Inflamacioni i bajameve (Amigdaliti, Angina, Tonsiliti)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Bajamet, tonsilat, ose amigdalet, përfaqësojnë një barrierë mbrojtëse natyrale të organizmit ndaj infeksioneve. Bajamja e faringut, bajamja e gjuhës dhe bajamet e qiellzës formojnë unazën limfoide (tonsilare) të Valdejerit, e cila është pjesë përbërëse e sistemit mbrojtës të organizmit. Ato kanë për funksion mbrojtjen e organizmit ndaj infeksioneve dhe, ashtu si edhe gjendrat limfatike, zmadhohen në rast infeksioni.
Angina ose tonsiliti akut, i quajtur gjithashtu amigdaliti akut, konsiston përgjithësisht në një inflamacion bakterial akut të bajameve të qiellzës, që haset më tepër tek fëmijët e moshave shkollore. Fëmijët me moshë të vogël dhe të rriturit preken rrallë nga kjo sëmundje. Ky infeksion bakterial mund të transmetohet (ngjitet) nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, pikërisht kur personi i sëmurë kollitet dhe lëshon spërklat e pështymës në ambientin përreth.
Në origjinën e inflamacioneve akute të rënda të bajameve, me prani të qelbit, qëndrojnë bakteriet. Në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për streptokokun ose pneumokokun. Meqenëse egziston një shumëllojshmëri e tipeve të streptokokëve dhe meqenëse sistemi mbrojtës nuk është i aftë të prodhojë antitrupa kundër të gjitha këtyre tipeve njëherësh, angina mund të shfaqet në mënyrë të përsëritur, pra të shndërrohet në një sëmundje kronike. Viruset ose bakteriet e tjera rrallë mund të shkaktojnë tonsilit.
Gjithsesi, tonsiliti akut mund të jetë gjithashtu manifestim shoqërues i sëmundjeve të tjera të rënda, si:
Është mjaft e rëndësishme që këto sëmundje të diagnostikohen sa më shpejt, dhe po aq i rëndësishëm është identifikimi i hershëm i agjentëve shkaktarë të tyre.
Pacientët me inflamacion të bajameve (tonsilit) paraqesin këto simptoma:
- Dhimbje në gëlltitje, që përhapet në qafë, deri tek veshët, duke e bërë pothuajse të pamundur ushqyerjen.
- Bajamet janë shumë të skuqura, të fryra dhe të mbuluara me vija ose pika të shndritshme në ngjyrë të verdhë.
- Temperatura është e lartë, me ngritje të menjëhershme
- Dobësi e theksuar trupore
- Shtim i pështymës
- Aroma e pakëndshme e frymës

Diagnoza e tonsilitit është përgjithësisht e lehtë për t’u vendosur. Mjeku orientohet nga:
- Të dhënat e pacientit lidhur me simptomat dhe historinë e fillimit të tyre.
- Ekzaminimi i fytit me pajisjet përkatëse të ORL-s.
- Marrja e materialit indor në faring, për të identifikuar mikrobin shkaktar të tonsilitit (kultura e fytit).
- Analizat e gjakut, për të përjashtuar sëmundje të tjera.

Trajtimi i anginës varet drejtpërdrejt nga tipi i mikrobit shkaktar të saj.
Kështu:
- Infeksionet bakteriale nga streptokoku trajtohen me antibiotikë.
- Në rast se infeksioni është me natyrë virale, trajtimi është vetëm simptomatik, që do të thotë vetëm për qetësimin e shqetësimeve që paraqet pacienti. Në këtë kuadër: për temperaturën e lartë përdoren medikamentet që e ulin atë (antipiretike), në formën e suposteve, për dhimbjen e fytit dhe vështirësinë në gëlltitje përdoren medikamentet kundër dhimbjes (antialgjikët).
Është mjaft e rëndësishme që medikamentet të përdoren sipas rekomandimit të mjekut. Antibiotikët duhet të përdoren vetëm për periudhën e përshkruar nga mjeku, në mënyrë që të parandalohet krijimi i rezistencës së bakterieve ndaj tyre.
- Abcesi rreth tonsilave, që konsiston në grumbullimin e qelbit në gropën mbajtëse të tyre, është një ndërlikim i shpeshtë i anginës me qelb. Në këtë rast bëhet fjalë për një urgjencë mjekësore, që ka nevojë për trajtim të menjëhershëm nga mjeku specialist ORL (otojatër).
- Bakteriet që mund të jenë në origjinën e një abcesi të tonsilave janë: streptokoku, stafilokoku, ose Hemofilus influence. Abcesi duhet të hiqet me rrugë kirurgjikale, së bashku me tonsilat.
- Në sajë të trajtimit me antibiotikë, ndërlikimet e mëvonshme të anginës, si: problemet reumatizmale, sëmundjet e veshkave (glomerulonefriti), apo sëmundjet e zemrës (endokarditi-inflamacioni i murit të brendshëm të zemrës), pothuajse nuk shfaqen më në ditët e sotme.
- Tonsilitet e përsëritura (kronike) mund të çojnë në heqje të tonsilave me rrugë kirurgjikale (tonsilektomia, amigdalektomia), në mënyrë që të parandalohet shfaqja e ndërlikimeve të përmendura më sipër.
- Regjim i rreptë në shtrat
- Për temperaturën e lartë mund të përdorni kompresa të freskëta ose suposte me antipiretikë.
- Pini sa më shumë lëngje, edhe nëse kjo shkakton dhimbje fyti, sepse egziston rreziku i dehidrimit (tharjes) të organizmit. Për këtë qëllim, mund të përdoren çajra bimore me kamomil, xhenxhefil ose mente, që qetësojnë dhimbjen e fytit. Gjithashtu, mund të përdoren edhe lëngje perimesh të freskëta, apo përzierje të tilla si: 1 gotë ujë i vakët, lëngu i një kokrre limoni, 4 lugë çaji mjaltë dhe një majë luge kafeje kripë. Kujdes: Lëngjet e frutave nuk rekomandohen, sepse irritojnë edhe më shumë fytin.
- Konsumoni perime të ziera të vakëta dhe supëra të ngrohta.
- Qëndroni në ambiente me ngrohje të mjaftueshme. Veçanërisht ngrohtë duhet të mbahet zona e qafës, ku mund të vendosni kompresa të ngrohta.
- Bëni gargare me një përzierje uji me kripë, apo me përzierje uji të vakët me dy lugë çaji me lëng qepe, pasi kanë efekt mjaf mjaft të mirë në shkatërrimin e bakterieve.
- Përpiquni të evitoni pijet me përmbajtje acide dhe ushqimet pikante që mund të irritojnë fytin. Ushqime të tilla si dhalla, gjiza dhe ushqimet e skuqura janë të ndaluara të konsumohen.
- Kujdesuni maksimalisht për higjienën tuaj, veçanërisht nëse vuani nga forma kronike e tonsilitit.
- Përpiquni të pakësoni të folurin, në mënyrë që fyti juaj të qëndrojë sa më gjatë në qetësi.
Kujdes: Çdo tonsilit duhet të konsultohet dhe trajtohet nga mjeku ORL. Në rastin e shfaqjes së simptomave të lidhura me frymëmarrjen dhe formimin e abcesit, ekziston rreziku i mbytjes. Për këtë arsye, këto situata duhet të konsiderohen si urgjenca mjekësore.