logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Eritema infeksioze: sëmundje virale e rrallë, ngjitëse.
Eritema infeksioze: sëmundje virale e rrallë, ngjitëse.

Eritema infeksioze është një sëmundje virale e rrallë dhe pak ngjitëse. Ajo prek përgjithësisht fëmijët e moshës 6-15 vjeç dhe transmetohet nëpërmjet thithjes gjatë frymëmarrjes të spërklave të infektuara. Pikërisht për këtë arsye, epidemi të vogla të saj shpërthejnë zakonisht në shkolla dhe kopshte.

Në përgjithësi, eritema infeksioze nuk shkakton simptoma (shqetësime) dhe kalimi i saj siguron imunitet të përhershëm. Ajo pasohet me ndërlikime tek femrat shtatzana, të cilat nuk kanë patur më parë kontakt me virusin shkaktar të saj. Në 10-20% të këtyre rasteve, infektohet edhe fëmija në barkun e nënës (fetusi). Në rastet më të rënda, gruaja shtatzanë aborton spontanisht ose lind një  fëmijë të vdekur.

Në origjinën e eritemës infeksioze është parvovirusi B19. Infektimi prej tij kryhet nëpërmjet spërklave të infektuara të personit të infektuar gjatë kollitjes, teshtitjes, puthjes, përqafimeve, etj. Femra shtatzanë ia transmeton virusin fëmijës së saj (fetusit).

Virusi shumëzohet në qelizat burimore të rruazave të kuqe të gjakut (eritrociteve), në nivelin e palcës së kockave. Kjo shkakton çrregullime të hematopoezës (proçesit të formimit të qelizave të gjakut), që mund të reflektohet me një anemi të menjershme (akute), kryesisht tek fëmijët para lindjes dhe tek personat me  anemi kronike (të përsëritur).

Eritema infeksioze është relativisht e rrallë. Kjo është arsyeja pse gjysma e personave të rritur nuk janë të mbrojtur (imunizuar) ndaj virusit shkaktar të saj, që është veçanërisht i rrezikshëm për femrat shtatzana.

Simptomat e eritemës infeksioze janë të pranishme vetëm tek një e katërta e personave të infektuar prej saj. Tek personat e tjerë, sëmundja nuk shkakton simptoma (shqetësime). Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para të sëmundjes) zgjat nga 7-18 ditë. Shkalla e ngjitshmërisë, pra e infektimit të personave të tjerë është maksimale gjatë ditëve të para të infeksionit. Pas shfaqes së elementeve në lëkurë, personi nuk paraqet më rrezik për infektimin e personave të tjerë.

Infeksioni i eritemës përparon në dy faza

Faza I:

Përgjithësisht është asimptomatike (pa shqetësime). Rrallë mund të shfaqen simptoma të ngjashme me një grip, si: kolla, rrufa, dhimbjet e kokës, dhimbjet muskulare, ngritje e lehtë e temperaturës, të dridhura.

Faza II:

  • Karakterizohet nga shfaqja në lëkurë e elementeve në formën e rrathëve ose shiritave tipike, në fillim në zonën e fytyrës, më pas në krahë, këmbë dhe të ndenjura. Këto elemente shfaqen rrallë në pjesët e tjera të trupit.
  • Në stadin fillestar, eritema mund të ngatërrohet me infeksione të tjera virale, si fruthi, rubeola, variçela, skarlatina ose ethja e tre ditëve.
  • Të kruajtura (jo gjithmonë)
  • Ngritje e lehtë e temperaturës
  • Mund të konstatohen zmadhime të nyjeve limfatike
  • Mund të shfaqen edhe dhimbje të kyçeve  
Eritema infeksioze: zbulimi i antitrupave kundër virusit në gjak.
Eritema infeksioze: zbulimi i antitrupave kundër virusit në gjak.

Diagnoza e eritemës infeksioze përcaktohet në bazë të:

  • Historisë së sëmundjes
  • Simptomave të pacientit, përfshirë edhe elementet tipike në lëkurë.
  • Përcaktimin në gjak të nivelit të antitrupave të drejtuara kundër virusit shkaktar të sëmundjes
  • Tek femrat shtatzana, në kryerjen e ekografive obstetrikale  të rregullta, mundësisht edhe të amniocentezës (proçedurë mjekësore që mundëson diagnostikimin e infeksioneve të fëmijës), vlerësimin e nivelit në gjak të  antitrupave të drejtuara kundër virusit. Nëse ky test rezulton negativ, ai duhet të përsëritet pas 6 javësh.
Eritema infeksioze: kompresa të ftohta kundër kruajtjes.
Eritema infeksioze: kompresa të ftohta kundër kruajtjes.

Nuk egziston asnjë trajtim medikamentoz kundër virusit të eritemës infeksioze. Trajtimi i saj është vetëm simptomatik, pra synon të lehtësojë simptomat. Në përgjithësi, nuk nevojitet përdorimi i ndonjë medikamenti specifik, dhe infeksioni kalon pa pasoja. Për qetësimin e kruajtjeve në lëkurë rekomandohet lyerja e saj me xhel freskues ose vendosja e kompresave të ftohta.

Trajtimi në rastin e shtatzanisë

Në personat me anemi kronike (të përsëritur), eritema infeksioze mund të shkaktojë një përkeqësim te papritur te gjendjes së përgjithshme, me shfaqjen e një anemie akute (të menjëhershme).

Ndërlikimet në rastin e shtatzanisë

Nëse ndodh infektimi i fëmijës (fetusit) nga eritema infeksioze në fillim të shtatzanisë,vetem në 10% të rasteve ai arrin të mbijetojë. Ndërkohë që, nëse ky infektim ndodh në fund të shtatzanisë, ai shkakton një anemi tek fëmija, që përmirësohet relativisht shpejt pas lindjes.
 
Probleme serioze të shëndetit të fëmijës konsiderohen:

Për fat të keq, transfuzioni i gjakut përmes kordonit të kërthizës (umbilikal) nuk është gjithmonë efikas. Për pasojë, mund të ndodhë aborti spontan ose lindja e fëmijës së pajetë.

Mënyra e vetme parandaluese për eritemën infeksioze konsiston në shmangien e kontaktit me personat e infektuar prej saj. Për këtë qëllim, për gratë shtatzana që punojnë në kontakt me fëmijët (kopshte, shkolla), rekomandohet ndërprerja e punës, në rast se rezultojnë të kenë testin e antitrupave negativ (që do të thotë se nuk kanë patur kontakt më parë me eritemën infeksioze).
 
Vaksina e parandalimit të kësaj sëmundjeje është ende në studim e sipër.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.