logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel Desalmand)
Toksoplazmoza: një sëmundje infektive e rrezikshme për foshnjat gjatë shtatzënisë.
Toksoplazmoza: një sëmundje infektive e rrezikshme për foshnjat gjatë shtatzënisë.

Është fjala për një infeksion të shkaktuar nga një parazit i quajtur Toksoplazma Gondi. Ai është mjaft i përhapur tek gjitarët dhe i transmetueshëm tek njeriu (zoonozë). Ndër gjitarët, macja luan një rol të rëndësishëm në transmetimin e këtij infeksioni tek njeriu nëpërmjet jashtëqitjeve (feçeve) të saj.

Duhet theksuar dallimi ndërmjet infeksionit (pa shenja të dukshme dhe pa ndërlikime) dhe sëmundjes së toksoplazmozës, që është relativisht e rrallë. Pas infektimit prej saj, krijohet një mbrojtje e përhershme kundër agjentit patogjen, me kusht që organizmi të mos ketë ulje të aftësive të tij mbrojtëse (imunitare).

Infektimi prej toksoplazmës përbën një problem tepër të madh në periudhën e shtatzanisë. Në fakt, nëse gruaja shtatzanë infektohet për herë të parë nga ky parazit gjatë shtatzanisë, ai mund të kalojë tek fetusi (fëmija në bark).

 

Është mjaft e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet një infektimi pas lindjes (postnatal) dhe atij përpara lindjes (prenatal):
  • Infektimi pas lindjes: agjenti patogjen (kistet e parazitit) transmetohet gjatë konsumimit të mishit të kuq, të papjekur plotësisht, veçanërisht mishit të derrit dhe qingjit. Veç kësaj, njeriu mund të infektohet nëse fut duart në gojë pasi ka prekur me to perime të ndotura me jashtëqitjet e maceve të infektuara. Transmetimi i infeksionit mund të ndodhë edhe direkt, nëpërmjet duarve të palara, pas kontaktit të drejtpërdrejtë me macet ose jashtëqitjet e tyre.
  • Infektimi para lindjes: nëse gruaja shtatzanë infektohet për herë të parë gjatë shtatzanisë, agjenti patogjen mund të kalojë tek fëmija. Sa më vonë të ndodhi infektimi gjatë shtatzanisë, aq më e madhe është mundësia që paraziti të transmetohet tek fëmija. Përkundrazi, nëse infektimi i nënës ndodh përpara shtatzanisë, fëmija do të jetë i mbrojtur kundër infeksionit, gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të tij.

Koha e inkubacionit (koha ndërmjet momentit të infektimit dhe shfaqjes së shenjave të para) zgjat në përgjithësi nga 1-3 javë.

  • Tek individët e shëndetshëm, me mbrojtje imunitare normale, sëmundja është pa shenja të dukshme në më shumë se 90% të rasteve. Kjo vlen edhe për gratë shtatzana. Në raste të rralla mund të konstatohen: ethe e lehtë, dhimbje e kokës ose dhimbje e gjymtyrëve, lodhje dhe zmadhim i gjendrave limfatike në nivelin e qafës.
  • Tek individët me imunitet të ulur, mund të preken të gjitha organet e organizmit ku predominon sistemi nervor qendror, që është organi më i prekur. Kjo prekje mund të shfaqet në formën e ndryshimit të karakterit, paralizës, krizave epileptike, ethes dhe dhimbjes së kokës.
  • Në ratin e transmetimit të infeksionit nga nëna tek fëmija, simptomat variojnë në varësi të momentit të shtatzanisë kur ka ndodhur infektimi. Kështu, nëse infektimi ndodh gjatë tremujorit të parë të shtatzanisë, ai mund të shkaktojë dëmtime të rënda tek fetusi, ose ndërprerje të shtatzanisë (abort). Nëse infektimi ndodh gjatë tremujorit të dytë ose të tretë të shtatzanisë, mund të shkaktojë dëmtime të ndryshme, sipas rastit. Dëmtimet e rënda janë më të rralla, por rreth 50% e fëmijëve që nuk shfaqin asnjë shenjë klinke në lindje, mund të zhvillojnë dëmtime të mëvonshme, të tilla si prapambetja mendore ose vonesa në zhvillim.

 

Në rastin e dyshimit për toksoplazmozë ose për të përcaktuar nëse ka imunitet ndaj saj (negativ/pozitiv), merret gjaku për të bërë dozimin e antitrupave.

  • Në rastin e infeksionit të pranishëm tek një grua shtatzanë, duhet të fillohet menjëherë mjekimi specifik.
  • Për të përcaktuar nëse fëmija është ose jo i infektuar, analizohet lëngu amniotik (amniocenteza -analiza e lëngut ku noton bebi) ose gjaku i kordonit umbilical (që lidh bebin me nënën).
  • Egzaminimi ekografik i fetusit (fëmijës brenda barkut të nënës) mund të identifikojë pjesërisht dëmtimet e organeve të tij.
  • Testi i toksoplazmës mund të realizohet edhe tek të porsalindurit dhe foshnjat, nëpërmjet marrjes së gjakut të tyre për analizë.

 

Një toksoplazmozë pa shenja klinike nuk duhet të trajtohet.

Mjekimi me antibiotikë mund të jetë i nevojshëm tek pacientët me rezistencë të ulët, gjatë një infeksioni parësor gjatë shtatzanisë ose në rastin e simptomave si ethja ose diarrea. Në rastin e shtatzanisë, zgjedhja e antibiotikut varet nga stadi i shtatzanisë.

Çfarë mund të bëjmë vetë?

Këshilla të përgjithshme:

  • Egzistojnë një sërë rregullash, zbatimi i të cilave pakëson rrezikun e infektimit nga toksoplazma. Këto rregulla duhen zbatuar veçanërisht nga gratë shtatzana, të cilat nuk janë të infektuara ende nga paraziti, pra që kanë rezultuar negative në testin e depistimit.
  • Të mos konsumohet mishi i pagatuar ose i papjekur mire. Shkatërrimi i sigurt i agjentit patogjen është i mundur vetëm gjatë pjekjes në temperaturë mbi 50°C për, të paktën, 20 minuta. Në temperatura më të larta, koha e pjekjes mund të jetë më e shkurtër. Mishrat e kripur, të tilla si sallami, nuk paraqesin asnjë rrezik.
  • Larja e perimeve dhe e frutave të freskëta përpara konsumimit të tyre.
  • Të lahen duart përpara gatimit të mishit të gjallë, pas punimeve të kopshtarisë, pas prekjes së rërës; të lahen duart me sapun përpara vaktit.
  • Nuk është e nevojshme të hiqen macet nga shtëpia. Mjafton që ato të ushqehen me konserva të posaçme për to ose me ushqime të thata. Jashtëqitjet e tyre nuk duhet  të pastrohen asnjëherë nga gratë shtatzana.

 

Ecuria e sëmundjes është përgjithësisht e favorshme. Pas momentit të infektimit, organizmi prodhon antitrupat, që i sigurojnë një mbrojtje të përhershme kundrejt Toksoplazmës Gondi.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.