logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Në rastin e dhimbjes së veshit, duhet të dallohen dhimbjet e veshit të jashtëm, të mesëm ose të brendshëm. Nëse dhimbja është e veshit të jashtëm, bëhet fjalë më shpesh për një dëmtim ose ekzemë të kanalit të jashtëm të dëgjimit.

Dhimbja e veshit manifestohet si një dhimbje me karakter shtypës, pulsues ose therrës, që prek njërin ose të dy veshët.

Fëmijët e vegjël, që vuajnë nga dhimbja e veshit, më shpesh janë të paaftë të tregojnë lokalizimin e saktë të dhimbjeve. Prindërit konstatojnë gjithsesi, se fëmijët e tyre qajnë shumë, dhe të irrituar prekin veshët, lëvizin kokën pa pushim, qajnë gjatë gjumit, kanë pamje të sëmurë ose shfaqin temperaturë të lartë. Në të tilla raste, mund të irritohet edhe kanali i dëgjimit, me ose pa praninë e sekrecioneve.

Çrregullimet shoqëruese të dhimbjes së veshit janë: marrje mendsh, çrregullime të dëgjimit që mund të arrijnë deri në shurdhëri, ndjesia e presionit në vesh, zhurma në vesh, dalja e sekrecionit të pastër ose me gjak nga veshi, temperatura e lartë dhe shenja të tjera të inflamacionit.

Shkaku i dhimbjes së veshit gjendet më shpesh tek vetë veshi, përgjithësisht në veshin e jashtëm ose të mesëm, rrallë në veshin e brendshëm. Gjithashtu, në origjinën e dhimbjeve të veshit mund të jenë edhe organet që gjenden pranë tij, si goja, gryka, hunda, nofullat dhe dhëmbët. Tek fëmijët e vegjël, shpesh dhimbjet e veshit manifestohen në të njëjtën kohë me rrufën, anginën ose sëmundje të tjera tipike të periudhës së fëmijërisë.

Sëmundjet e aparatit të dëgjimit që mund të shkaktojnë dhimbje të veshit:

  • Otiti (otiti i mesëm, tepër i shpeshtë tek fëmijët)
  • Inflamacioni i kanalit të dëgjimit (otiti i jashtëm)
  • Inflamacioni i llapës së veshit (nga baktere, mykoza, pickimet e insekteve, djegia nga dielli, etj.)
  • Higjiena e tepruar ose e mangët e veshit, ose manipulimet e dëmshme (psh. pastrueset prej pambuku)
  • Furunkula në kanalin e dëgjimit
  • Herpesi i veshit
  • Lëndimet ose traumatizimet: psh. futja e trupave të huaj në kanalin e dëgjimit, goditjet në zonën e veshit, etj.
  • Ndryshimet e presionit, psh.në avion, gjatë zhytjeve në det, etj.
  • Dylli i veshit
  • Inflamacioni ose dëmtimi i daulles së veshit (timpanit)

Sëmundje të tjera që mund të shkaktojnë dhimbje të veshit:

Ja disa këshilla për lehtësimin ose parandalimin e dhimbjes së veshit:

  • Higjiena e veshit: mos përdorni shkopinj prej pambuku ose objekte të tjera për pastrimin e veshëve! Mënyra më e mirë është ta lani veshin me sapun duke përdorur gishtin e vogël dhe duke e shpëlarë me ujë të ngrohtë.
  • Dylli i veshit duhet të hiqet vetëm nga mjeku. Përdorimi i pastruesve të jashtëm vetëm sa e përkeqëson situatën, duke e shtyrë dyllin më në brendësi të kanalit të dëgjimit.
  • Notarët që kanë tendencë të vuajnë nga dhimbja e veshit pas larjes, mund ta parandalojnë dhimbjen duke përdorur pika në vesh, që janë të posaçme për zhytësit.
  • Aplikoni recetat e gjyshes: vendosni të ngrohta ose të ftohta në vesh, si dhe kompresa të lagura me lëng qepe.
  • Fëmijët që kanë tendencë të zhvillojnë otite të veshit të mesëm, nuk duhet të ekspozohen ndaj tymit të duhanit ose të mbajnë karamele në gojë.

Në çdo rast që prindërit dyshojnë se foshnja ose fëmija i tyre mund të vuajë nga një dhimbje veshi, rekomandohet konsulta e menjëhershme me mjekun. Kjo vlen edhe për të rriturit, veçanërisht nëse shfaqin edhe simptoma të tjera (psh.temperaturë tepër të lartë), për të evituar dëmtimet e parikthyeshme, siç është humbja e dëgjimit.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me dhimbjen e veshit: kur është shfaqur fillimisht, natyra e dhimbjes (pulsuese, shtypëse, therrëse), fillon në mënyrë të menjëhershme apo progresive, me çfarë intensiteti, lokalizimi i saktë i saj.
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë operacionet: sëmundje të mëparshme të veshëve, infeksione të shpeshta, lëndime ose aksidente.
  • Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi fizik

Gjatë këtij egzaminimi, mjeku inspekton të dy veshët, gojën, grykën dhe hundën. Më pas, mjeku egzaminon me kujdes veshët, nëpërmjet:

  • Otoskopisë, që mundëson inspektimin e kanalit të dëgjimit dhe timpanit
  • Egzaminimit të fluksit të tubit të dëgjimit
  • Audiometrisë (për verifikimin e një humbje të mundshme të dëgjimit)
  • Marrjes së materialit për izolimin e agjentit patogjen që mund të jetë në origjinën e sëmundjes.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike

Për më tepër informacion lidhur me egzaminimet mjekësore diagnostike, mund të përdorni lidhjen korresponduese me sëmundjen e kërkuar (faqa kryesore).

Trajtimi i dhimbjeve të veshit varet nga shkaku i tyre. Më poshtë paraqiten mundësitë e trajtimit:

  • Në rastet me infeksione bakteriale, përdoren antibiotikët në formën e pikave në vesh. Gjithashtu, rekomandohet edhe përdorimi i një sprai nazal (nga hunda) që mundëson lirimin e saj. Në rastet me otit purulent (të qelbëzuar), mund të nevojitet një prerje në zonën e timpanit (daulles së veshit) për të zbrazur qelbin.
  • Një plasaritje e timpanit shpesh shërohet spontanisht. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, mund të nevojitet ndërhyrje kirurgjikale për mbushjen e saj, ose për zëvendësimin e timpanit me një timpan artificial.
  • Tek personat që shfaqin dhimbje të veshit në avion, rekomandohet përtypja e çimçakizit, gëlltitja, nxjerrja e ajrit nga veshët duke mbyllur hundët dhe ushtruar lehtë presion në veshë.
  • Heqja e trupit të huaj, nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale, nën anestezinë e përgjithshme.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.