Murtaja
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Në të kaluarën, kjo sëmundje ka shkaktuar pandemi, duke prekur një pjesë të madhe të popullsisë së botës. Pandemia e fundit e madhe prej saj është ajo e shekullit të 14-të. Në atë kohë, flitej për "vdekjen e zezë" për sëmundjen e shkaktuar nga bakteria Yersinia pestis, madje edhe sot mendohet se shkaqe të tjera (p.sh. antraksi) ndoshta përshkruhen nën këtë emër.
Në disa vende të Afrikës, Azisë Juglindore, Amerikës së Jugut dhe të Veriut ende ekzistojnë epidemitë e murtajës. Në Evropë nuk ka raste të tilla.
Ekziston një vaksinë kundër një prej formave të sëmundjes. Por kjo e fundit është e efektshme vetëm për disa muaj dhe përdoret rrallë për shkak të efekteve të shumta të padëshiruara. Për format e tjera, nuk ka vaksinim. Në këto raste, mjetet e vetme për të mbrojtur veten nga infeksioni janë higjiena dhe izolimi (karantina) i personave të infektuar.
Antibiotikët janë jashtëzakonisht të efektshëm kundër murtajës nëse përdoren në stade të hershme, pra jo në një fazë të përparuar të sëmundjes. Nëse nuk trajtohet, murtaja është fatale.
Për të shmangur një epidemi, personi i infektuar nga murtaja ka për detyrim të vetëdeklarohet, në mënyrë që të vendoset në karantinë; më pas transferohet në një departament të specializuar për sëmundjet infektive.
Yersinia pestis transmetohet tek njerëzit përmes pleshtave, minjve apo ketrave të infektuar. Prandaj njerëzit që punojnë në pyje janë veçanërisht të rrezikuar.
Ekzistojnë katër forma të murtajës:
- Murtaja bubonike
- Murtaja septike
- Murtaja pulmonare
- Murtaja abortive
Në rast të një pandemie, të katër format janë të pranishme, por forma bubonike dhe ajo pulmonare janë më të shprehura.
I - Murtaja bubonike
Infektimi ndodh kryesisht nga kafshimi i një pleshti. Në rastin e murtajës bubonike, shenjat tipike janë inflamacionet (në formën e gungave, kokrrave) rreth 4 cm në qafë, sqetull dhe ijë. Ato formohen për shkak të infektimit të nyjeve limfatike dhe të enëve limfatike. Nëse sëmundja nuk trajtohet, bakteret përhapen në të gjithë trupin me anë të gjakut, duke shkaktuar një murtajë septike dhe dëmtime në organet e tjera (mushkëri, lëkurë). Në shumicën e rasteve, një murtajë bubonike që nuk trajtohet është fatale për pacientin.
II - Murtaja septike
Shfaqet kur bakteret kalojnë në gjak. Kjo është e mundur në dy mënyra: në rastin e një plage sipërfaqësore, apo kur ndërlikohet një murtajë bubonike (inflamacionet e nyjeve apo enëve limfatike kalojnë në gjak). Nëse nuk trajtohet, pacienti vdes brenda pak orësh.
III - Murtaja pulmonare (e mushkërisë)
Ekzistojnë dy forma të saj: murtaja pulmonale parësore dhe dytësore.
Forma parësore transmetohet nga njeriu tek njeriu nëpërmjet ajrit (nga spërklat e pështymës, nëpërmjet teshtitjes). Bakteret më pas kalojnë direkt në mushkëri. Evolucioni i sëmundjes është shumë më i shpejtë dhe më i rëndë se gjatë një murtaje bubonike. Nëse nuk trajtohet, pacienti vdes brenda disa ditësh për shkak të edemës pulmonare ose dështimit të punës së sistemit kardiovaskular (insufiçiencë kardio-vaskulare).
Forma dytësore është një ndërlikim i murtajës bubonike ose septike.
IV - Murtaja abortive
Kjo është forma e lehtë, më e padëmshme e sëmundjes. Shfaqet si një ethe e butë, me disa inflamacione të vogla të nyjeve limfatike. Pacienti formon antitrupa brenda pak ditësh dhe kështu imunizohet kundër kësaj forme të murtajës.

Periudha e inkubacionit (koha midis momentit të infektimit dhe shfaqjes së sëmundjes) varion nga disa orë deri në disa ditë (maksimumi një javë).
Simptomat
Në varësi të formës, murtaja karakterizohet nga këto simptoma:
- Shqetësime të ngjashme me gripin: ethe, dhimbje në kokë dhe gjymtyrë, ndjenjë e theksuar pafuqie trupore, përgjumje deri në humbje ndjenjash.
- Simptoma specifike për murtajën bubonike: inflamacioni i nyjeve limfatike (kokrra, gunga) me dhimbje tipike në qafë, sqetull dhe/ose në ije; këto kokrra, rreth 4 cm, janë gjëndra dhe enë limfatike të inflamuara. Për shkak të gjakderdhjes së brendshme, ato kthehen në ngjyrë blu ose të zezë dhe pastaj zhduken.
- Simptoma specifike për murtajën septike: gjakderdhje të rënda të organeve të brendshme dhe të lëkurës (me ngjyrë blu ose të zezë), madje kjo mund të çojë deri në gangrenë: vdekjen e indeve të lëkurës, që fillon në fytyrë dhe gjymtyrë (gishta), dhe pastaj përparon në drejtim të qendrës së trupit.
- Simptoma specifike për murtajën pulmonare: vështirësi në frymëmarrje, kollë, cianozë (buzët ngjyrosen në blu), dhimbje të forta gjatë kollitjes, pështymë me ngjyrë të zezë (nga prania e gjakut).
- Në rastet e murtajës bubonike dhe pulmonare, rreziku kryesor është përhapja e baktereve në të gjithë trupin. Ato mund të ndërlikohen me një murtajë septike.
- Në rastin e murtajës septike, pacienti duhet të trajtohet me antibiotikë brenda 36 orësh, përndryshe ai mund të vdesë.
- Në rastin e murtajës pulmonare, një pacient që nuk trajtohet do të zhvillojë edemë pulmonare dhe pastaj do të vdesë nga çrregullimet e sistemit kardiovaskular.

Ekziston një vaksinë kundër murtajës bubonike, që garanton mbrojtje vetëm për afro 6 muaj, dhe është provuar të jetë joefektive në rastet e një epidemie. Meqenëse vaksinimi kundër murtajës ka shumë efekte të padëshiruara, OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) e këshillon atë vetëm për njerëzit në rrezik (fermerët, gjuetarët dhe punëtorët e bujqësisë në rajonet ku gjenden brejtësit e infektuar nga murtaja).
Si një masë paraprake, është e nevojshme të luftohen pleshtat, për shembull duke aplikuar pluhur insekticid në rroba dhe në lëkurë. Është e nevojshme që në mënyrë të përpiktë të zbatohen rregullat e higjienës. Në afat të gjatë, duhet gjithashtu të parandalohet përhapja e minjve. Personeli mjekësor që trajton njerëz të infektuar nga murtaja ose personat që kujdesen për ta duhet të respektojnë masa të posaçme higjienike (doreza, maska dhe veshje mbrojtëse).