Divertikuloza (Divertikuliti, Xhepat e zorrës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Divertikujt janë xhepa të vegjël të mukozës (pjesës së brendshme) së zorrës, që kalojnë në pjesën e jashtme të zorrës, nëpërmjet disa zonave të vogla të murit të saj, dhe që komunikojnë me pjesën e brendshme të zorrës nëpërmjet një kanali të ngushtë.
Divertikujt hasen më shpesh në pjesën fundore të anës së majtë të zorrës së trashë (pjesa sigmoide), ku edhe presioni është më i madh, por ato mund të gjenden në të gjithë gjatësinë e zorrës së hollë dhe të trashë. Veç kësaj, xhepat mund të formohen edhe në nivelin e të gjitha organeve zgavrore (që kanë hapësirë në brendësi), duke përfshirë edhe ezofagun.
Divertikuloza përfaqëson shfaqjen e disa divertikujve. Ajo është mjaft e shpeshtë, por kalon pa u vënë re, sepse përgjithësisht nuk jep shqetësime, pra pacienti nuk paraqet simptoma të dukshme.
Divertikuliti përfaqëson inflamacionin akut të divertikujve. Nëse nuk trajtohet, ai mund të shkaktojë shpimin (hapjen) e zorrës. Për pasojë, përmbajtja e zorrës mund të derdhet në hapësirën e barkut ose në organet e tjera. Në raste më të rënda, në hapësirën e barkut mund të grumbullohet qelb, i cili mund të kalojë në gjak dhe të shkaktojë gjendjen e infeksionit të përgjithshëm (septicemia).
Formimi i divertikujve në nivelin e zorrës është pasojë e ndikimit të disa faktorëve, si:
- Konsumi i ushqimeve të pasura me yndyrna dhe të varfra në fibra
- Dobësimi i muskujve dhe indit lidhor
- Kapsllëku kronik
- Mosha, kryesisht mbi 70 vjeç.
- Faktorët e lidhur me trashëgiminë, që janë ende të diskutueshëm.
Origjina e inflamacionit të divertikujve
Supozohet se inflamacioni i divertikujve, pra fenomeni i divertikulitit, shkaktohet nga grumbullimi i mbetjeve ushqimore në brendësi të divertikujve.

Në përgjithësi, divertikujt nuk shkaktojnë shqetësime, pra janë asimptomatikë. Në raste të rralla pacienti ankohet për:
- Dhimbje barku, më shpesh në pjesën e poshtme të majtë të tij
- Ndjesi shtrëngimi në stomak
- Diarre ose kapsllëk
- Hemorragji, që mund të çojë në shfaqjen e anemisë, kur sasia e gjakut të humbur është e madhe.
- Dhimbje të forta barku, kryesisht në anën e majtë, poshtë stomakut.
- Ethe, temperaturë
- Dobësi e theksuar trupore
- Ecuria e sëmundjes mund të shkojë drejt një peritoniti, që është inflamacioni i cipës që vesh organet e barkut.

Ekzaminimet e nevojshme për përcaktimin e diagnozës së divertikujve përfshijnë:
- Informimin e mjekut specialist gastro-enterolog lidhur me simptomat e pacientit, historinë e fillimit të tyre, problemet e ndryshme me jashtëqitjen, mënyrën e ushqyerjes, shpeshtësinë e aktivitetit fizik, etj.
- Ekzaminimin trupor të pacientit
- Analizat e gjakut
- Ekografinë e barkut
- Kryerjen e skanerit të barkut
- Kolonoskopinë, që mund të kryhet në raste të rralla, për shkak të rrezikut për dëmtime të zorrës.

Në rastet e divertikujve me shqetësime të lehta, mund të mjaftojë vetëm modifikimi i regjimit ushqimor, duke evituar ushqimet e yndyrshme dhe rritur konsumin e ushqimeve të pasura me fibra. Kjo çon në stabilizimin e proçesit të jashtëqitjes. Në rast nevoje, mund të përdoren medikamente që eleminojnë spazmat (shtrëngimet) e zorrës. Në raste shumë të rralla mund të jetë e nevojshme kryerja e ndërhyrjes kirurgjikale.
Trajtimi i divertikulitit, kur është i lehtë, mund të kryhet në kushte ambulatore, nëpërmjet:
- përdorimit të antibiotikëve
- uljes së konsumit të ushqimit
- përdorimit të laksativëve
Krizat e rënda kanë nevojë për shtrim në spital, ku trajtohen me antibiotikë dhe ushqyerje artificiale, me rrugë venoze.
Ndërhyrja kirurgjikale aplikohet në rastet e rënda dhe në rastet e dyshimta për shpim të zorrës, bllokim të zorrës, hemorragji të përsëritura, si dhe në rastet e formimit të fistulave me përmbajtje qelbi. Në të gjitha këto raste, hiqet pjesa e dëmtuar e zorrës.
Qëllimi i ndërhyrjes kirurgjikale
Operacioni mund të realizohet shpesh nëpërmjet laparoskopisë. Ai ka për qëllim të heqë pjesën e dëmtuar të zorrës së trashë, shpesh të vendosur në pjesën e poshtme të majtë të barkut, dhe të krijojë lidhje (anastomozë) ndërmjet dy pjesëve të zorrës që mbeten pas prerjes. Në raste të rralla mund të jetë i nevojshëm një anus artificial (vrimë për jashtëqitjen).
Ndërlikimet e mundshme të divertikujve të zorrës janë:
- Shpimi i zorrës, i shoqëruar nga peritoniti
- Formimi i fistulave me përmbajtje qelbi në nivelin e fshikëzës së urinës, të vaginës dhe të lëkurës.
- Konsumi i ushqimeve të pasura me fibra dhe të varfra në yndyrna, ku futen: drithërat, gruri, frutat dhe perimet.
- Konsumimi i 2-3 litra lëngje në ditë.
- Kryerja e aktivitetit fizik të rregullt.