Limfangiti (Inflamacioni i enëve limfatike)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

- Infeksionet e lëkurës, të lokalizuara më shpesh në krahë ose në këmbë
- Pickimi nga insektet
- Inflamacioni purulent (i qelbëzuar) i indeve (abcesi, furunkula, erizipela)
- Injektimi i gjakut të infektuar ose medikamenteve të kimioterapisë gabimisht në indet jashtë venës
- Sëmundjet që favorizojnë formimin e limfangitit, si myku i këmbëve, shërimi i plagëve në mënyrë të ngadaltë si pasojë e diabetit, variçet.
Limfangiti manifestohet me një kordon me ngjyrë të kuqe në lëkurë, që shtrihet nga plaga përgjatë enëve limfatike, drejt zemrës (në mes të kraharorit). Enët limfatike të inflamuara dhe indet përreth tyre janë të dhimbshme dhe të fryra. Po i njëjti fenomen u ndodh edhe nyjeve limfatike të afërta, të cilat zmadhohen, skuqen dhe bëhen të dhimbshme.
Përveç këtyre, pacienti shfaq edhe shenjat e përgjithshme të infeksionit, si ethja, temperatura e lartë, lodhja e përgjithshme trupore.
Përgjithësisht, aspekti karakteristik i lëkurës dhe historia personale e pacientit (veçanërisht nëse ai referon për pickim nga insektet ose plagosje në lëkurë) e orientojnë mjekun drejt diagnozës së sigurt të një limfangiti. Gjithashtu, mjeku duhet të kontrollojë me shumë kujdes sipërfaqen e plagëve në lëkurë, si dhe të kërkojë për enjtje dhe dhimbje të mundshme gjatë palpacionit të nyjeve limfatike të afërta.
Përveç këtyre, ai duhet të kontrollojë për burimin e mundshëm të infeksionit, që shpesh është i vështirë të evidentohet.

Në përgjithësi, limfangitet trajtohen me antibiotikë, pasi përgjithësisht janë rezultat i një infeksioni bakterial. Inflamacioni zvogëlohet vetëm disa ditë pas trajtimit.
Infeksionet periodike të enëve limfatike mund të sjellin demtime të parikthyeshme të tyre. Si rrjedhim, çrregullohet rrjedhja e limfës, duke çuar në formimin e limfedemës (enjtje e lëkurës dhe indit përreth si pasojë e grumbullimit të lëngjeve limfatike).
Teorikisht, limfangiti i patrajtuar mund të çojë në gjendjen e septicemisë (infeksion i rëndë i organizmit i shkaktuar më shpesh nga depërtimi i bakterieve në qarkullimin e gjakut). Në pacientët e shëndetshëm zhvillimi i këtij ndërlikimi është i rrallë.
Septicemia është një sëmundje potencialisht kërcënuese për jetën, e karakterizuar nga temperatura shumë e lartë dhe dridhjet trupore për shkak të përhapjes së bakterieve në të gjithë trupin përmes enëve të gjakut. Megjithë terapinë intensive korrekte, ajo mund të jetë fatale për jetën e pacientit. Pikërisht për këtë arsye, çdo pacient që paraqet shenja klinike të dyshimta për një limfangit, duhet detyrimisht të konsultohet nga mjeku. Kjo ndihmon në diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, që parandalon ecurinë drejt septicemisë.