Pneumonia (Inflamacioni i mushkërive)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)
Mushkëria është organi kryesor i frymëmarrjes në organizëm. Njeriu ka dy mushkëri, të vendosura në të dy anët e kafazit të kraharorit, që mbështillen nga jashtë nga pleura viscerale. Kjo e fundit, së bashku me pleurën parietale, që vesh nga brenda kafazin e kraharorit, formojnë zgavrën pleurale. Mushkëria e djathtë përbëhet nga tre lobe, ndërsa e majta është më e vogël dhe përbëhet nga 2 të tillë, për shkak të pranisë së zemrës në atë anë. Në pjesën e përparme mushkëritë janë të mbrojtura nga brinjët (12 gjithsej) dhe në pjesën e poshtme kufizohen nga diafragma, që së bashku me to ndihmon në realizimin e frymëshkëmbimit.
Sistemi i frymëshkëmbimit, që është përgjegjës për frymëthithjen dhe frymënxjerrjen, përbëhet nga disa struktura që janë: hunda, laringu, trakea, bronket kryesore (parësore), bronket dytësore, bronket tretësore dhe bronkiolat terminale (fundore), që komunikojnë me alveolat. Në fakt, këto struktura grupohen në varësi të funksionit të tyre. Kështu: hunda, laringu, trakea dhe bronket konsiderohen si pjesa që transporton ajrin, duke e lagështuar dhe ngrohur atë në temperaturën 37 °C, ndërkohë që bronkiolat terminale, alveolat dhe kanalet e tyre (duktuset alveolare) konsiderohen si pjesa që realizon respiracionin, pra shkëmbimin e gazeve në mushkëri.
Në nivelin e alveolave kryhet shkëmbimi i gazeve me gjakun që vjen nga barkushja e djathtë e zemrës për t’u pastruar në mushkëri, pra për të lënë dioksidin e karbonit dhe për të marrë oksigjenin. Ky gjak i pastruar kthehet në veshoren e majtë të zemrës, për të shkuar më pas nga barkushja e majtë në të gjithë organizmin. Ky proçes njihet si qarkullimi i vogël (mushkëror, pastrues) i gjakut në organizëm.

Pneumonia përfaqëson një inflamacion akut ose kronik të indit të mushkërive, që mund të shfaqet në çdo periudhë të vitit dhe që prek, si indin e mushkërive, ashtu edhe alveolat. Në varësi të agjentit shkaktar, me natyrë mikrobiale ose jo, pneumonia mund të jetë ngjitëse ose jongjitësë.
Egzistojnë forma të ndryshme të pneumonisë, që janë:
- Pneumonia lobare, që prek lobet e mushkërisë, kryesisht tek fëmijët.
- Bronkopneumonia që fillon nga bronket dhe përhapet në indin e mushkërisë.
- Pneumonia intersticiale, që prek indin e mushkërisë.
- Pneumonia oportune, që shfaqet tek personat me sistem imunitar të dobësuar (si psh. personat e sëmurë me SIDA, ata që i janë nënshtruar kimioterapisë, etj.)
- Pneumonia tek personat që qëndrojnë në shtrat dhe që vuajnë nga insuficienca kardiake (dobësimi i punës së zemrës), që shkaktohet nga ajrosja e pamjaftueshme e mushkërive për shkak të qëndrimit në shtrat për kohë të gjatë.
- Pleuropneumonia që përfaqëson prekjen e njëkohshme të mushkërisë dhe pleurës (cipës që vesh nga jashtë mushkërinë).
Grupet e rrezikuara ndaj pneumonisë janë:
- Personat e moshuar dhe të dobët
- Pacientët me sëmundje kronike të zemrës
- Pacientët me diabet të sheqerit
- Alkoolistët, duhanpirësit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar.
- Fëmijët që vuajnë nga sëmundje kronike.
Shkaqet e pnemonisë janë të ndryshme, sipas fomës së saj. Kështu:
Forma ngjitëse mund të shkaktohet nga:
- Bakteriet (pneumokokët, mykoplazmat), viruset, kërpudhat, klamidia.
Forma jongjitëse mund të shkaktohet nga:
- Alergenet (elementet që shkaktojnë alergji) ose faktorët fiziko-kimikë.
- Medikamentet e ndryshme
- Thithja (kalimi në rrugët e ajrit) e helmeve
- Thithja e lëngut acid të stomakut ose lëngjeve të tjera në rrugët e ajrit.

Simptomat e pneumonisë janë të larmishme. Meqenëse pneumonia bakteriale është forma më e shpeshtë, po përshkruajmë simptomat karakteristike të pranishme në një pneumoni bakteriale klasike:
- Temperaturë e lartë, dhimbje koke, dhimbje në gjymtyrë, ethe.
- Kollë e thatë, që më pas shoqërohet nga gëlbaza me ngjyrë jeshile, të verdhë, ngjyrë kafe ose të kuqe.
- Dhimbje në kraharor, që ndikohen nga frymëthithja ose frymënxjerrja (në rastet me prekje edhe të pleurës).
- Nxirje e buzëve dhe e gishtave, që reflekton mungesën e oksigjenit.
- Rëndim i krizave të astmës
- Çrregullime vaskulare (në nivelin e enëve të gjakut)
- Aromë e keqe e frymës
Kujdes: nëse simptomat e mësipërme janë të vazhdueshme dhe rëndohen gradualisht, është i nevojshëm shtrimi i menjëhershëm në spital i pacientit.

Diagnoza e pneumonisë përcaktohet nga mjeku specialist pneumolog, duke u bazuar në:
- Simptomat e pacientit, historinë e fillimit të tyre, praninë e ndonjë sëmundjeje alergjike, natyrën e profesionit lidhur me mundësinë e ekspozimit ndaj lëndëve helmuese.
- Auskultacionin (dëgjimin me stetoskop) e mushkërive
- Radiografitë e mushkërive
- Analizat e gjakut dhe të pështymës, për identifikimin e agjentit shkaktar të pneumonisë.

Çdo pacient i diagnostikuar me pneumoni, duhet t’i nënshtrohet pushimit të plotë fizik, pra të ndërpresë çdo lloj aktiviteti deri në shërimin e plotë të sëmundjes.
Një pneumoni duhet pothuajse gjithmonë të trajtohet me antibiotikë. Ky trajtim mund të kryhet në kushte shtëpie, gjithmonë nëse pacienti ndihet relativisht mirë. Në rast të kundërt, nëse simptomat rëndohen, pacienti duhet të shtrohet dhe të trajtohet sa më shpejt në kushte spitalore. Zgjatja e trajtimit varet nga lloji i mikrobit dhe nga shkalla e zhvillimit të sëmundjes.
Krahas antibiotikëve, mund të përdoren edhe medikamente për uljen e temperaturës, për hollimin dhe nxjerrjen më lehtë të gëlbazës, për lehtësimin e kollës dhe për zgjerimin e rrugëve të ajrit.
Ecuria e pneumonisë varet drejtpërdrejt nga gjendja e përgjithshme shëndetsore e pacientit dhe nga tipi i agjentit që e ka shkaktuar atë.
Pneumonitë e përsëritura përbëjnë një ndërlikim që duhet marrë në konsideratë seriozisht nga ana e mjekut, duke bërë një bilanc të plotë mjekësor të pacientit.
Pas shërimit të një pneumonie, edhe për disa javë të tjera, pacientët shpesh ndihen të pafuqishëm dhe mund të kenë pak kollë.