logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Laringiti: akut ose kronik, zakonisht për shkak të një infeksioni viral.
Laringiti: akut ose kronik, zakonisht për shkak të një infeksioni viral.

Laringu është një organ që ndodhet në hyrje të trakesë. Ai mundëson të folurën, nëpërmjet kordave të zërit që përmban në brendësi. Gjithashtu, në të sigurohet një mbyllje hermetike gjatë ngrënies, në mënyrë që ushqimi të mos depërtojë në trake, pra në rrugët e ajrit. 

Laringiti përfaqëson një inflamacion akut ose kronik të mukozës së laringut. Ky inflamacion përgjithësisht shkaktohet nga viruse dhe rrallë nga bakterie. Ai manifestohet fillimisht me dhimbje të fytit, që pasohet nga ngjirja e zërit, madje edhe nga humbja e plotë e tij.

Tek moshat fëminore, laringiti mund të shkaktojë vdekjen e pacientit, nëpërmjet detresit respirator (bllokimit të frymëmarrjes).

Në përgjithësi, laringiti shërohet plotësisht brenda disa ditësh. Në disa rrethana të caktuara, laringiti mund të bëhet kronik, duke favorizuar në këtë mënyrë zhvillimin e kancerit të laringut.


 

Laringiti zakonisht provokohet nga viruset, rrallë nga bakteret. Ky inflamacion ndodh shpesh pas një infeksioni të mëparshëm të hundës ose të fytit.

Faktorët e tjerë të rrezikut:

  • Traumatizimi i shpeshtë dhe i vazhdueshëm i kordave të zërit (këngëtarët, mesuesit)
  • Substancat me efekt irritues mbi mukozat (thithja e tymit të duhanit, lëndëve kimike ose gazit)
  • Ajri i nxehtë dhe i thatë, ose i ftohtë
  • Konsumi i alkoolit
  • Alergjitë

 

Laringiti: kollë, dhimbje e fytit dhe humbje e zërit.
Laringiti: kollë, dhimbje e fytit dhe humbje e zërit.

Laringiti mund të shkaktojë këto simptoma:

  • Kollë e thatë, munduese dhe e vazhdueshme
  • Ndjesia e një pengese (nyje) në grykë
  • Dhimbje çjerrëse në fyt
  • Ngjirje deri në humbje të plotë të zërit brenda një kohe shumë të shkurtër
  • Temperaturë (jo gjithmonë)

Në rastet e rënda, psh. gjatë një epiglotiti (inflamacion i epiglotisit) që shoqëron laringitin, mund të jetë i nevojshëm shtrimi në spital i pacientit.

Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

  • Fëmijët me moshë të vogël shfaqin shpesh kombinim të temperaturës me detresin respirator, që përbën një urgjencë mjekësore.
  • Detresi respirator
  • Nxjerrja e gëlbazës, në disa raste e përzier me gjak
  • Temperaturë e lartë
  • Ngjirje e zërit, më pas humbje e tij për disa javë.

 

Laringiti: Laringoskopia.
Laringiti: Laringoskopia.

Për të diagnostikuar një laringit, janë të nevojshme:

  • Njohja e mjekut me historinë e sëmundjes dhe shqetësimet e pacientit
  • Laringoskopia jodirekte (egzaminimi i laringut me pasqyrë): kordat e zërit të skuqura, të enjtura dhe të mbuluara me mukus (sekrecion i bardhë) tregojnë për praninë e laringitit
  • Laringoskopia direkte (eksplorimi i mukozës së laringut nëpërmjet sondës) nën anestezi, që mundëson edhe marrjen e materialit për biopsi (brenda mundësive).

Laringiti: kurseni zërin, ndaloni menjëherë pirjen e duhanit.
Laringiti: kurseni zërin, ndaloni menjëherë pirjen e duhanit.
  • Përgjithësisht laringiti, si çdo ftohje e thjeshtë, mund të shërohet me trajtime shtëpiake.
  • Në rast të shfaqjes së detresit respirator, të gëlbazës (të gjelbër ose me gjak) ose të temperaturës së lartë, është i detyrueshëm konsultimi me mjekun. Trajtimi në këto raste duhet të rekomandohet vetëm nga mjeku specialist oto-rino-laringolog (ORL).
  • Infeksioni me natyrë virale nuk mund të trajtohet, por simptomat shoqëruese të tij mund të lehtësohen. Përkundrazi, në rast se infeksioni rezulton i tipit bakterial, trajtimi konsiston në përdorimin e antibiotikëve të shoqëruar nga një antiinflamator steroid (kortizonik).
  • Në rastet me ndryshime të rëndësishme në sipërfaqen e mukozës së laringut, rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e tyre.

Masa shtesë:

  • Të ndërpritet menjëherë duhani dhe të evitohet qëndrimi në vende me ajër të ndotur nga tymi i tij.
  • Të menaxhohet zëri në mënyrë sa më korrekte (të mos pëshpëritet, dhe as të bërtitet)
  • Të aplikohet thithja e avullit të një përzierjeje uji dhe kripe, uji dhe sherebele ose uji dhe kamomili.
  • Të konsumohen sasi të mëdha pijesh të ngrohta dhe të vendosen kompresa të ngrohta në gjoks
  • Regjim shtrati, me qetësi të plotë dhe sa më shumë gjumë.

 

Nëse ngjirja e zërit dhe kolla e thatë nuk largohen, duhet dyshuar për një laringit kronik. Në stade të avancuara, mjeku mund të konstatojë trashje të mukozës së laringut gjatë laringoskopisë.

Laringiti kronik mund të jetë pasojë e një infeksioni kronik të mukozës së hundës, inflamacioni të sinuseve apo infeksioni të bajameve. Ai gjithashtu mund të provokohet nga përdorimi i tepruar i zërit në mënyrë të përheshme, nga pirja e sasive të mëdha të duhanit, alergjitë e ndryshme, si dhe qëndrimi në ambiente shumë të nxehta ose shumë të ftohta.

Në rastin e laringitit kronik, ndonjëherë është i nevojshëm trajtimi ortofonik (edukimi i kordave të zërit). Një ngjirje e zërit që vazhdon për kohë të gjatë, duhet detyrimisht të konsultohet nga mjeku, sepse mund të jetë shenjë e një kanceri të laringut.

 

Laringiti: mos i mbingarkoni kordat e zërit, mos pini duhan.
Laringiti: mos i mbingarkoni kordat e zërit, mos pini duhan.

Për të parandaluar shfaqjen e laringitit, duhet të respektohen këto rregulla:

  • Të evitohet pirja e duhanit dhe të konsumohen vetëm sasi të pakta të alkoolit
  • Të mos sforcohen kordat e zërit, madje të çlodhen në mënyrë sistematike
  • Të evitohet tharja e ajrit, duke përdorur lagështuesit e ajrit ose duke varur pëlhura të lagura në ambient.
  • Të konsumohen sasi të mëdha lëngjesh.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.