Ndjeshmëria e lartë ndaj të ftohtit (Hiperndjeshmëria ndaj të ftohtit, Intoleranca ndaj të ftohtit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Pavarësisht nga shkaku, ndjeshmëria e lartë ndaj të ftohtit manifestohet me një sërë reaksionesh trupore, që janë:
- Hunda, veshët, duart dhe këmbët janë të ftohta: për të garantuar furnizimin me gjak të organeve me rëndësi jetike, pakësohet qarkullimi i gjakut në periferi.
- Lëkura është e zbehtë, për shkak të kontraktimit të enëve të gjakut të saj.
- Të ngjethura/dridhje për të prodhuar nxehtësi trupore.
- Mornica: një reaksion trupor që e ka zanafillën në epokën kur trupat tanë ishin të mbuluar vetëm nga një shtresë. Kur bën ftohtë, qimet ngrihen përpjetë dhe krijojnë kështu një jastëk ajri, që na mbron nga humbja e nxehtësisë.
- Një problem akut i furnizimit me gjak të gjymtyrëve manifestohet me ftohje të duarve dhe këmbëve, si dhe me një lëkurë të zbehtë në blu.
Çrregullimet shoqëruese të ndjeshmërisë së lartë ndaj të ftohtit janë: rrufa / infeksioni (ethe, dridhje trupore, kollë, etj.), çrregullime të shkaktuara nga funksioni i pamjaftueshëm i gjendrës tiroide (hipotireoza: me lodhje, dhimbje koke, gjendje depresive , shtim në peshë, kapsllëk kronik), dhe simptoma të tjera që varen nga sëmundja shkaktare.
Kur temperaturat e mjedisit ulen, është normale që të dridhemi, veçanërisht nëse nuk jemi veshur mjaftueshëm, ose nëse jemi natyrë që e ndiejmë shumë të ftohtin. Gjithsesi, nëse vuajmë nga një ndjeshmëri jonormale ndaj të ftohtit, në origjinën e saj mund të jetë një sëmundje e caktuar. Dridhjet trupore gjatë fillimit të gripit janë një shembull tipik. Shkaqe të tjera më të parrezikshme janë dobësia fizike gjatë stresit ose lodhja e madhe trupore, që mund të provokojë një ndjeshmëri të lartë të përkohshme ndaj të ftohtit.
Sëmundje dhe shkaqe të tjera të ndjeshmërisë së lartë ndaj të ftohtit:
- Rrufa
- Gripi
- Infeksioni gripal i shoqëruar me ethe
- Hipotensioni arterial (tensioni i ulët i gjakut)
- Hipotireoza (funksioni i ulur i gjendrës tiroide)
- Tiroiditi Hashimoto (inflamacion i gjendrës tiroide)
- Mungesa e hekurit
- Fibromialgjia
- Çrregullimet e qarkullimit të gjakut
- Ndryshimet hormonale, psh.gjatë menopauzës (që alternojnë afshet e nxehtësisë me dridhje trupore)
- Anoreksia
- Kanceret
- Hipotermia
- Efektet e padëshiruara të medikamenteve (psh. gjatë disa kimioterapive)
Nëse në origjinën e dridhjeve trupore nga të ftohtët nuk rezulton asnjë sëmundje, mund të ndihmojnë këto teknika të thjeshta:
- Ruani nxehtësinë trupore: vishuni ngrohtë, vendosni doreza dhe kapele, pini lëngje të ngrohta ose përdorni mbulesa të ngrohta kur temperaturat janë tepër të ulëta.
- Nxisni qarkullimin e gjakut dhe metabolizmin trupor: me aktivitet të rregullt fizik, hidratim të mjaftueshëm, sauna, masazhe me furçë, dush skocez, etj, sipas këshillës së mjekut.
Konsulta me mjekun këshillohet nëse pacienti dridhet pa shkak, ose kur nuk egziston asnjë shkak evident për ndjeshmërinë e lartë ndaj të ftohtit, të shfaqur në mënyrë të menjëhershme. Kjo vlen edhe për rastin kur janë të pranishme edhe simptoma të tjera (psh. dhimbjet, mpirjet, mungesë ndjeshmërie), krahas dridhjeve.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
- Mjeku internist
- Mjeku endokrinolog
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Ndjeshmëria e lartë ndaj të ftohtit është rrallë simptomë e vetme e referuar nga pacienti. Për këtë arsye, është tepër e rëndësishme të shënohen të gjitha çrregullimet e referuara prej tij, në mënyrë që të zbulohet shkaku i vërtetë i dridhjeve trupore.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me hiperndjeshmërinë ndaj të ftohtit: prej sa kohësh është shfaqur, me çfarë intensiteti, shpeshtësie, në cilat situata, etj.
- Njohja me çrregullimet shoqëruese, si shenjat klinike të një infeksioni ose të një funksioni të pamjaftueshëm të gjendrës tiroide
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë operacionet.
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
- Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
Egzaminimi fizik
Gjatë këtij egzaminimi, mjeku vlerëson gjendjen e ushqyerjes së pacientit, si dhe funksionin e organeve, veçanërisht të gjendrës tiroide.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike
- Matja e temperaturës trupore (për verifikimin e hipotermisë)
- Matja e presionit të gjakut (për një hipotension të mundshëm)
- Analizat e gjakut (veçanërisht treguesit e inflamacionit, niveli i hormoneve të gjendrës tiroide, niveli i hekurit)
Trajtimi mjekësor i hiperndjeshmërisë ndaj të ftohtit varet nga shkaku i saj. Ja disa shembuj:
- Kur shkaku është funksioni i pamjaftueshëm i gjendrës tiroide, mungesa e hormoneve të saj korrigjohet nëpërmjet marrjes së tyre në formën e pilulave. Në këtë mënyrë, ndjeshmëria ndaj të ftohtit normalizohet. Nëse është e nevojshme, kryhet edhe ndërhyrja kirurgjikale e tiroides.
- Mungesa e hekurit trajtohet me preparate me bazë hekuri