundje. Ky mjek duhet të vendosë edhe trajtimin. Diagnoza e lupsit bazohet mbi 11 kritere të përcaktuara nga Shoqata Amerikane e reumatologjisë (ARA). Konkretisht, kjo diagnozë është e mundur në rast se përmbushen 4 nga 11 kriteret e mëposhtme.

Kriteret e ARA-s:

  1. Lupus eritematoz me eritemë në formën e krahëve të fluturës
  2. Lupus diskoid
  3. Ndjeshmëri ndaj dritës
  4. Ulçeracione në gojë
  5. Artrit në të paktën dy artikulacione
  6. Inflamacion i pleurës (i cipës së mushkërive-pleuriti) dhe i perikardit (i cipës së zemrës-perikarditi)
  7. Prekje e veshkave, me albuminuria (prani e albuminës në urinë) dhe hipertension arterial.
  8. Prekje nervore
  9. Anomali në gjak: anemi hemolitike (nga shkatërrimi i rruazave të kuqe), ulje e trombociteve (trombopeni) dhe e leukociteve (leukopeni).
  10. Çrregullime imunologjike me identifikimin e antitrupave specifike për lupusin eritematoz, që janë: antitrupat anti-ADN dhe antitrupat antinukleare (AAN).
  11. Diagnoza konfirmohet nëpërmjet biopsisë së indit të marrë nga lëkura.
Lupusi eritematoz: kryesisht trajtimi me medikamente.
Lupusi eritematoz: kryesisht trajtimi me medikamente.
  • Në rastin e prekjes vetëm të lëkurës, përgjithësiht mund të mjaftojë përdorimi i kremrave mbrojtës ndaj diellit dhe i pomadave me përmbajtje kortizoni.
  • Në rastin e prekjes së organeve të tjera (LED), trajtimi varet nga shkalla e aktivitetit të sëmundjes.
  • Kështu, në rastet e lehta: trajtimi konsiston në përdorimin e medikamenteve antiinflamatore josteroide (si psh. Voltareni, Brufeni, Indometacina, etj.), të medikamenteve antimalarike (si Klorokina) dhe të kortizonit në formën e tabletave.
  • Në rastet e rënda: rekomandohet trajtimi me doza të larta të kortizonit dhe imunosupresorëve (frenuesve të imunitetit).
  • Në rastin e prekjes së veshkës, rekomandohet përdorimi i medikamenteve që stabilizojnë tensionin arterial, me qëllim që të mbrohet veshka.

Çfarë mund të bëjmë vetë?

Në rastin e lupusit, përveç trajtimit mjekësor, mjaft i rëndësishëm mbetet qëndrimi ndaj sëmundjes. Nëse qëndrimi i pacientit ndaj saj është pozitiv, pra ai e pranon atë, është i mundur përmirësimi i cilësisë së jetës së tij përgjatë ecurisë së lupusit.

Masa të tjera të dobishme:

  • Mbrojtja kundër diellit
  • Evitimi në mënyrë kategorike i rrezeve ultraviolet dhe evitimi i rrezeve të diellit
  • Evitimi i akoolit
  • Aktivitet i lehtë fizik
  • Mbrojtje kundër të ftohtit, veçanërisht duart dhe këmbët, në stinën e ftohtë të vitit.

 

Është e rekomandueshme ndjekja e rregullt e këtyre pacientëve nga mjeku reumatolog dhe/ose nga një nefrolog.

Në përgjithësi, pacientët përgjigjen mirë ndaj mjekimit me kortizon dhe imunosupresorë. Megjithatë, kortizoni me doza të larta nuk mund të përdoret për periudha të gjata kohore, sepse dobëson shumë imunitetin, duke e ekspozuar trupin ndaj prekjes së infeksioneve.

Paraqitja e sëmundjes është e ndryshme, në varësi të shkallës së zhvillimit dhe të organeve të prekura.

Gjithsesi, në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për një sëmundje të rëndë, gjatë ecurisë së të cilës vihet në rrezik jeta e pacientit si rezultat i prekjes së zemrës, të veshkave dhe të sistemit nervor. Prekja e veshkave mund të ndërlikohet me insuficiencë renale (ulje të funksionit të tyre), që mund të ketë nevojë për kryerjen e dializës (pastrimit artificial të gjakut).

Përdorimi i imunosupresorëve shoqërohet nga një ulje e aftësive mbrojtëse të organizmit, që e bën atë më të dobët dhe më të prekshëm nga infeksionet. Për këtë arsye, në rastin e trajtimit me këto medikamente, duhet treguar vëmendje maksimale për praninë e infeksioneve, në mënyrë që të diagnostikohen dhe trajtohen sa më herët. Në fakt, pas prekjes së veshkave dhe enëve të gjakut, infeksionet janë shkaku kryesor i vdekjeve tek personat e prekur nga lupusi.

 

Lupusi eritematoz dhe shtatzania

Femrat me lupus mund të mbeten shtatzana, edhe pse tek një pjesë e mirë e tyre lupusi shoqërohet nga mungesa e menstruacioneve (amenorre), mungesë e ovulacionit dhe për pasojë një sterilitet i përkohshëm. Për këtë arsye, është mjaft e rëndësishme që femrat që dëshirojnë të mbeten shtatzana të këshillohen rregullisht me reumatologun e tyre.

Rreziqet e lupusit gjatë shtatzanisë

Në mjaft raste, planifikimi i mirë i shtatzanisë mundëson pakësimin e shkallës së rrezikut të kësaj sëmundjeje në shtatzani. Gjithsesi, tek gratë që vuajnë nga lupusi, krahasuar me ato normale, është konstatuar një shpeshtësi më e madhe në shfaqjen e dështimeve të përsëritura, lindjeve para kohe dhe me peshë të vogël të bebit. Aktiviteti i sëmundjes në fillim të shtatzanisë ka një ndikim mjaft të madh mbi ecurinë e saj. Kur sëmundja është në fazën e saj të qetë, joaktive, ecuria e shtatzanisë është shpesh e favorshme. Përkundrazi, nëse sëmundja është aktive, me prekje të veshkave, nuk këshillohet shtatzania ose të paktën, duhet të informohet mjeku në momentin e fillimit të saj, për shkak të pranisë së rreziqeve të mëdha lidhur me shëndetin e nënës dhe fëmijës.

Si është ecuria e bebit?

Fëmijët e lindur nga nëna të prekura nga lupusi gëzojnë përgjithësisht shëndet të plotë, sepse lupusi nuk është sëmundje e trashëgueshme. Gjithsesi, egziston mundësia që bebi të paraqesë dëmtime karakteristike të lupusit në lindje. Ato janë të përkohshme dhe zhduken disa muaj pas lindjes. Disa fëmijë lindin me një sëmundje të lindur të zemrës, që ka nevojë për vendosjen e një nxitësi artificial për zemrën.

Medikamentet që merren gjatë shtatzanisë

Shtatzania duhet të planifikohet nga pacientja me lupus. Kur aktiviteti i sëmundjes është i tillë që nevojitet marrja e medikamenteve, shtatzania duhet të planifikohet nën trajtim medikamentoz. Episodet e sëmundjes në fillim trajtohen me kortizon, që lejon uljen e temperaturës dhe përmirësimin e simptomave të lidhura me kyçet dhe lëkurën. Megjithatë, mund të jetë i nevojshëm edhe përdorimi i imunoglobulinave. Gjatë periudhave të trajtimit, është i domosdoshëm kontrrolli i rregullt në aspektin imunologjik dhe gjinekologjik.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.