Sifilizi
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Sifilizi është një sëmundje e njohur prej shekujsh. Që pas zbulimit të antibiotikëve në vitin 1909 dhe të penicilinës në vitin 1928, është bërë i mundur trajtimi i tij me sukses. Më parë, miliona njerëz (përfshirë gra dhe fëmijë) vdisnin nga kjo sëmundje. Ka vetëm 10 vjet që mjekët pothuajse nuk konstatojnë raste të prekura nga sifilizi (me përjashtim të rasteve të përshkruara në librat mjekësorë), sepse sëmundja praktikisht është zhdukur në Evropën perëndimore. Megjithatë, vitet e fundit po konstatohet një rritje e numrit të rasteve me sifiliz.
Sipas ekspertëve, rritja e e shpeshtësisë së kësaj sëmundjeje është pasojë e transmetimit të lartë të infeksionit nga meshkujt homoseksualë. Studiues të shumtë kanë konstatuar një ulje të ndjeshme të frikës ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme gjatë viteve të fundit.
Infektimi i parë me sifiliz nuk siguron asnjë lloj imuniteti kundër një infektimi të ri. Një sifiliz i diagnostikuar herët dhe i trajtuar menjëherë e në mënyrë korrekte, mund të shërohet plotësisht.
Pasojat e sifilizit janë të parikthyeshme. Në rast se nuk trajtohet, kjo sëmundje mund të shkaktojë vdekjen e pacientit.
Në rastet kur infektohet fetusi në barkun e nënës (gjatë shtatzanisë), bëhet fjalë për sifilizin kongenital (të lindur) që rrezikon jetën e të porsalindurit.
Gjithashtu, të rrezikuar për t`u infektuar nga kjo sëmundje janë edhe personat që kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura me persona të infektuar.
Sifilizi ka karakteristikat e një sëmundjeje kronike të përgjithshme. Simptomat ndahen në katër stade:
Stadi I – Shfaqja e nodujve (kokrrave) pas 2-3 javësh
Karakterizohet nga:
- Infeksioni, formimi i nodujve ose ulçerave në nivelin e zonës së hyrjes së bakterieve, përgjithësisht në organet gjenitale. Ato shërohen pas disa ditësh ose javësh.
- Zmadhimi i nyjeve limfatike (jo gjithmonë).
Stadi II – Simptomat e gripit pas afërsisht 9 javësh
Karakterizohet nga:
- Gjendje gripale me ethe dhe dhimbje të kyçeve.
- Shfaqja e elementeve në lëkurë dhe formimi i fshikëzave (kryesisht në nivelin e mukozave).
- Zmadhim i nyjeve limfatike
- Elementet e shfaqura në lëkurë zhduken pa trajtim, por mund të rishfaqen dhe të lënë shenja të bardha në lëkurë.
- Rënie e flokëve në formën e pllakave.
Stadi II mund të pasohet nga një periudhë asimptomatike (pa shenja), që mund të zgjasë me vite ose me dekada, duke patur parasysh fazën e gjatë të latencës (fazën e fshehtë).
Stadi III - Prekja e organeve
Pas 2-3 vjetësh, sëmundja mund të hyjë në një fazë të re, gjatë së cilës mund të preken organe të brendshme si zemra, enët e gjakut dhe sistemi nervor. Nëse sifilizi diagnostikohet dhe trajtohet shpejt, stadi III shfaqet rrallë.
Shenjat e stadit III:
Shfaqja e elementeve të ulçeruar dhe inflamatorë mbi të gjithë trupin, në organet dhe në enët e gjakut. Shkatërrimi i indeve shoqërohet me probleme kardio-vaskulare (të zemrës dhe enëve të gjakut), etj. Gjithashtu, mund të mbesin edhe cikatrice (shenja) të pakëndshme.
Stadi IV – Shfaqja pas 10-20 vjetësh
Gjatë këtij stadi preken meningjet (cipat e trurit), ganglionet dhe rrugët nervore. Në këtë moment flitet për neurosifilizin.
Shenjat e stadit IV:
- Shfaqja e paralizave dhe çrregullimeve të ndjeshmërisë.
- Krizat e dhimbjeve
- Humbja e reflekseve

Për të diagnostikuar sifilizin, janë të nevojshme:
- Mbledhja e të dhënave të pacientit, përfshirë edhe simptomat dhe informacionet mbi jetën e tij seksuale (edhe në të kaluarën).
- Evidentimi i agjentit patogjen, nëpërmjet testeve specifike të antitrupave në gjak; pas javëve të para testet rezultojnë pozitive, por me kalimin e kohës evidentimi i antitrupave bëhet gjithnjë e më i vështirë. Pas rreth 2 vjetësh, megjithëse infeksioni vazhdon të jetë i pranishëm në organizëm, këto teste rezultojnë negative (faza e latencës). Përkundrazi, në rastin e sifilizit të vonshëm, markuesit specifikë (VDRL) mbeten pozitivë.
- Identifikimi i agjentit patogjen në palcën e kockave (punksioni lumbar).
- Përjashtimi i sëmundjeve të tjera si malaria, lebra dhe tumoret malinje (kanceret).

Kujdes: Partnerët seksualë duhet të informohen në lidhje me praninë e sëmundjes, në mënyrë që t`i nënshtrohen edhe ata kontrrollit mjekësor. Në rast se rezultojnë të infektuar, duhet të trajtohen sa më shpejt.
