Mykozat (Infeksionet kërpudhore, Infeksionet mykotike)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Mykozat janë sëmundje që shkaktohen nga kërpudhat. Vetëm rreth 180 tipe të kërpudhave, nga mbi 100 000 egzistueset, shkaktojnë sëmundje tek njeriu.
Sipas ndikimit që kanë mbi lëkurën e njeriut, kërpudhat ndahen në tre kategori:
1. Kërpudhat filamentoze (të fijëzuara): trikofiton, mikrosporum
Kërpudhat e fijëzuara janë përgjegjëse për mykozën e lëkurës, kryesisht në zonën e kokës, të gjoksit dhe të këmbëve, që në latinisht emërtohet mola.
2. Majatë: kandida, pitirosporum
Majatë shkaktojnë kryesisht infeksione të mukozave në nivelin e zonave gjenitale (mykoza vaginale), në gojë (mykoza bukale) ose në ezofag (mykoza ezofageale). Gjithashtu, ato mund të shkaktojnë edhe mykoza në organet e brendshme, që njihet si mykoza sistemike (e shpërndarë në të gjithë trupin).
3. Myket: aspergilusi
Myket kanë tendencë të vendosen mbi një infeksion tashmë egzistues, duke rënduar në këtë mënyrë simptomat e pacientit. Ky tip mund të shkaktojë tepër rrallë mykoza të lëkurës, por shkakton shpesh mykoza të organeve të brendshme, duke arritur deri në mykoza sistemike.
Përmes mykozave sistemike, dallohen ato parësore dhe ato oportune (që shkaktojnë infeksione në organizëm vetëm në disa rrethana të caktuara):
- Mykozat sistemike parësore: disa tipe kërpudhash mund të shkaktojnë infeksione tek personat e shëndetshëm. Sporet e tyre janë të pranishme kudo; ato thithen nëpërmjet ajrit, shkojnë bashkë me të në mushkëri dhe më pas përhapen në të gjithë organizmin.
- Mykozat sistemike shoqëruese: prej tyre mund të preken vetëm personat me imunitet të ulur. Tek një person i shëndetshëm, këto kërpudha mund të fiksohen në sipërfaqet e brendshme dhe të jashtme të trupit, por nuk shpërthejnë sëmundje. Përkundrazi., tek personat pa rezistencë, ato i kalojnë këto sipërfaqe mbrojtëse dhe prekin indet kryesore ose qarkullimin e gjakut.
Mykozat favorizohen nga:
- Dëmtimet e lëkurës
- Këpucët e papërshtatshme (çizmet prej llastiku (gome), që mbajnë nxehtësinë dhe stimulojnë djersitjen e këmbës).
- Prania e lagështirës (djersës ose ujit në rast se nuk fshihen mirë) në zonat ku shtresa sipërfaqsore mbrojtëse e lëkurës është më pak acide, pra më e ndjeshme ndaj mykut, si psh. në hapësirat midis gishtave.
- Frekuentimi i pishinave të hapura dhe dusheve publike
- Ulja e imunitetit
- Sëmundjet metabolike ose çrregullimet e ushqyerjes (diabeti, diarrea nga ushqimi)
- Përdorimi i disa medikamenteve (antibiotikët, kortizonikët, citostatikët për trajtimin e tumoreve,etj.)
Simptomat objektive:
- Shfaqja në lëkurë e zonave me ngjyrë të kuqe, të rrumbullakta ose vezake, më të zbehta në qendër, me kore që bien në kufijtë e tyre.
- Prania e puçrrave me qelb në nivelin e mjekrës
- Shfaqja e zonave të bardha mbi mukoza, veçanërisht në gojë dhe në organet gjenitale.
- Rrjedhje e sekrecioneve nga vagina
- Skuqje në regjionin anal (vrimën e jashtëqitjes) dhe në zonën e organeve gjenitale
- Çarje dhe gërryerje të lëkurës ndërmjet gishtave të duarve dhe të këmbëve
Simptomat subjektive:
- Të kruajtura
- Pamje e jashtme joestetike, për shkak të ngjyrosjes së disa zonave të lëkurës.
- Ndjesi e djegies, veçanërisht në nivelin e mukozave.

Për diagnostikimin e mykozave, duhet t dermatolog kryhet:
- Paraqitja tek mjeku specialist dermatolog dhe egzaminim i kujdesshëm prej tij i zonave problematike të lëkurës, nëpërmjet llampës fluoreshente.
- Marrja e materialit për mbjellje (heqje e koreve në kufijtë e zonave të dëmtuara të lëkurës)
- Identifikimi i mikrobit nëpërmjet mbjelljes së materialit të marrë nga lëkura
- Egzaminimi histologjik: përdorimi i ngjyrimeve speciale, në rastet kur egzaminimi i materialit dhe kultura e mbjellë prej tij rezultojnë negative, por gjithsesi dyshohet për mykozë.

Mykozat janë tepër kokëforta. Gjithsesi, për trajtimin e tyre janë të disponueshme mjaft medikamente që frenojnë në mënyrë specifike shumëzimin e kërpudhave. Në varësi të lokalizimit të infeksionit, preparatet që përdoren lokalisht janë në formën e kremrave ose të sprait. Për trajtimin e mykozës sistemike rekomandohen tabletat.